Kryetari i PD, Lulzim Basha, i kushtoi vëmendje turizmit gjatë takimeve me qytetarë e sipërmarrës në Shëngjin. Basha ndau me banorët e kësaj zone problemet që ata kanë dhe rrugët e zgjidhjes që duhen ndjekur për ta zhvilluar edhe më tej këtë zonë, duke vlerësuar punën e ndershme të njerëzve, që me mundin e tyre e kanë kthyer në një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas dhe të huaj.

“Në Shëngjinin e bukur, të bekuar nga Zoti me natyrën e mrekullueshme, bisedova me qytetarë dhe sipërmarrës për zgjidhjet që nevojiten për ta zhvilluar edhe më tej këtë zonë, duke vlerësuar punën e ndershme të njerëzve, që me mundin e tyre e kanë kthyer në një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas dhe të huaj. Ne besojmë se një politikë në shërbim të qytetarëve ka për detyrë të ulë taksat dhe tarifat, të subvencioniojë sektorët e peshkimit dhe bujqësisë, të ulë çmimin e karburanteve, për t’i dhënë një tjetër hov zhvillimit të kësaj zone të bekuar”.