DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETJA DHE ANËTARJA E KRYESISË, ANDIA ULLIRI

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se pas ardhjes së qeverisë së Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 e deri në vitin 2023 nga Shqipëria për në vendet e Bashkimit Evropian kanë kërkuar azil mbi 64 215 shtetas shqiptarë të moshës nën 18 vjeç.

Në raport me popullsinë, Shqipëria ka normën e dytë më të lartë në botë dhe lë pas Sirinë, si vend në konflikt të përgjakshëm dhe në luftë civile.

Kjo e dhënë është një tregues i frikshëm se çfarë ka arritur të bëjë në një dekadë keqqeverisja e Edi Ramës.

Korrupsioni i madh, papunësia, mungesa e sigurisë për jetën, ekonomia e dobët, asnjë politikë sociale dhe shëndetësore në dobi të njerëzve, politizimi ekstrem i gjithçkaje, duke filluar nga administrata shtetërore dhe të mos ofruarit të asnjë plani dhe mbështetje nëpërmjet politikave për të rinjtë dhe të rejat, bëjnë që ata të shohin Evropën si destinacionin e tyre.

Shpopullimi i vendit dhe largimi i të rinjve është një kambanë alarmi për familjen shqiptare.

Vetëm një politikë që lufton korrupsionin dhe forcon ekonominë, rendin dhe sigurinë, do të bënte të mundur për ta ndryshuar këtë situatë.

Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet për ta pasur rininë në plan të parë të fokusit të saj në hartimin e programit dhe në përbërjen e ekipit të ardhshëm.

Nëpërmjet programit dhe platfomrës sonë për mbështetjen ndaj të rinjve, do të mundemi ta kurojmë këtë plagë shoqërore dhe sociale aq të dhimbshme për shoqërinë tonë.

Partia Demokratike ka lindur si parti e të rinjve, ndaj ftesa jonë është të bashkohemi të gjithë së bashku për një ndryshim që do ta ndryshojë një herë e përgjithmonë këtë realitet të trishtë.