Rregullore e Grupit Parlamentar

RREGULLORE

 

NR.1 DATË 03.09.2023

 

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE DHE VEPRIMTARINË E DEPUTETËVE TË TIJ

KREU I


DISPOZITA TE PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Baza ligjore, qëllimi dhe objekti

 

  1. Kjo rregullore miratohet në zbatim të Nenit 44 pika 3/h dhe Nenit 48 pika 3 dhe pika 5 te Statutit të Partisë Demokratike.
  2. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e rregullave të hollësishme për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (GPPD), me synim forcimin e disiplinës dhe demokracisë së
  3. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave për mbarëvajtjen e punës së deputetëve të GPPD dhe koordinimin e veprimtarisë midis tyre, në funksion të përfaqësimit të realizimit të politikave të Partisë Demokratike gjatë veprimtarisë parlamentare.

Neni 2

Anëtarësia

 

  1. GPPD përbëhet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të dalë nga lista zgjedhore shumëemërore e Partisë Demokratike dhe që konfirmohen menjëherë pas betimit në Kuvend nga Kryetari i Partisë, sipas rregullave të përcaktuara në aktet ligjore në fuqi.
  2. Me miratimin e Kryetarit të Partisë, një deputet i Partisë Demokratike mund të regjistrohet formalisht si pjesë e një Grupi tjetër Parlamentar, duke mos u përfshirë në listën e deputetëve të GPPD gjatë regjistrimit në Kuvend.
  3. GPPD mund të pranojë si anëtarë të tij edhe deputetë të cilët nuk janë zgjedhur nga lista zgjedhore e Partisë Demokratike, me kusht që këta të fundit të pranojnë programin politik të saj.
  4. Vendimi për pranimin e anëtarve sipas pikës 3 të këtij neni merret nga Kryesia e Partisë me propozim të Kryetarit të Partisë.

 

Neni 3

Përfundimi i anëtarësisë

 

  1. Anëtarësia në grup përfundon kur deputeti largohet nga Grupi Parlamentar me kërkesën e tij, përjashtohet nga Grupi Parlamentar ose Partia Demokratike, ose humbet mandatin e deputetit.
  2. Çdo deputet është i lirë të kërkojë largimin nga Grupi Parlamentar në çdo kohë.
  3. Përjashtimi i deputetit nga Grupi Parlamentar mund të propozohet nga Kryetari Partisë si dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar. Propozimi i paraqitet Kryesisë së Partisë e cila vendos me shumicë të thjeshtë.
  4. Vendimi i Kryesisë i komunikohet Kuvendit nga Kryetari i Partisë.
  5. Pikat 3 dhe 4 të këtij neni zbatohen edhe në rastet e pezullimit të anëtarësisë në Grupin Parlamentar.

 

Neni 4

Funksionet e GPPD

 

  1. Grupi Parlamentar është organi përgjegjës që siguron zbatimin dhe përfaqësimin e programit politik të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
  2. Grupi Parlamentar mbron platformën e Partisë Demokratike dhe siguron një oponencë për veprimtarinë e kundërshtarëve politikë. Në rast se GPPD është mazhorancë parlamentare, ai mbështet me votë aksionin politik që përmban programi qeverisës, si dhe mbron dhe voton iniciativat ligjore të Qeverisë që mbështeten në vizionin e Partisë Demokratike, programin qeverisës dhe interesin publik, Në rast se GPPD është në opozitë, ai mbikëqyr veprimtarinë e mazhorancës parlamentare dhe bën oponencë ndaj akteve të qeverisë dhe iniciativave të saj ligjore.
  3. Grupi Parlamentar, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ndërmerr iniciativa të ndryshme ligjore, për realizimin e objektivave të politikave të Partisë Demokratike.
  4. Grupi Parlamentar mblidhet në përputhje me axhendën e Kuvendit, për trajtimin e cështjeve të ndryshme të përfshira në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, si dhe për trajtimin e çdo cështje tjetër që është në kompetencë të Grupit. Mbledhjet e GPPD thirren dhe drejtohen nga Kryetari i Partisë dhe/ose Kryetari i Grupit Parlamentar.

KREU II

ORGANIZIMI I GRUPIT PARLAMENTAR

 

Neni 5

Mbledhja Plenare e Grupit Parlamentar

 

  1. Mbledhja Plenare e Grupit ka këto funksione dhe detyra:
  • Mbrojtjen e programit politik të Partisë Demokratike dhe zbatimin e vendimeve te Kryesise dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që kanë lidhje me organizimin dhe veprimtarine politike te Grupit Parlamentar në kuader të veprimtarisë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
  • Merr vendim për qëndrimet që do të mbahen për të gjithë aktet dhe projekt ligjet disktohen në Parlament me propozim të Kryetarit të Partisë.
  • Propozon Kryesisë së Partisë ndryshime në Rregulloren e Brendshme të Grupit Parlamentar.
  1. Mbledhjet Plenare të Grupit dokumentohen me procesverbal. Procesverbali nënshkruhet nga Kryetari ose personi i autorizuar prej tij dhe Sekretari i Grupit dhe i paraqitet për miratim këtij të fundit në mbledhjen e ardhshmë.
  2. Vendimet e Grupit nënshkruhen nga Kryetari ose personi i autorizuar prej tij dhe Sekretari i Grupit. Marredheniet dhe korrespondenca zyrtare midis Grupit Parlamentar dhe Kuvendit apo institucioneve të tjera, mbahen nga Kryetari i Partise.

 

Neni 6

Kryetari dhe Kryesia e Grupit Parlamentar

 

  1. Kryetari i Grupit Parlamentar është Kryetari i Partisë sipas parashikimeve të nenit 48 të Statutit të Partisë Demokratike.
  2. Kryesia e Partisë, me propozim të Kryetarit të Partisë,ose 1/4 të anëtarëve të GPPD zgjedh nga rradhët e saj Nënkryetarin, Sekretarin dhe Zëdhënësin e Grupit Parlamentar.
  3. Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe Zëdhënësi përbëjnë Kryesinë e Grupit Parlamentar.
  4. Grupi Parlamentar mund të ketë një ose më shumë Nënkryetarë, të cilët me rotacion, në mungesë të Kryetarit të Grupit dhe me autorizim të tij, ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrat e tij.
  5. Sekretari kujdeset për dokumentimin e veprimtarisë së Grupit, si dhe për depozitimin e akteve të GPPD në Kuvend.
  6. Zëdhënësi kujdeset dhe monitoron të gjithë veprimtarinë publike të GPPD, për pasqyrimin korrekt në media të qëndrimit të tij, si dhe për informimin në kohë të publikut mbi këto qëndrime.

 

Neni 7

Funksionet e Kryesisë së GPPD

 

  1. Kryesia e Grupit Parlamentar mblidhet në përputhje me axhendën e Kuvendit, ose sa herë që e cmon të arsyeshme Kryetari i Partisë nga Kryetari i Grupit apo 1/3 e anëtarëve të tij, Mbledhja e Kryesisë së Grupit Parlamentar i paraprin mbledhjes së GPPD.
  2. Kryesia e GPPD kujdeset për koordinimin e veprimtarisë së Grupit me platformën e Partisë Demokratike, si dhe përcakton veprimtaritë brenda dhe jashtë Kuvendit që do të realizohen nga deputetët që janë anëtarë të Grupit Parlamentar.
  3. Kryesia e Partisë Demokratike me porpozim të Kryesisë së Grupit Parlamentar miraton Kryetarët / Nënkryetarët e Partisë Demokratike në Komisionet e Përherëshme Parlamentare dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike nëDelegacionet e Përhershme Parlamentare.
  4. Kryesia e Grupit Parlamentar miraton përfaqësuesit e GPPD në Komisionet e Posacme Parlamentare dhe në Komisionet Hetimore, miraton listën dhe renditjen e diskutantëve në çdo seancë plenare, propozon aksionet që duhet të ndërmarrë GPPD, si dhe qëndrimet që duhet të mbajë Grupi në kuvend.

KREU III

FUNKSIONIMI I GRUPIT PARLAMENTAR

 

Neni 8

Koordinimi i punës dhe qëndrimeve të Grupit Parlamentar

 

  1. Një ditë përpara mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij diskuton dhe merr mendimin e Kryesisë së GPPD, mbi draft Programin dhe draft Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, si dhe mbi çështjet e tjera që do të diskutohen në Konferencën e Kryetarëve.
  2. Pas miratimit të Programit të Punës dhe Kalendarit të Punimeve, Kryetari apo Nënkryetari i komisionit të Përhershëm Parlamentar që i përket Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, zhvillon një mbledhje paraprake pune me anëtarët e Komisionit të tij. Në këtë takim, Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit, organizon punën dhe propozon një deputet përgjegjës për secilin projektligj që është caktuar për shqyrtim në atë Komision.
  3. Deputeti i caktuar si përgjegjës, duhet të përgatisë një material me shkrim mbi problematikat e projektligjet, cështjet që preken prej tij dhe që duhet të trajtohen në Komision, qëndrimin që mendon se duhet të mbahet mbi projektligjin, si dhe propozime konkrete për ndryshime në përmbajtjen e Afati i paraqitjes së mendimit me shkrim, përcaktohet nga Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit në bashkëpunim me deputetin përgjegjës për projektligjin, me qëllim që të sigurohet që qëndrimi do të jetë konkluduar përpara se projektligji të shqyrtohet në Komisionet e Përhershme Parlamentare.
  4. Jo më vonë se 7 ditë përpara shqyrtimit të projektligjit në Komisionet e Përheshme Parlamentare, Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit konsulton deputetët e Partisë Demokratike në komision, për të vlerësuar përfundimisht qëndrimin që do të mbahet lidhur me projektligjin. Në këtë mbledhje vendoset edhe qëndrimi që do të mbajë secili deputet, duke siguruar pjesëmarrjen aktive në diskutime të të gjithë deputetëve të GPPD në Komision.
  5. Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit, jo më vonë se dita e premte, e javës paraadhëse të shqyrtimit të projektligjit në Komisionet e Përhershme Parlamentare, informon me shkrim Kryesinë e Grupit Parlamentar, mbi:
    1. çështjet kryesore që trajton projektligji dhe problematikat që paraqet ai;
    2. qëndrimin që propozohet të mbajë Grupi Parlamentar në lidhje me projektligjin;
    3. çështjet politike që mund të diskutohen në kuadër të shqyrtimit të projektligjit në Komisione dhe në seancë plenare;
    4. propozime konkrete për ndryshime (amendamente) të projektligjit;
    5. listën e deputetëve që do të diskutojnë për atë projektligj në seancë plenare dhe mesazhet kryesore politike që do të duhet të evidentohen në kuadër të këtyre diskutimeve.
  6. Zhvillimi i mbledhjeve dhe koordinimi i punës së Komisioneve të Përhershme Parlamentare, organizohet nën mbikëqyrjen e Kryetarit të Grupit ose personi i autorizuar prej tij.
  7. Informacioni i paraqitur nga Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit për secilin projektligj, shqyrtohet në mbledhjen e çdo jave të Kryesisë së Grupit Parlamentar, ku konkludohet edhe qëndrimi përfundimtar që do të mbahet mbi projektligjin, si dhe cështjet apo aksionet politike që do të ndërmerren në kuadër të diskutimit mbi të.
  8. Propozimi i Kryesisë së Grupit Parlamentar mbi qëndrimin që do të mbahet për projektligjin, si dhe cështjet politike që do të trajtohen në kuadër të shqyrtimit të tij, miratohet nga mbledhja e Grupit Parlamentar. Si rregull, mbledhja e Grupit Parlamentar zhvillohet të hënën e çdo jave.

Neni 9

Veprimtaria e deputetëve

 

  1. Veprimtaria e deputetëve të GPPD duhet të synojë realizimin e politikave të Partisë Demokratike. Çdo deputet ka të drejtë të ndërmarrë iniciativa personale në dobi të interesave të qytetarëve, në përputhje me linjën zyrtare të Partisë Demokratike. Për çdo iniciativë personale, deputeti njofton paraprakisht Kryetarin apo Nënkryetarin e Komisionit që përfaqëson GPPD dhe koordinon veprimtarinë e tij me atë të Grupi Parlamentar.
  2. Deputeti i GPPD nuk mund të kryejë veprimtari apo të ndërmarrë iniciativa në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike për një cështje konkrete.
  3. Çdo deputet i GPPD ka të drejtë të shprehë në mbledhjen e Grupit mendimin e tij dhe të ushtrojë të drejtën e votës për cështjen në shqyrtim. Ai ka detyrimin dhe përgjegjësinë të respektojë vendimet e marra në mbledhjen e GPPD, pavarësisht nga fakti nëse ka marrë pjesë ose jo në mbledhje, ose nëse ka votuar pro ose kundër tyre në mbledhje.

Neni 10

Pjesëmarrja dhe qëndrimi i deputetëve në Komisionet e Përhershme Parlamentare

 

  1. Deputetet duhet të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare ku janë anëtarë.
  2. Në rastet kur për arsye objektive deputetët nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit, duhet të njoftojnë në kohë dhe paraprakisht Kryetarin apo Nënkryetarin e Komisionit që është përfaqësues i GPPD. Kur është e mundur, Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit që është përfaqësues i GPPD, njofton anëtarët zëvendësues që të marrin pjesë në mbledhjen përkatëse të Komisionit.
  3. Deputetët mbajnë dhe mbrojnë në mënyrë të argumentuar dhe aktive qëndrimin e GPPD mbi cështjet që diskutohen në Komisione.
  4. Veprimtaria e deputetëve në komisionet Parlamentare, organizohet dhe drejtohet nga Kryetari apo Nënkryetari i komisionit që i përket GPPD.

Neni 11

Pjesëmarrja dhe qëndrimi i deputetëve në seancë plenare

 

  1. Pjesëmarrja në seancat plenare është detyrim parësor për çdo deputet.
  2. Kur për arsye objektive deputetet nuk mund të marrin pjesë në seancë, njoftojnë në kohë dhe paraprakisht Kryetarin e GPPD ose personin e autorizuar prej tij. Për raste të aktiviteteve të tjera, parlamentare apo jashtëparlamentare, përfshi dhe udhëtimet jashtë vendit, që passjellin mungesë në seancë plenare, deputetet duhet të marrë miratimin e Kryetarit të Grupit Parlamentar ose të personit të autorizuar prej tij.
  3. Deputetët duhet të jenë të pranishëm në sallën e seancës plenare gjatë gjithë kohës së zhvillimit të saj, me përjashtim të intervaleve të shkurtra kohore dhe në çdo rast kur nuk cënohet veprimtaria parlamentare e GPPD. Ata duhet të jenë aktivë gjatë gjithë diskutimeve në seancë plenare, duke mbrojtur dhe mbështetur qëndrimin e GPPD mbi cështjen objekt diskutimi.
  4. Pjesëmarrja e deputetëve gjatë procesit të votimit në kuvend është e detyrueshme. Në asnjë rast, deputetët nuk mund të mungojnë në procesin e votimit, përvec rasteve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Votimi i secilës cështje objekt miratimi, bëhet sipas qëndrimit të konfirmuar më parë nga mbledhja e GPPD.
  5. Veprimtaria e deputetëve në seancë plenare, organizohet dhe drejtohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij. Në çdo rast, deputetët ndjekin udhëzimet e Kryetarit të Grupit ose personi i autorizuar prej tij mbi veprimet dhe aksionet në sallën e seancës plenare.

Neni 12

Ndërmarrja e iniciativave ligjore

 

  1. Deputetët e Grupit Parlamentar i propozojnë Grupit Parlamentar ndërmarrjen e iniciativave ligjore, për propozimin e projektligjeve në fusha të ndryshme.
  2. Deputetët që kanë përgatitur projektligje në mënyrë indivuale, përpara depozitimit të tyre në Kuvend, informojnë Kryetarin e Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij dhe konsultohen me të nëse iniciativa ligjore përputhet me aksionin politik të Grupit Parlamentar dhe nëse zgjidhjet e ofruara janë në përputhje me qëndrimet e GPPD mbi atë cështje.
  3. Projektligji i përgatitur nga deputeti i nënshtrohet paraprakisht diskutimit në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe më pas mund të depozitohet në Kuvend. Në raste urgjente, diskutimi bëhet vetëm në kryesinë e Grupit Parlamentar, ku deputeti propozues prezanton nevojën e paraqitjes së këtij projektligji dhe përputhshmërinë e tij me aksionin politik të Partisë Demokratike.

Neni 13

Kryerja e veprimeve në kuadër të kontrollit parlamentar

 

  1. Deputetët në mënyrë aktive mbikëqyrin aktivitetin dhe veprimtarinë e organeve qeverisëse në nivel qendror dhe lokal. Për çdo problematikë të evidentuar informohet Kryetari i Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij, duke propozuar edhe ndërmarrjen e aksioneve apo veprimeve të ndryshme nga ana e GPPD.


Nëse problematika e konstatuar kërkon aplikimin e mekanizmave të kontrollit parlamentar të parashikuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, deputeti i propozon Kryetarit të Grupit ose personit të autorizuar prej tij që kjo cështje të trajtohet në mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar dhe/ose në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Pas marrjes së konfirmimit se cështja paraqet interes për aksionin politik të Grupit Parlamentar, deputeti vijon me ushtrimin e mekanizmave të kontrollit parlamentar.

  1. Pa cënuar statusin dhe të drejtat kushtetuese, paraqitja nga deputeti i kërkesave për informacion, mocioneve, pyetjeve, kërkesave për interpelanca, thirrjes në seancë dëgjimore, apo çdo forme tjetër kontrolli, shoqërohet me njoftimin e Kryetarit të Grupit Parlamentar ose personit të autorizuar prej tij.
  2. Ndarja e punës për mbikëqyrjen e aktivitetit dhe veprimtarisë së pushtetit ekzekutiv, sipas sektorëve që mbulon secili Komision, bëhet nga Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit që i përket Partisë Demokratike, për secilin deputet anëtar të Komisionit. Deputeti përgjegjës informon në mënyrë të përmuajshme Kryetarin apo Nënkryetarin e Komisionit për rezultatet e mbikëqyrjes dhe nevojën për përdorimin e mekanizmave të kontrollit parlamentar. Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit i përcjell qëndrimet, rezultatet apo propozimet për diskutim në Kryesinë e Grupit Parlamentar.

Neni 14

Qëndrimet publike të deputetëve

 

  1. Pa cënuar lirinë e mendimit, qëndrimet publike të deputetëve duhet të jenë në mbështetje të qëndrimeve zyrtare të Partisë Demokratike dhe veprimeve të GPPD.


Informimi i publikut mbi aksionet apo veprimet e Grupit Parlamentar nga ana e deputetëve dhe dalja e tyre në media për të përcjellë qëndrimet e Grupit, bëhet në koordinim me Zëdhënësin e Grupit dhe Zyrën e Shtypit në Partinë Demokratike.

  1. Zëdhënësi i Grupit informon publikun mbi veprimet dhe qëndrimet e Grupit Parlamentar në seancë plenare, pas miratimit të qëndrimit nga GPPD. Për qëndrimet në komisionet Parlamentare, Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit që i përket GPPD, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, informon Zëdhënësin e Grupit dhe Zyrën e Shtypit, mbi qëndrimet e mbajtuara në mbledhjet e komisionit dhe që ka interes që t’i bëhen të ditura publikut.

Neni 15

Përgjegjësia dhe vlerësimi i performances

 

  1. Mospërmbushja e përgjegjësive dhe detyrimeve sipas kësaj rregulloreje, kur ka sjell dëmtimin e interesave të qytetarëve shqiptar, apo ka penguar zbatimin e politikave të Partisë Demokratike, passjell përgjegjësi disiplinore, sipas rregullave të parashikuara në Statutin e PDSH-së dhe në këtë Rregullore. Masat disiplinore që merren ndaj deputetit janë vërejtje me shkrim, pezullim ose përjashtim nga Grupi Parlamentar.
  2. Deputetët i nënshtrohen çdo 6 muaj vlerësimit periodik të performancës për veprimtarinë parlamentare dhe përfaqësimit të interesit të qytetarëve, sipas rregullave të përcaktuara nga Kryesia e Partisë.

Neni 16

Stafi ndihmës i Grupit Parlamentar

 

  1. Grupi Parlamentar gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij ndihmohet nga një staf teknik i përbërë nga Këshilltarët dhe Sekretari Administrativ i Grupit. Këshilltarët dhe Sekretari Administrativ varen nga Kryetari i Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij dhe përgjigjen për punën e tyre përpara tij dhe Kryetarit të Partisë.
  2. Ndarja e punëve për stafin teknik ndihmës bëhet nga Kryetari i Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij. Çdo deputet i GPPD mund të ngarkojë me realizimin e një detyre stafin teknik ndihmës, vetëm nëpërmjet Kryetarit të Grupit ose persont të autorizuar dhe me miratimin paraprak të tij.Stafi teknik ndihmës mbështet Grupin Parlamentar me analizat teknike të cështjeve që shqyrtohen në Kuvend. Stafi teknik ndihmës përpunon të dhënat dhe faktet që trajtohen nga GPPD, përgatisin opinione mbi projektligje të vecanta që përfshihen në Programin e Punës së Kuvendit, sipas cështjeve që mbulojnë dhe sipas ndarjes paraprake të bërë nga Kryetari i Grupit Parlamentar ose personi i autorizuar prej tij, si dhe këshillojnë GPPD për ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme brenda dhe jashtë Kuvendit.
  3. Sekretari administrativ i GPPD menjëherë pas miratimit të kalendarit të Punimeve të Kuvendit, i dërgon në rrugë elektronike të gjithë deputetëve, projektaktet që do të shqyrtohen nga Kuvendi.

KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT

NENI 17
H
yrja në fuqi

  • Kjo Rregullore hyn në fuqi menjëherë me miratimin e saj nga ana e Kryesisë së Partisë Demokratike.
  • Kjo Rregullore depozitohet në Kuvendin e Republikës së Shqipërsë në zbatim të Nenit 16 pika 4 e “RREGULLORE E PARLAMENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”.
  • Rregullore Nr.1 datë 05.09.2017 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE DHE VEPRIMTARINË E DEPUTETËVE TË TIJ” shfuqizohet.

Miratuar me vendimin numër 24,datë 03/09/2023 të Kryesisë së Partisë Demokratike