Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë dhe mbajti sot fjalën e tij në Asamblenë Parlamentare të KiE, ku që në krye të herës dënoi ashpër sulmin terrorist në Izrael.

Sipas Bashës, Shqipëria dënon ashpër sulmet terroriste, dhe qëndron pranë popullit dhe shtetit të Izraelit në këtë kohë kritike për kombin e tyre dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Kreu i PDSH mbajti një qëndrim të fortë ndaj sulmit terrorist në Kosovë 24 shtatorin e kaluar.

“Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë ju ka rënë edhe një herë kambanave të alarmit, për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh, me qëllim të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014”, – u shpreh Basha në Asamblenë Parlamentare të KiE.

Sipas kreut demokrat,  24 shtatori nuk mund të ndodhë pa implikimin e autoriteteve shtetërore në Serbi.

“Serbia ka nisur të realizojë idenë e  Botës serbe. 24 shtatori, është përpjekje për të detyruar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe rrëmbimit të territorit. Serbët,  u përdoren si gurë shahu në një lojë të ideuar dhe orkestruar nga Moska”

Basha tha se synimi i Moskes është zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos – minimin e krahut juglindor të NATO-s dhe hapjen e një fronti të ri në zemrën e Aleancës.

Basha apeloi anëtarët e BE-së dhe NATO-s të mos e nënvlerësojnë apo të zvarritin trajtimin e këtij kërcënimi serioz.

“Nevojitet një hetim ndërkombëtar për atë që ndodhi më 24 shtator, sanksione kundër Serbisë. Shtetet anëtare të BE-së nuk mund të veprojnë sikur asgjë  nuk ka ndodhur dhe  të ushqejnë me paratë e taksapaguesve evropianë një makineri shtetërore që punon për destabilizimin e rajonit dhe mbarë Europës”, – tha Basha.

Gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë ftoi

katër vendet e mbetura të NATO-s duhet ta njohin Kosovën, si një kontribut për paqen në Evropë dhe të hapin rrugën për përfshirjen e saj në Partneritetin për Paqe dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO.