Deputetja e Partisë Deokratike, Jorida Tabaku është shprehur se deputetët dhe ministrat socialistë duhet të kishin dhënë dorëheqjen pas bërjes publike të aferës së inceneratorëve. Tabaku u shpreh se është turp që në Parlament nuk diskutohet për inceneratorët.

Replika e plotë e deputetes Tabaku në Kuvend:

Kërkesa e bërë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike është e drejtë për një çështje që Parlamenti e ka debatuar që në vitin 2018. Ky Parlament në vjeshtën e shkuar ngriti dhe një Komision Hetimor për këtë çështje, ku qeveria u bë avokate e tre personave në kërkim ndërkombëtar dhe përpara drejtësisë.
Sot minimumi qeveria duhet të jap llogari! Është turp publik që i keni dal për zot një vepre korruptive dhe personave që kanë vjedhur e zhvatur buxhetin e shtetit! Sot gjysma e grupit parlamentar të Partisë Socialiste përmendet në dosjen e SPAK-ut sepse ka dhënë tendera, ka firmosur konçesione dhe ka pasur lidhje me 3 personat në kërkim.

Sot gjysma e GP të PS duhet të ishte larguar dhe të ulte kokën! Sot gjysma e shtetit shqiptar është vendosur përpara përgjegjësisë për të mbrojtur këta persona, 3 antarë të maxhorancës që kanë bërë aferën e shekullit!

Sot qeveria nuk mund të fshihet pas një akuze që PD ka bërë për 7 vite me rradhë dhe pasi keni shkuar si grup parlamentar tek inceneratori i Elbasanit dhe i keni vendosur ftyrën tuaj korrupsionit. Keni dëshmuar nën betim në Komisionin Hetimor që nuk keni asnjë lidhje me to.
Janë të paktën 6 ministra dhe ish ministra, 1 zv. Kryeministër, 4 kryetar bashkishë ku 3 ndër ta janë akoma në detyrë, të cilët sot duhet të përgjigjen para drejtësië. Është i gjithë Këshilli i Ministrave që kanë ngritur gjithë shtetin në këmbë për t’i dhënë një kontratë korruptive 3 personave që erdhën vetëm prej miqësisë së tyre me ministra.

Sot, minimumi i llogarisë publike, duhet të flitet sot për këtë çështje pasi ish-zv. Kryeministri, ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ish ylli në ngjitje i qeverisë socialiste, ish-gardiani i financave publike ka çelur buxhetin e shtetit për 3 persona në kërkim dhe është bërë mbrojtësi më i mirë i korrupsionit dhe zbatuesi më i mirë i vjedhes buxhetit të shtetit.
Sot, nëse do të kishte përgjegjësi politike, duhet të kishit dhënë dorëheqjen të gjithë me rradhë! Kjo është afera më e madhe që ka pasur ndonjëherë shteti shqiptar! Kjo është afera që duhet të diskutonte ky Parlament sot dhe kushdo që flet e mbron akoma është pjesë e krimit! Është turp që Parlamenti mos të diskutojë sot për këtë!