Kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një takim pasdite me demokratët e degës 10 në Tiranë.
Kreu i PD, foli për situatën politike në vend.

“Zhvillimet e zhurmshme të teatrit politik e kanë bërë edhe më të qartë për ne, se cila është rruga e drejtë për të qenë një model ndryshe, në shërbim të qytetarëve. Për shumë gjatë hallet personale të një grushti politikanësh, kanë marrë përparësi mbi problemet e shumta të shqiptarëve. Kjo duhet të ndryshojë”, – tha kreu demokrat.

Gjatë bisedës, Basha tha se PD po punon për një alternativë të qartë në shërbim të qytetarëve.

“Ne po punojmë çdo ditë për të ndërtuar alternativën tonë, me propozime konkrete për ndryshimet që njerëzit presin, për ta pastruar politikën përmes vetting-ut. Për të hapur garën përmes listave të hapura. Për të fuqizuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e vëllezërve dhe motrave tona përtej kufijëve, përmes garantimit të votës së diasporës.

Këto janë hapa të rëndësishëm, që ne duhet të hedhim në sinergji me shoqërinë, në bashkëpunim me të gjithë ata që kërkojnë një ndryshim të vërtetë, i cili ka pjesë thelbësore zhbërjen e marrëveshjes së vitit 2008. Kështu do të fuqizojmë qytetarët, duke çliruar sistemin politik dhe atë ekonomik, për t’u dhënë atyre mundësinë të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë”, – deklaroi kryetari i PD.