Pjesë nga fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Dibër:

Por ne të gjithë e dimë realitetin, të gjithë i njohim kufizimet e sistemit politik për t’u marrë me një nga problemet më të mprehta të tranzicionit që është trajtimi i institucioneve të vendit, i parlamentit, i bashkive të vendit si një mburojë për ata që kanë probleme me ligjin apo si një baxho personale për ata që duan të shtrydhin favore dhe të krijojnë pasuri në kurriz të taksave të qytetarëve. E kam fjalën për ata që në çdo palë zgjedhje fusin kandidat apo vet garojnë për të blerë vota, jo për të fituar besimin. Kështu që kur të marrin karrigen e pushtetit, t’iu kthejnë kurrizin dhe t’iu thonë: Çfarë doni? Unë ju pagova për atë që më dhatë. Sikundër e kam fjalën për ata që vijnë nga bota e errët e krimit apo janë të lidhur me interesat e botës së errët të krimit dhe pushtetin e shohin si mburojë nga ligji dhe nga drejtësia. Listat e hapura nuk e zgjidhin këtë problem, madje dikush mund të thotë që potencialisht e bëjnë edhe më të rëndë. Ndaj listat e hapura mund dhe funksionojnë vetëm nëse Parlamenti i Shqipërisë voton Vettingun për Politikanët. Projektligj i cili parashikon që institucionet përkatëse të shtetit shqiptar, në mënyrë të detyrueshme sot e kanë fakultative, në mënyrë të detyrueshme të hetojnë pasurinë e çdo politikani dhe familjarëve të tij apo të saj, apo të rrethit të tij apo të saj shoqëror dhe nëse kjo pasuri nuk është e justifikuar, të përfundojnë mandatin e këtij politikani dhe ta nxjerrin jashtë institucioneve që duhet të përfaqësojnë shqiptarët dhe jo interesat vetjake të politikanëve të korruptuar.

E njëjta gjë për ata politikanë që kanë lidhje të papërshtatshme siç e kemi mësuar nga kronikat e lajmeve që është arsyeja për largimin e kaq shumë magjistratëve shqiptar të cilët ishin aty për të mbrojtur qytetarët nga shkeljet e ligjit, por në fakt mbronin inetersat e atyre që shkelnin ligjin në kurriz të qytetarëve shqiptarë, e kam fjalën pra për politikanët me lidhje me krimin e organiyuar. Vettingu i politikanëve është parakusht për mirëfunksionimin e listave të hapura. Propozimi ynë i tretë në fakt ka të bëjë me zbatimin e një vendimi tashmë edhe të gjykatës Kushtetuese, i cili brenda datës 18 dhjetor duhet të kthehet në ligj në Parlamentin shqiptar. Ndaj përfaqësuesve tanë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, i bashkëdrejtuar nga zoti Alibeaj, së shpejti do të shpalosim propozimet për votimin e emigrantëve. I rikthehem asaj që thamë pak më parë, që edhe në këto muaj qindra janë larguar nga Dibra, mijëra në këto dhjetëra vite. Mijëra dibranë që vazhdojnë të jenë këtu me shpirt, me mendje dhe me kuletë, pa të cilët ekonomia shumë e dobët e Dibrës do të sihte edhe më katastrofë.

Njerëz të cilët praktikisht djersën e tyre, sakrificën e tyre, mundin e tyre kudo punojnë e jetojnë, e kanë vënë në funksion të krijimit të një ekonomie të dytë shqiptarësh, jo brenda por jashtë territorit të Shqipërisë. Dhe këtë ekonomi nuk e përdorin për qejfin e tyre, për luksin e tyre, por e bashkëndajnë me prindërit e tyre, me fëmijët e tyre, me të afërmit e tyre në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë. Një Shqipëri e dytë njerëzish punëtor, të cilëve u është mohuar mundësia për të punuar në Shqipëri, për të krijuar dhe punuar këtu për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre, por që e bëjnë këtë jashtë vendit të tyre dhe pastaj kontribuojnë me pothuajse gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto në Shqipëri. Me ndihma për familjarët, me investime në shtëpitë e tyre nëpër fshatra, me blerje apartamentesh nëpër qytete, me mbështetjen financiare të sipërmarrjeve të kushërinjve të tyre, me subvencionime të kushërinjve apo të afërmve të tjerë të cilët kanë rroga të pamjaftueshme për shkak të nivelit të ulët ekonomik qoftë në sektorin privat apo në sektorin publik.

Njerëz pra si ne, vëllezërit tanë, motart tona, jetojnë jashtë, mendjen e kanë këtu, shpirtin e kanë këtu, paratë që fitojnë atje i harxhojnë këtu. Por nuk përfaqësohen me votë, ndonëse kodi zgjedhor e ka që ata duhet të votojnë, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ata duhet të votojnë. Nuk përfaqsohen me votë, sepse iu prishen skemat atyre që proceset zgjedhore i shohin si mundsi, si oportunitete për të kapur apo për të mbajtur pushtetin për inetersa personale.

Partia Demokratike, unë personalisht jemi në një kontakt të vazhdueshëm me shoqatat dhe përfaqësuesit e emigrantëve shqiptarë anëembanë botës, nga Italia në Greqi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Zvicër e kudo. Dhe njëzëri ata kërkojnë vetëm një gjë, t’iu njihet e drejta për përfaqësim, t’iu njihet e drejta për të kontribuar edhe vendimmarrjet politike të vendit, përmes të drejtës së votës, përmes të drejtës për të votuar dhe për të pasur mundësinë për të zgjedhur dhe ata deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një angazhim i marrë solemnisht nga të gjitha partitë politike, por i pazbatuar asnjëherë. Vëmendja jonë, energjia jonë, përkushtimi ynë është që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare emigrantët të kenë mundësi si çdo shqiptar të votojnë aty ku jetojnë, pavarësisht prej aksesit apo jo në dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar, duke përdorur përvojat më të mira të votimit emigrantëve në Europë dhe botë.