Kryetari i PD, Lulzim Basha,  në vijim të takimeve bisedoi sot me fermerët e zonës së Zall Herrit në Tiranë, ku dëgjoi prej tyre problematikat me të cilat ata përballen çdo ditë. Mungesa e mbështetjes nga fondet e bujqësisë, mungesa e tregut dhe rënia e fuqisë blerëse, janë shqetësimet bazë të fermerëve për të cila kreu demokrat tha se marrin zgjidhje kur ti jepet fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta.

“Kënaqësi të bashkëbisedoja me banorë të Zall Herrit në Tiranë. Ata përballen  sot me vështirësi të shumta që nga mungesa  e mbështetjes për bujqësinë, mungesa e tregut dhe vendeve të punës, rënia e fuqisë blerëse etj.

Edhe fondet që akordonte BE për bujqësinë u pezulluan sepse babëzia e kësaj qeverie, nuk ndalet para abuzimit edhe me lekët që jep Europa.

Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realiteti sot në Shqipëri.

Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta, është fillimi i fundit të tranzicionit dhe ndryshimi i vërtetë që shqiptarët presin”, – shkruan Basha në postimin e tij.