Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas padisë në SPAK të bërë nga anëtarët e PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës,  për projektin për ndërtimin e kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit.

Në një postim në Facebook, Basha shprehet se për PD lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme dhe se do të përballet me cilindo që ka shkelur besimin e qytetarëve për t’i hapur rrugë interesave korruptive dhe klienteliste.

Kryedeokrati gjithashtu thotë se kallëzimi i sotëm në SPAK i malit të korrupsionit në qendër të Tiranës, është provë e besimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit më të rëndësishëm të akuzës.

Postimi i plotë:

Për Partinë Demokratike lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme. Ne jemi të vendosur të përballemi me cilindo që ka shkelur besimin e qytetarëve për t’i hapur rrugë interesave korruptive dhe klienteliste, të cilat janë një kërcënim për mirëqenien e shqiptarëve.

Kallëzimi i sotëm në SPAK i malit të korrupsionit në qendër të Tiranës, është provë e besimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit më të rëndësishëm të akuzës. Mbështetja pa kushte ndaj drejtësisë është dëshmi e vullnetit tonë politik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të inkurajuar transparencën mbi lidhjet e dukshme dhe të padukshme mes korrupsionit politik, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar.

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin!