Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar takimet në kuadër të riorganizimit të kësaj force politike. Basha ka zhvilluar takim me drejtues politik të qarkut të Fierit dhe shprehet se në 2 Shtator Kuvendin Kombëtar për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen.

Në postimin e tij në Facebook, Basha gjithashtu shkruan se listat e hapura, vettingu në politikë, kufizimi i mandateve, vota e diasporës dhe zgjedhja e Presidentit nga populli, janë vendimet që do të sjellin ndryshimin e vërtetë.

Postimi i plotë:

Në 2 Shtator Partia Demokratike mbledh Kuvendin Kombëtar për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen, forcimin dhe modernizimin e saj.

Me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të Qarkut Fier, nisëm përgatitjen për hapat e rradhës që do ta kthejnë forcën tonë politike në zërin e qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin dhe një alternativë më të mirë që të sfidojë qeverinë e korruptar të Edi Ramës.

Partia Demokratike mundet dhe do ta bëjë këtë, duke u bashkuar përmes vlerave dhe ideve, në Aleancën Qytetare për Demokracinë, nëpërmjet së cilës mund të formojmë një shumicë që tejkalon ndarjet politike, për të bërë ndryshimet kushtetuese që u japin forcë dhe pushtet qytetarëve.

Listat e hapura;

Vetting-u në politikë;

Kufizimi i mandateve;

Vota e diasporës;

Zgjedhja e Presidentit nga populli.

Përmes këtyre propozimeve, të mbështetura gjerësisht nga qytetarët, ne mund ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin politik, duke bërë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të mos ketë thjesht rotacion, por një ndryshim të vërtetë, ashtu siç shqiptarët presin e meritojnë.