Pjesë nga fjala e kreut të PD, Lulzim Basha, në takimin me këshilltarët bashkiak të PD:

 

Banka Botërore e ka konstatuar publikisht dështimin total të Reformës Territoriale. Jo thjesht agjendën politike të kthimit të territorit dhe të menaxhimit të territorit në një shtojcë të manipulimeve elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme, por dështimin total me decentralizimin i cili në vend që të çonte më shumë kompetenca dhe pushtet tek bashkitë në funksion të qytetarëve, i ka bërë ato më jo transparente, më të bunkerizuara. Dhe siç e kemi parë në rastin e Bashkisë së Tiranës, dhe nuk është i vetmi rast, është më flagranti, i ka kthyer në grupe të strukturuara kriminale. Qytetarët e dinë dhe ne duhet ta themi me zë të lartë. Një grup i strukturuar si ai i bashkisë së Tiranës, rriti taksat dhe këto taksa i kanalizoi në xhepat e një grushti njerëzish që janë drejtorët e kryetarit të bashkisë. Me një filozofi të pastër vetshërbimi. Taksat i marrim nga qytetarët dhe në vend që t’i kthejmë tek qytetarët, i bëjmë pasuri tonat, i bëjnë hotele, i zhvasin dhe i depozitojnë në llogari bankare. Pra, një skemë e pastër mafioze.

 

Denoncimi i korrupsionit, i skemës së pastër korruptive të Erion Veliajt dhe drejtorëve të tij, i rritjes së taksave, me qëllim që këto taksa t’i vidhnin, është qarku më i shkurtër i korupsionit në historinë e 124 viteve të fundit. Nuk mjafton vetëm denoncimi, nuk mjafton mbështetja e ndjekjes penale. Qytetarët ndodhen në një kurth jashtëzakonisht të rrezikshëm. Nga njëra anë ka një pushtet qëndror të korruptuar deri në palcë dhe të inkriminuar, pasqyrë e të cilit është dhe pushteti vendor dhe nga ana tjetër përballen me një krizë të opozitës e cila ushqen pretencën e dëshpëruar që gjendja kështu është dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Automatikisht në këtë kurth mendor pranohet e keqja, edhe më e keqja si diçka e natyrshme. Kjo është fatale, jo të teori, por në praktik se kjo e zbraz vendin. Mungesa e shpresës për ndryshim, pranimi i të keqes si gjendje normaliteti, është fatale për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Çfarë mund të bëjmë? Asgjë nuk mund të bëjmë brenda 24 orësh për ta ndryshuar 100%. Por brenda 24 orësh mund ta hedhim hapin e parë për ta filluar ndryshimin.

Hapi i parë është që me zë të lartë dhe me kurajo të denoncojmë gjithçka që ndodh në bashkitë e vendit në kundërshti me ligjin. Gjithçka që lidhet me korrupsionin masiv me taksat e shqiptarëve, me zaptimin e pronave publike dhe private, me bashkëpunimin e ngusht me krimin e organizuar, me abuzimin me trojet, me tokat, me pyjet, me kullotat dhe natyrisht me mungesën totale të shërbimeve dhe investimeve në infrastrukturë.

 

 

Ne si PD përpara kemi dy etapa. E para programi ynë politik që ka lidhje edhe me zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe brenda tij koncepti ynë për qeverisjen vendore. Dhe së dyti, nisja sot si rregull 3 vite para zgjedhjeve të ardhshme lokale e programit tonë specifik për pushtetin vendor. Gjithçka, nga propozimet tona të natyrës elektorale në raport me pushtetin vendor e te konfigurimi nga kryetar bashkie, këshill bashkiak dhe kompetencat e tyre dhe deri tek propozimet konkrete të përshtatura sipas veçorive të çdo bashkie thellësisht urbane, rurale, kanë të bëjnë me fatin e  njerëzve, kanë të bëjnë me të sotmen dhe të nesërmen. Së pari me ndaljen e hemoragjisë dhe ndalimin e largimit masiv që sigurisht prek mbi të gjitha bashkitë periferike dhe në periferi të bashkive, të shkatërrimit të aktivitetit ekonomik duke nisur me bashkitë rurale aktivitetin rural, bujqësor, të infrastrukturës, të asaj që ceka më herët që në Shqipëri po ndërtohet më shumë se asnjëherë tjetër duke shkatërruar në mënyrë kriminale edhe parqet urbane dhe bukuritë natyrore në bregdet. Por ndërkoh me çdo muaj dhe çdo vit që kalon, si rezultat i infiltrimit në skemën kombëtare të ndërtimit të parave të krimit të organizuar shqiptar dhe të zyrtarëve të korruptuar shqiptarë, çmimet bëhen gjithmonë e më ta papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, në veçanti për çiftet e reja. Kemi hyrë në një proces vicioz vetshkatërrimi, fryt dhe dhuratë e qeverisë më të korruptuar dhe kryebashkiakëve më të korruptuar dhe të inkriminuar në 34 vite.