DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, DEPUTETJA DHE ANËTARJA E KRYESISË, MERITA BAKIU

Vlerësimi i PISAS është një provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie me arsimin e shqiptarëve. Janë dëshmi e qartë për nivelin ku e ka çuar keqqeverisja arsimin duke e çuar në nivelet më të ulëta historike. Rezultatet e PISAS janë një këmbanë e fortë alarami për shoqërinë shqiptare dhe një shuplakë e rëndë për ministrinë e arsimit që sot duhet të mbajë përgjegjësi për këtë mjerim të arsimit dhe të japë llogari për gjendjen ku ka përfunduar edukimi i fëmijëve tanë. . Sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe si rrjedhojë edhe me cilësi jo të kënaqshme. Rezultatet e PISA treguan se cilësia arsimit po bie nga viti ne vit. Në testimet e PISA-ës vlerësohen aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në tri fusha- sipas të cilave kemi rezultate me te ulëta krahasuar me 3 vite më parë. PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është shpjeguar, por gjithashtu vlerëson nëse nxënësit mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Duke e krahasuar me tri vite me parë :

1- Në aftësinë për lexim kemi rënie me 47 pikë.
2- Në matematikë kemi rënie me 69 pikë
3- Në aftësinë e nxënëseve në shkencë kemi rënie me 50 pikë. Pra PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore.
Ajo që është shqetësuese, është se kjo rënie ka qenë e vazhdueshme që prej vitit 2015, kjo si, pasojë e kurrikules anglo-saksone zbatuar në 2014 nga qeveria socialiste.
Partia Demokratike apelon qeverinë shqiptare që të marrë masa urgjente dhe të analizojë këtë rezultat të rëndë duke filluar me buxhetin e shtetit që ka ende kohë të rishikohet pjesa e arsimit.
Rritja e financimit të këtij sektori është jetik, ndaj ne si Parti Demokratike, personalisht unë si deputet e Kuvendit të Shqipërisë, kemi depozituar një amendament për rritjen e financimit të arsimit më buxhetin 2024. Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale ndaj dhe kemi një rënditje kaq të ulët në rezultatet e PISA.
Pikërisht me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet, rritjen e investimeve në infrastrukturë , rritjen e konsiderueshme të pagave të stafeve akademike, propozojmë rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Koha është tani.
Mazhoranca duhet të miratojë këtë amendament në mënyrë që arsimi shqiptar të dalë nga bataku ku ka rënë dhe të shpëtojmë fëmijët tanë nga këto nivele katastrofike të përgatitjes, për të cilën qeveria duhet të mbajë përgjegjësi para shqiptarëve.
Fëmijët tanë nuk kanë pse të vuajnë paaftësinë dhe dështimin e qeverisë me arsimin.