Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Andia Ulliri, shprehet se rinia, rrahja e zemrës së çdo kombi, janë arkitektët e fatit të shoqërisë tonë.
Në një postim në facebook, deputetja demokrate ka shpërndarë foto nga aktiviteti i PD në Hotel Tirana, ku shkruan se në kohë të trazuara e të vështira, të rinjtë kanë gjetur shpresën për të përmbysur sistemin më të ashpër diktatorial e na takon të jemi sërish sot shpresa për Shqipërinë Europiane.

Postimi i plotë:

Dita e Rinisë
Sot, u mblodhëm për të festuar Ditën e Rinisë, në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare, iniciatorë e protagonistë të një momenti që i bën jehonë frymës së ndryshimit, e në fakt të një date që përcakton një rrjedhojë të rëndësishme të historisë së kombit tonë, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Rinia, rrahja e zemrës së çdo kombi, janë arkitektët e fatit të shoqërisë tonë. Ata kanë dëshmuar vazhdimisht përkushtimin e tyre për të formuar një të nesërme më të mirë. Jehona e zërave të tyre në dhjetorin e 90-ës kumbonte nëpër rrugë, duke thyer prangat e së kaluarës dhe duke hapur rrugën për një shoqëri të lirë, demokratike, më gjithëpërfshirëse dhe dinamike.
Në kohë të trazuara e të vështira, të rinjtë kanë gjetur shpresën për të përmbysur sistemin më të ashpër diktatorial e na takon të jemi sërish sot shpresa për Shqipërinë Europiane.
Kjo është sfida jonë, kjo është sfida e të djathës dhe Partisë Demokratike, të kthejmë vëmendjen tek rinia, të kthejmë vëmendjen tek qytetarët dhe familjet, të punojmë dhe të motivojmë sot, që Shqipëria të mos jetë bosh nesër.
Kjo duhet të jetë rruga e PD, të kthejë shpresën tek të rinjtë, të kthejë shpresën tek shqiptarët.
Falenderoj të gjithë të rinjtë, anëtarët e Kryesisë dhe mediat që u bëtë pjesë e takimit dhe diskutimeve.