Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga Flutura Açka dhe Preç Zogaj, vizitoi Panairin e Librit. Ndërsa  u ndal një e nga një në stendat e librit, zoti Basha vleresoi interesin e  madh që po shfaqin të rinjtë për librin.

“Më bëhet zemra mal kur shikoj lexues të rinj e të reja. Për këtë dua t’i shpreh një falënderim në veçanti prindërve dhe arsimtarëve, të cilët përmes pranisë së nxënëve në panairin e librit, po bëjnë një investim shumë të rëndësishëm për gdhendjen dhe sofistikimin e shijes së lexuesve shqiptarë”,-tha Basha.

Zoti Basha e konsideroi shumë të rëndësishëm investimin për letërsinë, kulturën dhe artin.

“E rëndësishme është vëmendja ndaj autorëve shqiptarë, sepse nëse ka një tipar dallues që po bashkon shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të veriut, në Malin e Zi, në Greqi e diasporë, është gjuha shqipe, ruajtja dhe promovimi i së cilës është një nga misionet më të shenjta”,-tha kryetari i PD.

“Në programin e PD, që po përgatitet në bashkpunim me ekspert kombëtarë dhe ndërkombëtarë, një vemendje e veçantë i kushtohet letërsisë, artit dhe kulturës”, – theksoj zoti Basha duke sjelle ne vemendje, qe mbeshtetja për librin në Shqipëri nuk është as gjysma e mvështetjes që jep Kosova.