Dita e sotme ka qenë një ditë jashtëzaknisht produktive, në optikën time, kemi nisur me një takim motivues, frymëzues do të thoja me rininë e qytetit të Fierit. Me rininë e cila lëkundet mes dilemave dhe shpresave, mes halleve dhe problemeve të shtuara nga një keqqeverisje që ka harruar se çështe llogaridhënia dhe mes shpresës dhe dëshirës që burojnë si nga koha e artë e jetës, rinia ashtu edhe nga detyrimet që ata ndjejnë karshi vëllezërve dhe motrave të tyre më të rinj, karshi prindërve të tyre, gjyshërve, të moshuarve dhe karshi vendit të tyre. Në të gjitha diskutimet me rininë varet si një hije e rëndë tema e emigracionit, largimi i rinisë. Largimi që është fakt dhe që gjymton ditë pas dite familjet shqiptare , komunitete të tëra, qytetet dhe fshatrat tona dhe largimi shpeshherë si opsion, nganjëherë si opsion i vetëm i cili varet si një kërcënim i përditshëm, i përjavshëm mbi ta dhe mbi prindërit e tyre.

Ky takim u pasua edhe nga takime të tjera, me sipërmarrjen e Fierit, me qytetarë të Fierit, këtu në qendër të qytetit në pedonale. Me njerëz me kontribute  të jashtëzakonshme publike në shërbim të njerëzve, në shërbim të qytetarëve, modele mirëqeverisjeje, etalon të ndershmërisë dhe të integritetit dhe me fermerë të kësaj zone, nga Frakulli në Cakran.

Ajo që i bashkon këto takime, përshtypjet e mia dhe jam i bindur të bashkëpunëtorëve të mi nga këto takime, është nga njëra anë bindja e njerëzve, jo vetëm e demokratëve, jo vetëm e votuesve tanë, por edhe qytetarëve të tjerë, edhe atyre që ndoshta edhe para dy vitesh votuan këta që sot janë në pushtet, se ka ardhur koha për ndryshim. Këtu natyrisht nuk dua të zgjatem, sepse ky do të kërkonte një takim tjetër, një tjetër hapësirë nga kjo që kemi vendosur në dispozicion tuajin dhe përmes medias për qytetarët e Shqipërisë. Prandaj një pjesë të mirë të diskutimit sot e ka marrë dhe procesi i ndryshimit, garancia që vullneti, dëshira e njerëzve të arrijë të shprehet e të numërohet dhe të sjellë ndryshimin që ata kërkojnë. Sepse prej kohësh në Shqipëri është krijuar një hendek midis asaj që njerëzit duan, dëshirojnë, shpresojnë, votojnë dhe asaj që del në fund të proceseve të votimit. Padiskutim, askush nuk është më përgjegjës se politika, por pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe procesi zgjedhor. Është mënyra se si shqiptarëve u garantohet liria e votës, transparenca e procesit, numërimi korrekt i votës, përkthimi i vullneteve të tyre në qeverisje qëndrore dhe lokale të cilat janë me të vërtetë burim i besimit të tyre.

Prej kohësh nuk është kështu, të jemi tamam të saktë. Prej 15 vitesh nuk është kështu, sepse në vitin 2008, dy partitë kryesore në vend ndryshuan kushtetutën dhe një nga nënproduktet e këtij ndryshimi kushtetues ishte që qytetarët nuk zgjedhin më drejtpërsëdrejti atë zonjë apo zotëri, të re apo të ri që dëshiron t’i përfaqësojë në Kuvendin e Shqipërisë, por zgjedhin nga meny të mbyllura apo të kufizuara listash të paraqitura nga partitë e të firmosura nga kryetarët e partive. Dua ta nis pikërisht pra me problemin e listave të mbyllura. Me menynë e kufizuar që detyrohet të hajë votuesi shqiptar në çdo palë zgjedhjesh. Ky produkt i cili gjoja u korrigjua, ede sot e kësaj dite vijon të ndjek hap pas hapi defektet e demokracisë shqiptare.

Dhe në fakt listat e mbyllura janë kthyer në kryedefekt, sepse shqiptarët nuk kanë sot mundësinë të votojnë dhe të çojnë në parlament ata, personin që votojnë. Sepse edhe kur ky person, si parafolësi këtu (Agron Kapllanaj), arrin të marrë 9500 vota, dikush tjetër pavarësisht se merr 1 mijë vota shkon në parlament sepse ndodhet i renditur më lartë listë. Po flasim pra për problemin e listave të hapura. Listat e hapura nuk janë thjesht zotim i yni, nuk janë thjesht një qëndrim politikë, janë shprehje e atyre që marrim nga takimet e përditshme me njerëzit. Është kthimi i normalitetit në këtë hallkë të zinxhirit zgjedhor. Natyrisht e di që kundër listave të hapura ka shumë faktorë. Disa prej tyre janë pjesë e Partisë Demokratike. Ka nga ata që e shohin veten e tyre më kollaj në një listë të renditur nga kryetari i partisë, sesa të futur në një proces ku duhet të trokasin derë më derë për të kërkuar besimin e qytetarëve dhe pasi ta marrin këtë besim e të shkojnë në parlament, të kthehen prap jo një herë në muaj, apo një herë në dy muaj apo një herë në gjashtë muaj, por javë pas jave për t’u matur me prmtimet e tyre kur morën votën, për të qenë pranë njerëzve, për të dëgjuar problemet e tyre, dëshirat e tyre dhe për t’i përkthyer ato në logjislacion, në ligje të reja, për të marrë përgjegjësi. Përgjegjësinë që ka parlamenti dhe si rrjedhojë çdo deputet për të mbikqyrur aktet abuzive të qeverisjes në çdo nivel, nga niveli i kryeministrit deri tek niveli i shefit të komisariatit apo drejtorit të korruptuar të tatimores apo të inspektoriatit, për çdo padrejtësi dhe abuzim që i bie në qafë qytetarëve dhe për ta patur telefonin e tyre 24 orë të hapur për hallet e qytetarëve. Sigurisht që kjo e dyta është më e vështirë, po kush tha që puna e deputetit duhet të jetë fushë me lule? Fushë me lule dëshirojnë ata që prej kohësh e kanë ndarë politikën nga sensi i shërbimit ndaj njerëzve. Ata që njerëzit dhe hallet e tyre i shohin si mjete për të ardhur në pushtet dhe për të administruar pushtetin. Këtu vizionet tona janë krejtësisht të kundërta. Për Partinë Demokratike, për mua, për ju zonja dhe zotërinj të angazhuar prej kohësh në përpjekjet tona të panumërta për një demokraci të standardeve Europiane për shqiptarët, pushteti është një mjet për të zgjidhur hallet e njerëzve dhe jo njerëzit nje mjet për të ardhur dhe mbajtur pushtetin.

Ndaj listat e hapura janë A-ja e alfabetit tonë politikë kur vjen puna tek reforma zgjedhore. Lista të hapura, pa kufizime, pa artifica, pa herës. Kush merr më shumë vota futet në parlament dhe përfaqëson me dinjitet qytetarët që e kanë votuar. Natyrisht në vetvete nuk mund të funksionojë pa disa zgjidhje të tjera. Ne e dimë që sot për shkak të zhvillimeve, elementë të cilët nuk kanë, nuk gëzojnë besimin e njerëzve, por përpiqen ta blejnë atë, janë në parlament, janë në bashki, janë në institucione. Një sistem i listave të hapura, i pavaksinuar ndaj të korruptuarve që përdorin paranë dhe krimit të organizuar që përdor paranë e pisët dhe mjetet e tjera për të diktuar personat që do në Kuvend, apo bashki apo institucione të tjera, pra vaksinimi i listave të hapura përmes vettingut të politikanëve. Kjo është një iniciativë e jona që në fakt është një përforcim i ligjit për dekriminalizimin.

Çfarë parashikon? Parashikon që 200 apo 220 politikanët kryesor në vend, 140 deputetët, 61 kryetarët e bashkive, kryeministri dhe ministrat, presidenti i Republikës dhe institucionet e tjera Kushtetuese, t’i nënshtrohen të gjithë një kontrolli të thelluar të: pasurisë së tyre, të rrethit të tyre familjar dhe rrethit të tyre shoqëror dhe një kontrolli të thelluar për kontakte të papërshtatshme apo kontakte me botën e krimit. Prej kohësh ne kemi depozituar në Kuvend një projektligj i cili akoma se ka parë dritën e komisioneve përkatëse. Sot, nga Fieri dua t’iu them shqiptarëve që brenda këtij muaji ne do të dorëzojmë një rishikim të ligjit për vettingun në politikë, ku do të kërkojmë që rolin që i kishim ngarkuar me projektligjin e mëparshëm vet parlamentarëve për të kontrolluar parlamentarët, t’i besohet një institucioni kontrolli, një ILDKP-je, por me shumë më shumë “dhëmbë më të mprehtë” në mënyrë që të gjithë këta politikanët kryesorë të vendit, t’i nënshtrohen detyrimisht atij që  quhet kontroll i thelluar dhe që aktualisht ndodh vetëm për 5 apo 6 brenda vitit që ndodh sipas një llotarie që hidhet sipas ligjit aktual. Kështu pra, listat e hapura do të garantojnë që njerëz që e shohin politikën si një trampolinë për përfitimet personale apo mbrojtje nga ligji, të mendohen disa herë para se t’i futen asaj që deri më sot është një karierë e frytshme për ta, por që nesër duhet t’i kthehet në një ankth për shkak të kontrolleve apo për shkak të pasoja ligjore dhe pasojave penale të mos kalimit të këtyre kontrolleve. Vettingu i politikanëve do të thotë që politikanët që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, të familjarëve të tyre apo të rrethit shoqëror që shpeshherë i vendosin në emër të tyre, apo që janë në kontakt të vazhdueshëm dhe që mbrojnë e përfaqësojnë interesat e krimit të organizuar, as nuk do të jenë më në institucionet e shtetit as nuk do të mund të hynë më në institucionet e shtetit as përmes garave elektorale, as përmes dritareve apo dyerve të tjera të jetës intitucionale shqiptare. Vettingu i politikanëve është vaksina që mundëson që listat e hapura të jenë realisht instrument në duart e qyteratëve për të dërguar më të devotshmit por edhe njerëzit me integritet në Kuvend dhe në institucionet e tjera të vendit.

Barazia e votës. Mesatarisht 11500 fierakë duhet të votojnë për të çuar një deputet në Kuvendin eShqipërisë. Por vetëm 8500 vlonjatë, 13500 kuksianë. Kjo pabarazi nuk vjen si rezultat i dëshirës së vlonjatit, fierakut apo kuksianit, por si rezultat i manovrave politike të cilat me sistemin aktual me 12 qarqe, kanë bërë që deputetët në Kuvendin e Shqipërisë të vijnë si përfaqësues rajonal dhe jo si pëfaqësues kombëtar. Votën e kanë të barabartë, por përfaqësimin jo. Shqipëria një zonë elektorale dhe të hapur për një diskutim, edhe për dy, tre apo katër zona, por me një kusht: në fund të një procesi të tillë mos të ketë sallamandra elektorale të dukshme apo të padukshme. Vota e shqiptarit të peshojë kudo, secili prej anëtarëve të Kuvendit të ketë të njëjtin numër zgjedhësish që e çon në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndarja elektorale e Shqipërisë, sipas një zone apo dy zonave, tre apo katër zonave nëse vazhdojmë me sistemin proporcional, do të bëj të mundur që mos të kemi më një situatë ku një deputet i një qarku, t’i duhen shumë më shumë vota sesa të një qarku tjetër duke sjellë pabarazinë e votës, çka reflektohet pastaj jo vetëm në konfiguracionet politike por edhe në vendimmarrje të rëndësishme institucionale të Kuvendit të Shqipërisë. Listat e hapura, barazia e votës, vettingu i politikanëve.

Gjysma e Shqipërisë, gjysma e Fierit sot ndodhet jashtë Shqipërisë. Ky është një realitet që ne prej kohësh e shohim me sy dhe ka ardhur koha ta pohojmë me zë të lartë. Këta janë vëllezërit dhe motrat tona. Prej 30 vitesh, valë pas vale emigracioni dhe tani në përjetimin e një eksodi masiv të krahasueshëm vetëm me atë të fillimit të viteve 90. Nuk largohen në masën më të madhe prej dëshirës, por prej halleve. Dhe teksa largohen, vazhdojnë të kontribuojnë për familjet e tyre për ekonominë e familjeve të tyre, për ekonomi kombëtare. Efektivisht kemi jashtë Shqipërisë jo vetëm gjysmën e popullsisë, por edhe gjysmën e prodhimit bruto të shqiptarëve. Prodhojnë, sjellin financa, sjellin vlerë monetare, kontribuojnë në ekonomi, por nuk kanë asnjë të drejtë politike. Në qoftë se nuk marrin avionin, tragetin, apo makinën e të jenë këtu ditën e votimit, ata nuk janë pjesë e vendimmarrjes. Janë pra gjysma e Shqipërisë që kontribuojnë, madje taksohen përmes kontributeve të tyre kur blejnë një apartament apo kur familja e tyre blen diçka, por nuk përfaqësohen. Është pra ajo që quhet taksim pa përfaqësim. Ka ardhur koha t’i japim fund kësaj padrejtësie. Angazhimi ynë prej 2016-ës, është që emigrantët të votojnë aty ku janë dhe sot me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ky është një detyrim i pashmangshëm. Vota e emigrantëve, vota e diasporës, nuk është thjesht një detyrim ndaj tyre, është një përmbushje e një detyrimi ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve. Kjo bëhet dhe më e lehtë në kushtet kur është provuar dhe sprovuar sistemi elektronik i votës për të cilin do flasin edhe folësit e tjerë. Pra e bën shumë më të lehtë votën e emigrantëve kudo që ndodhen.

Me lejen tuaj, dua të trajtoj fare shkurtimisht disa çështje që nuk kanë të bëjnë vetvetiu me reformën zgjedhore, kanë të bëjnë dhe me të, por kanë të bëjnë me diçka tjetër edhe më të madhe, edhe më të thellë e të rëndësishme që është, Reforma Kushtetuese. Ai ndryshim i 2008-ës shkatërroi institucionin e Presidentit të Republikës. Deri atëherë presidenti duhej të zgjidhej me 84 vota, me 3/5. Në qoftë se nuk arriheshin 3/5, vendi shkonte në zgjedhje. Por jo vetëm kaq, një president i zgjedhur me 3/5 që shikonte që qeveria shkelte ligjet, Kushtetutën, si dhe në mënyrë arbitrare me qytetarët, kishte një pushtet. Kishte shumë pushtete, por pushteti më i madh që kishte, ishte pushteti moral, mund të kërcënonte me dorëheqje që automatikisht do ta çonte një qeveri të papërgjegjshme në një proces zgjedhor. Këto mekanizma nuk ekzistojnë më, falë atyre që e ndryshuan kushtetutën në 2008-ën. Nuk ekzistojnë më dhe sot avokati i popullit nuk zgjidhet dot pa 84 vota, por presidenti zgjidhet me 71. Një president që zgjidhet me 71 vota, me aq vota sa zgjidhet kryeministri, është as më pak as më shumë, por një instrument në duart e mazhorancës së radhës. Një instrument në duart e kryeministrit të radhës. Dhe kjo nuk ka qenë ideja kur është bërë Kushtetuta në fillim fare dhe pasojat i shohim. Mungesa e rolit të presidentit si një rol balancues dhe kontrollues në Kushtetutë. Një president nga populli, një president i cili është në gjendje të plotësojë funksionet e veta siç shkruhen në Kushtetutë, të përfaqësimit të uniteit të popullit dhe jo një pjese të popullit që voton një parti politike apo një parti tjetër, apo është detyruar të mbrojë interesat e një partie, apo e një partie tjetër, një president që me të vërtetë është mbi palët dhe garanton balancën dhe kontrollin e institucioneve. Propozimi tjetër ka të bëjë me dy rudimente, mbeturina të sistemit tonë politikë 33 vjeçarë. Ndërkohë që sistemi politikë ka evoluar, na kanë mbetur ca mbeturina.

Mbeturina e parë është përcaktimi që deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Pra, edhe një fëmije i tërhiqet vëmendja në qoftë se thotë gjëra të papërgjegjshme, por jo deputetit. Deputeti flet kodra pas bregut, ça t’i vijë në mend, e hap gojën e bën çorap, se në fund fare nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Provojeni ta çoni në gjykatë, e kam çuar unë, gjykata thotë nuk mban përgjegjësi për atë që thotë.

Dy entitete nuk mbajnë përgjegjësi sot për atë që thonë: deputetët e Kuvendit të shqipërisë dhe personat me kartelë psiqiatrike. Nuk është për t’u duartrokitur, në fakt është për të vënë duart në kokë. Është për të vënë duart në kokë. Salla e Kuvendit, është kthyer në një sallë banalitetesh të cilat ia tejkalojnë çdo imagjinate të shfrenuar. Kafja më e vogël në fshatin më të largët të Shqipërisë, ka dhjetëra herë më shumë dinjitet sesa audioja e Kuvendit të Shqipërisë. Sepse deputeti nuk mban përgjegjësi për atë që thotë. Deputeti duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë. Kjo klauzol duhet të shfuqizohet, gjithçka që thotë deputeti duhet të jetë bazë për punën e institucioneve, duke përfshirë për punën e Prokurorisë. Çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, do të jetë burim për hetim nga prokuroria. Dhe hetimet ose do të çojnë para drejtësisë ato që deputeti denoncon, ose do të çojë para drejtësisë deputetin gënjeshtar, mashtrus dhe shpifarak në audiot e Kuvendit.

Dhe kjo më sjell tek e fundit, çështja e imunitetit. Kur parlamenti i parë pluralist u krijua, hija e sigurimit të shtetit dhe e policisë politike të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë vërtitej akoma. Ramizi ishte akoma jo vetëm gjallë, por ishte president, presidenti i parë. Dhe për këtë arsye u vendos imuniteti parlamentar. U bë një ndryshim, u kufizua, por prap ka imunitet. Pse duhet të ketë imunitet deputeti, kur Struktura e Posçme Anti-Korrupsion ndërmerr një hetim ndaj tij apo ndaj saj, pse? Pse një bujk që detyrohet të marrë krentin  për pompën e ujit shkon pa imunitet te prokurori, madje shkon dhe në paraburgim, ku ka ndodhur dhe fatkeqësi siç e dimë, për vepra edhe më pak se kaq, dënohet me aq sa e ka ligji. Kurse një deputet apo ministër akuzohet se ka vjedhur 5, 50 apo 200 milionë euro duhet t’i ç’vishet imuniteti me tam tame e me ceremoni, e ndërkohë ka marrë arratinë dhe e ka marrë vesh e gjithë bota siç rasti i ish-zëvendëskryeministrit të Edi Ramës, pse? Kjo nuk është më një masë për të siguruar veprimtarinë politike të deputetit, kjo është sot burim i pengesave të drejtësisë për të vendosur paraligjit pushtetarët, deputetët, ministrat e korruptuar. Ndaj, imuniteti para ndjekjeve penale nga SPAK-u, duhet të zerohet dhe brenda këtij muaji ky amendament do të paraqitetnga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike  po kështu në Kuvend. Të dashur miq, teatri politik i përditshëm, telenovela që keni dy vite që e shikoni pa ndërprerje, vazhdon të bluaj si gurët e mullirit, por nuk po bluan bukë apo miell për bukë, madje as krunde, bluan gënjeshtrat e radhës. Një gjë të jeni të sigurtë besoj se e keni kuptuar, gënjeshtrat nuk do të ndalojnë, shpifjet nuk do të ndalojnë mashtrimet nuk do të ndalojnë. Përpjekja bëhet që populli të vazhdojë me sytë e shqyer dhe gojën e hapur të shikojë këtë telenovelë dhe të harrojë për hallet e tyre të përditshme, për ekonominë në kolaps, për kostot e jetës në stratosferë, për premtimet e pambajtura, për shkatërrimin e shëndetsësisë dhe rënien kokëposhtë të niveleve të arsimit shqiptar krahasuar me rajonin dhe botën, e mijëra problemeve të tjera. Duan që ne mos të flasim as me njëri-tjetrin për këto probleme, ndaj financojnë këtë telenovelë të shëmtuar. Zgjidhja e vetme është të ndërrojmë kanalin, madje ta fikim fare, të jemi kështu siç jemi sot, në salla si kjo, në takime kudo anembanë vendi. Me njerëzit e vërtetë, që kanë problemet e vërteta të shkatërruara nga kjo politikë e pamoralshme. 2 vite është një kohë shumë e gjatë, një taksë e rëndë që ne si demokratë dhe Partia Demokratike ka paguar me këtë luftë të brendshme, me këtë telenovelë të stimuluar edhe nga ata që përmes kësaj telenovele zhdukin nga ekranet korrupsionin e thelluar dhe kolapsin total dhe moral të kësaj qeverisjeje. Por teksa është një taksë e rëndë për demokratët, është një taksë edhe më e rëndë për shqiptarët. Ja si katandiset një vend, kur opozita pushon së bëri detyrat e veta dhe kthehet në një telenovelë. Telenovela ka marrë fund. Falë demokratëve më 29 korrik, Partia Demokratike ka kryetarin e partisë, më 2 shtator ka Kuvendin Kombëtar, ka Këshillin Kombëtar, ka Kryesinë dhe tani degët e Partisë Demokratike kanë një dhe vetëm një funksion: të jenë në dispozicion të njerëzve. Kjo nuk është diçka që ndryshon nga mëngjesi deri në darkë dhe brenda ditës, por qëndrimi ynë ka ndryshuar dhe duhet të ndryshojë në mënyrë themelore. Ne duam që qytetarët të besojnë se politika është një mjet ndryshimi, se nuk ka politikë të keqe saç ka futbooll të keq. Nuk ka mjet tejetër ndryshimi për njerëzit, përveçse angazhimit në proceset politike që ndryshojnë qeverisjet. Kjo është beteja e parë dhe sprova e parë që kemi. Sprova e dytë që kemi është që problemet e njerëzve, dëshirat e tyre, shpresat e tyre, të gjejnë shprehje në programin politikë të Partisë Demokratike, i cili po përgatitet dhe do të prezantohet me qytetarët në Fier e anëembanë Shqipërisë. Dhe ndërkohë që bëjmë këtë, kthimi i besimit tek Partia Demokratike duhet të fillojë që sot, aty ku qytetarit i bëhet padrejtësi, aty ku abuzon polici i lagjes apo shefi i komisariatit, apo punonjësi i tatimeve, apo inspektori, aty duhet të jetë demokrati i cili do ta ketë telefonin e hapur të jetë i gatshëm ta marrë problemin për ta përcjellë tek deputeti, tek kryetari i degës, tek kryetari i partisë në Tiranë. Me të vërtetë ne nuk kemi institucione qeveritare, por ne jemi opozita e vendit, ne ngrejmë zërin për çdo problem, ne e bëjmë të njohur publikisht, ne e nxjerrim në media, ne e çojmë në prokurori, ne i biem me shkelm derës së institucioneve ku ato dhunojnë qytetarët. Dhe kjo është detyra e opozitës dhe këtë detyrë opozita që prej dy vitesh ka qenë në apati, do të fillojë ta kryej kudo. Nuk mund ta kryej një njeri, asnjëri prej jush dhe as unë vetëm unë në Tiranë. Por një zinxhir të lidhur vullnetesh, nga ju që njihni problemet e njerëzve, që jeni në kontakt me njerëzit, që kanë mundësi njerëzit t’ua referojnë apo ta vëzhgoni atë problem drejtpërdejtë e deri tek ne për të çuar zërin në parlament, për të çuar çështjet në prokurori, për të thirrur shtypin, për të thirrur kamerat, për t’i bërë publike, padiskutim që kjo është e mundur. Ky është misioni i opozitës së vërtetë dhe opozita e vërtetë në Shqipëri e ka emrin Partia Demokratike e Shqipërisë. Ju faleminderit!