Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, dhe inxhinieri, Azmer Duleviç, kanë denoncuar qeverinë dhe institucionet publike se korrupsioni në tenderat publik është shumë i lart. Karabina shprehet se ARRSH në tenderat e saj me vlerë të lartë, ka problem me procedurat ndërsa fitues shpallen operatorë që kanë ofertat më të larta se konkurrentët e tjerë.

Ndërsa inxhinieri Duleviç, duke iu referuar raportit më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në auditimin e kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka vënë në dukje se nuk ka arritur të sigurojë përdorimin me efikasitet të parasë fondeve publike.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES SË PARTISË DEMOKRATIKE, MIRELA KARABINA, DHE INXHINIERIT, AZMER DULEVIÇ

Përshëndetje,

Qytetarë të varfër dhe korrupsion i lartë.

Ky është realiteti që qeverisja e Edi Ramës i ofron qytetarëve të saj.

Open Data Albania ka publikuar renditjen e 100 tenderave me vlera të larta të ofertës fituese të finalizuar me kontratë në vitin 2022. Tetë nga dhjetë kontratat me vlerë më të madhe rezultojnë me “flamur të kuq” për procedure të dyshimtë.

Në tenderat me vlerat me të larta por me probleme në procedurë ku mbizotëron si autoritet prokurues ARRSH, fitues është shpallur ose operatori me ofertën më të lartë duke skualifikuar të gjithë të tjerët me ofertë më të ulët, ose gara është zhvilluar me një konkurrent të vetëm, ose procedurë e kufizuar mbi kufirin e lartë monetar duke shfaqur mungesë konkurrence.

Tendera dhe koncesione korruptive do të thotë varëfim i jetës së qytetarëve pasi lekët vidhen dhe nuk shkojnë për investime në arsim, në shendetësi, në paga e pensione, në ekonomi dhe për zhvillimin e vendit.

Shqetësimi i qeverisë nuk janë hallet dhe problemet e qytetarëve, të të rinjve që po emigrojnë masivisht, por legjitimimi i industrive kriminale për llogari të klientëve të pushtetit apo legalizimi i vjedhjes përmes tenderave dhe koncesioneve korruptive

Shqipëria një vend anëtare e NATO-s, vend që aderon për t’ju bashkuar institucionalisht Bashkimit Europian renditet ndër vendet me korrupsion shumë të lartë duke konkuruar me Zimbavian.

Partia Demokratike në  betejën e saj në papajtueshmëri me korrupsionin po ndërton një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për një projekt ndryshimi që nis me adresimin e çështjeve që mbajnë të bllokuar sistemin politik dhe atë ekonomik.

Është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore agresive kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar si për dënimin e korrupsionit, ashtu edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera.

Partia Demokratike inkurajon dhe mbështet pa asnjë rezervë prokurorisë së posaçme SPAK që t’i shkojnë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve e politikanëve të korruptuar që po varfërojnë Shqipërinë.

Paratë që u janë vjedhur dhe vazhdojnë t’u vidhen shqiptarëve, duhet t’u kthehen!

Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.

 

Inxhineri Duleviç do të denoncojë sot pikërisht keqpërdorimin e fondeve publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

 

DEKLARATA E INXHINIERIT, AZMER DULEVIÇ

 

Sipas KLSH: Vlerësimi i tenderëve s’ka nxitur konkurrencë, janë bërë pagesa për punime të pakryera.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar së fundmi në auditimin e kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar duke vënë në dukje se ARRSH nuk ka arritur të sigurojë përdorimin me efikasitet të parasë fondeve publike.

ARRSH nuk ka rritur eficiencën dhe efikasitetin e procedurave, nuk ka arritur të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe ulje të shpenzimeve procedurale, nuk ka nxitur pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë si dhe nuk ka nxitur konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë për të gjitha procedurat e prokuruara.

Nga ana tjetër po të shohim vendimet e Gjykatave, ARRSH rezulton të jetë palë debitore në 18 raste me subjekte të ndryshme në vlerën 373,116,044 lekë. Në dy nga këto raste, nga ana e debitorëve është vendosur urdhër sekuestro në llogaritë e Thesarit me vlerën 41,942,661 lekë.

Në lidhje me zbatimin e kontratave rezultoi se janë përdorur pa efektivitet, eficiencë fonde në shumën prej 104,130,025 lekë pa TVSH si dhe janë përfituar tepër nga ana e sipërmarrësve të kontratave si rrjedhojë e likuidimit të punimeve të pakryera në fakt në shumën totale prej 12,131,741 lekë pa TVSH.

Si shembull flagrant të abuzimeve denoncojmë projektin e Unazës, pjesa “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja Loti 1 nga dokumentet e vëna në dispozicion, por edhe nga verifikimi në terren rezulton se janë përfshirë në librezat e masave volume pune të pakryera në fakt në vlerën prej 8,490,090 lekë pa TVSH!

Prandaj Partia Demokratike është me qytetarët dhe për qytetarët dhe do denoncojë çdo rast abuziv dhe vjedhjeje nga ana e Qeverisë Rama dhe bashkpunëtorëve të tij!

 

Faleminderit!