Gjatë turit të tij, kryetari i Partisë Demokratike,  Lulzim Basha,  i ka kushtuar vëmendje edhe bujqësisë. Sot ai ishte në fshatin Stropckë të Pogradecit, ku bisedoi me shumë fermerë të kësaj zone. Basha dëgjoi problemet e shumta që fermerët kanë për shkak të korrupsionit siç është rasti i fondeve të IPARD-it.

“Me fermerët e Stropckës, diskutuam për potencialin e jashtëzakonshëm të bujqësisë dhe për problemet e tyre, të cilat kërkojnë zgjidhje serioze dhe afatgjata.

Me keqardhje dëgjova se puna e palodhur e fermerëve të këtij fshati, shkon shpesh herë në plehra për shkak të mungesës së mbështetjes, sikurse ndodh me fermerët anembanë vendit.

Ata janë njerëz të punës dhe kanë nevojë, që politika të jetë në shërbim të tyre dhe jo të klientëve të zakonshëm të qeverisë, siç dëshmoi skandali me fondet e IPARD-it.

Korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes ka goditur edhe bujqësinë, duke bërë që ndihma e partnerëve europianë të mos shkojë tek fermerët, ndaj dhe ata sot ndihen të braktisur dhe kërkojnë një ndryshim të vërtetë.

Dëgjova me vëmendje sugjerimet e tyre për t’i dhënë fund kësaj situate dhe për të ndërtuar alternativën që presin shqiptarët”, – shkruan Basha në postimin e tij në Facebook.