Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Çërraga Karabina, ka denoncuar një kopsht publik në Kamzë, ku drejtoria e kopshtit i ka shpërndarë një listë mjetesh didaktike që prindërit duhet të blejnë për fëmijët.

Në një postim në Facebook, Karabina u shpreh se kjo është një shkelje hapur e ligjit dhe kodit të etikës,ndërsa shton se “është detyrim ligjor i Bashkisë  të krijojë kushte të domosdoshme për mësim, argëtim dhe jetesë të përbashkët të fëmijëve.

Kopshtet në ditë të hallit!

Guxim i madh i drejtoreshës dhe edukatorëve në një kopsht në Kamëz.

Në shkelje hapur të ligjit dhe kodit të etikës, drejtoria e kopshtit i ka shpërndarë këtë listë (paçavure e turpshme) mjetesh didaktike prindërve që çojnë për herë të parë fëmijët 3 vjeçarë në kopsht.

Dhe nëse nuk sjellin këto mjete në listë, mundësia tjetër është që prindi të paguaj 50 mijë lekë (të vjetra), orienton edukatorja.

Me këtë listë mjetesh, duket që kopshti qenka një “haur” pasi prindi gjithçka duket ta sigurojë vetë, përveç mureve dhe edukatoreve…

Ndërkohë, Bashkia Kamëz ka zë të veçantë në buxhet për pajisjen e kopshteve dhe shkollave me mjete mësimore dhe kualifikim profesional të stafit. Është detyrim ligjor i Bashkisë  të krijojë kushte të domosdoshme për mësim, argëtim dhe jetesë të përbashkët të fëmijëve.

Skandal!

E para, në listën e mjeteve të kërkuara, disa prej tyre janë të ndaluara të përdoren për fëmijë tre  e katër vjeçarë, gërshërë e prefëse.

E dyta, është flagrante dhe i rëndë “shënimi” ku në formë taksative detyron prindin që të paguaj 10 mijë lekë (të vjetra). Me ç’të drejtë ?!

Është absolutisht në dëshirë të prindit nëse ka mundësi të kontribuojë

vullnetarisht për kopshtin deri më 10 mijë lekë ( të vjetra).

Dhe, gabim konceptual apo nga padija, mbështetja monetare nga prindi nuk është për Bordin e kopshtit, por për të përmirësuar shërbimin dhe ky kontribut menaxhohet dhe kontrollohet nga Bordi i Prindërve.

Prindërit në mirëkuptim do të bënin ç’të mundnin për fëmijët e tyre, por jo pa filluar kopshti ta pajisin atë me mjete didaktike dhe të detyrohen të paguajnë!

Ky skandal dëshmon qartazi gjendjen e mjeruar në të cilën është përkujdesja dhe edukimi i fëmijëve në kopshte!

Është një rast, por jo i vetëm…