Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vijuar me akuzat ndaj qeverisë lidhur me aferat e inceneratorëve dhe sterilizimit.

Në një postim në Facebook, Tabaku shprehet se bëhet fjalë për individë që nuk kishin asnjë kapital dhe që erdhën me “duar në xhepa”, duke pasur lidhje me qeveritarë të ndryshëm.

Ajo thotë se tashmë është e faktuar që këta individë i kanë bërë vetë dokumentat e tenderit.

Sipas saj, koncesionet në shëndetësi, përfshi edhe sterilizimin, janë 30% e gjithë buxhetit të shëndetësisë.

Postimi i plotë:

Njëqind herë pas të kthehesha, njëqind herë do ta denoncoja. Sepse këtu bëhet fjalë për një filozofi dhe një metodë pune. Bëhet fjalë për individë që ishin pa asnjë kapital, pa asnjë aset që erdhën me duar në xhepa, që kishin lidhje me qeveritarë. Që janë faktuar që i kanë bërë vetë dokumentet e tenderit, që në mënyrë abuzive kanë ngjitur një shtet në këmbë dhe nuk po bëj ndarje se janë njësoj si sterilizimi dhe inceneratorët. Edhe që e kanë gërryer buxhetin e shtetit. Koncesionet në shëndetësi, përfshirë dhe sterilizimin janë 30% e buxhetit të shëndetësisë dhe ti të heqësh me një të prerë të sëpatës, 30% të buxhetit nuk është gjë e vogël. Edhe këtu duhet mbajtur si përgjegjësia ligjore dhe përgjegjësia politike