DEKLARATË E DEPUTETES SË PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU:

Ditën e sotme Kuvendi i Shqipërisë mblidhet për të trajtuar përmes Këshillit të Mandateve, mandatin e deputetit dhe ish Zv Kryeministrit, ish ministrit të Ekonomisë, ish Ministrit të Financave,  Arben Ahmetaj.

Ashtu si komunikuar nga SPAK, një nga akuzat për të është Korrupsioni dhe fshehja e Pasurisë në lidhje me Aferën e djegësave, apo inceneratorëve si e njeh publiku gjerësisht.

Një lexim i kujdesshëm i kërkesës së publikuar tregon se si afera e tre inceneratorëve që janë instalacionet e korrupsionit në vendin tonë, dëshmon se si ish Zv Kryeministri sot akuzohet për përfitimet që ai ka marrë prej pronarëve të tyre. Së paku ato që janë provuar.

Që prej vitit 2017 kam denoncuar vijimësisht aferën e inceneratorëve, ku askush nuk i mendonte përmasat e këtij skandali.

Në vjeshtën e vitit 2021 Parlamenti i Shqipërisë votoi thuajse unanimisht për të ngritur komisionin hetimor të inceneratorëve. Qëllimi i këtij komisioni ishte të hetonte aferën e 430 mln eurove të dhuruar të njëjtëve persona të lidhur ngushtësisht dhe miqësisht me qeverinë, tre persona sot në kërkim dhe pa asnjë pasuri, aset, apo njohuri teknike e profesionale për të manaxhuar këtë projekt miliona eurosh.

Komisioni hetimor zhvilloi mbi 55 dëgjesa publike që përkthehen në 60 orë dëshmi me një rëndësi jetike për këtë çështje. Gjatë tre javëve të fundit të pandërprera me dëshmi, çdo shqiptar mësoi se si 430 mln euro nga taksat dalin sot e kësaj dite nga buxheti i tyre i shkojnë personave që kanë korruptuar deri zvkryeministrin e Shqipërisë.

Sot, ky komision korr realisht një fitore që mund të themi është emblematike për natyrën e akuzës që SPAK ka ngritur ndaj ish zv kryeministrit Ahmetaj që erdhi të dëshmojë në Komision në orën e vona të datës 21 shkurt dhe përfundoi dëshminë në orët e para të ditës së nesërme.

Mbi 11 padi të dorëzuara në SPAK nga unë në emeër të Partisë Demokratike, me 50 persona të akuzuar, sot 21 përpara drejtësisë dhe me shpresën që dhe pjesa tjetër të vazhdojë të hetohet. Të gjitha të nisura me padinë e parë në Tetor të 2020 e cila mban numrin 277.

I kam vendosur SPAK në dispozicion mbi 20 CD me prova dhe SPAK ka qënë në komunikim me Parlamentin muajt e fundit ku ka marrë dhe të zbardhura të gjitha dëshmitë e të gjithë personave në hetim.

Një betejë e nisur nga pak por që dita ditës u pasurua edhe nga investigimet dhe hulumtimet e mediave kurajoze të cilat dua ti falenderoj. Një betejë që u pasurua me raportin plot profesionalizëm të KLSH që analizon me imtësi përgjegjësinë administrative jo vetëm të ministrit të financave dhe ekonomisë në përllogaritjet e gabuara dhe procedurat por mbi të gjitha edhe përgjegjësinë administrative të kryebashkiakut aktual për firmën e tij në inceneratorin e Tiranës.

Kur flasim për një shtet të kapur, kur flasim për një qeverisje të kapur atëherë duhet të kemi parasysh aferën e 430 mln eurove. Aty, shteti është vendosur në shërbimin e një grupi të strukturuar kriminal duke i shërbyer dhe duke i ofruar çdo instancë të qeverisë dhe administrimit publik atyre dhe nevojave të tyre.

Kur shteti kapet, thuajse gjithçka tjetër është e kapur dhe përpiqet të shantazhohet. Pikërisht kjo ka qenë bindja ime që në ditën e parë që kam propozuar për të nisur komisioni hetimor të inceneratorëve. Ishte shumë e qartë për këdo se kjo aferë do të prekë fijet e një pushteti të fortë dhe të padukshëm që nuk do të ketë mëshirë për të ruajtur veten e tij.

Një pushteti që siç edhe provat e vërtetojnë ka provuar të shantazhojë dhe rekrutojë me të gjitha mënyrat kundërshtarët e këtij projekti që në fund mbetën pak, por që rezultuan të suksesshëm.

Suksesi  ka qenë bindja që drejtësia vonon dhe nuk harron sikundër dhe bindja se ende në Shqipëri ka qytetarë që duan të zbatojnë ligjin dhe luftojnë padrejtësitë, më kanë shtyrë të eci përpara në këtë betejë.

Mbrojtja politike e organizuar dhe zbatuar me përpikmëri nga mazhoranca i shërbeu kësaj afere që të pësojë një metastazë duke u kthyer nga një incenerator në tre të tillë. Numri i personave dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në aferë është i madh dhe jo më kot SPAK ka kërkuar një mbledhje të Këshillit të Mandateve me dyer të mbyllura.

Kjo, dëshmon qartësisht përgjegjshmërinë politike që ka sot mazhoranca që u kthye në mburojë për një aferë që nuk ka përse të lidhet me një emër pasi në fakt ka një bashkësi emrash të përfshirë dhe angazhuar për t’u miratuar.

Mazhoranca sot ka përgjegjësi politike që edhe pse së paku një ministër, një deputet i dalë nga radhët e saj dhe së fundmi edhe ish zv kryeministri dhe ministri i financave dhe ekonomisë janë të akuzuar ekzaktësisht për aferën e inceneratorëve, vazhdon t’i bëhet mburojë kësaj çështje duke dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit për këto tre inceneratorë.

Sot kur tre persona janë përpara drejtësisë nuk ka më përgjegjësi individuale, sot ka përgjegjësi kolektive poliitke për të gjithë ato që kanë ideuar, miratuar në shkelje të ligjit, zbatuar e mbrojtur këtë aferë. Kushdo që i ka dalë për zot atyre që janë sot përpara drejtësisë e kujtdo që duhet të shkojë përpara drejtësisë.

Tre instalacione të korrupsionit, papërgjeshmërisë qeveritare që buxhetit të shtetit dhe taksave të qytetarëve i ka kushtuar 430 mln euro.

Ndërsa flasim inceneratori i Fierit ka kërkuar rritjen e kostos së pastrimit nga bashkia Fier, inceneratori i Tiranës derdh në lumin Erzen mbetjen toksike të Liksiviatës duke dëmtuar shumë mjedisin dhe natyrën por edhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.

Pyetja që çdokush bën sot është; si ka mundësi që me gjithë këto arrestime, akuza dhe fakte ende sot shqiptarët paguajnë me paratë e tyre tre instalacionet e korrupsionit në Shqipëri?

Prandaj përtej përgëzimeve të mia ndaj SPAK për guximin për të hetuar dhe dërguar përpara bankës së të akuzuarve një zv kryeministër, mbetet dhe një tjetër kujtesë. Dosja e inceneratorëve është në të vërtetë një dosje e plotë dhe e vetme. E kuptoj presionin mbi ju! Përpjekjen për ta zhbërë! Por, ne dhe mbi të gjitha shqiptarët besojnë tek ju sepse e dinë që ju keni vetëm presionin e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.

Koha është që ne të vazhdojmë në këtë rrugë të nisur që 80% e shqiptarëve që besonin se kjo aferë është realisht korruptive, të marrin përgjigjen e tyre. Sytë e gjithë shqiptarëve padyshim janë gjithnjë e më shumë nga ju. Koha është të dëshmojmë të gjithë përgjegjësi institucionale dhe jo vetëm.

Si e kërcënoi Ahmetaj, deputeten Jorida Tabaku:

 

Pyetje-përgjigjet në konferencën për media të deputetes Jorida Tabaku:

 

Pyetje: Ju thatë që SPAK ka bashkëpunuar me Kuvendin, ka marrë bisedat dhe deklarimet nga Komisionet për inceneratorët, a ka kërkuar SPAK deklarime nga Kryeministri Edi Rama në këtë Komision?

J.Tabaku: Unë di që SPAK ka qënë në komunikim me Parlamentin e Shqipërisë për të marrë të zbardhura të gjitha dëshmitë e tre javëve të fundit. Nuk di detaje të listës, por di që deri në datën 23 Shkurt që ka qënë dita e fundit, që nga data 2 Shkurt deri më 23 Shkurt, të gjitha të zbardhura i kanë shkuar SPAK-ut pak javë më parë.

Pyetje: Në fjalën tuaj ju deklaruat se inceneratorët janë një instalacion i korrupsionit e në fakt akuzuat po ashtu që qeveria, personat e shtetit janë vendosur në dispozicion të drejtuesve të tyre, mbi ç’fakte e prova e bëni këtë deklaratë?

J.Tabaku: Unë në fakt këtë shkresë që të gjithë e kemi marrrë, që ka qënë publike në media, që është kërkesa e përmbledhur e dosjes hetimore, e kam lexuar me shumë vëmendje dhe dua që t’ju ndaloj në dy momente dhe besoj që edhe ju të gjithë e keni degjuar me shumë kujdes.

Nga faqa 5 e këtij dokumenti deri në faqen 9 shpjegohet e gjithë procedura që është ndjekur për miratimin e tre kontratave të inceneratorëve për qytetin e Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës. E gjitha është marrë nga padia dhe nga dëshmitë, nga puna e Komisionit Hetimor, por aty ka edhe disa fakte të reja që për mua kanë qënë tronditëse. Sesi zyrtarët e shtetit janë thirrur në zyrë nga ish-zv. Kryeministri dhe i është bërë presion për të firmosur, sesi zyrtarë të Ministrisë së Financave të cilët me profesionalizëm dhe përgjegjësi kanë bërë punën e tyre, kanë rrefuzuar që të firmosin për këtë kontratë, dhe email-et dhe shkresat e tyre i shkojnë biznesmenëve.

A ka patur ndonjëherë shteti shqiptar degradim të tillë, që një punonjës i Ministrisë së Financave të jetë i pambrojtur, a ka kapje shteti më të madhe se kjo?

A ka kapje shteti më të madhe se një Drejtor i Ministrisë së Financave i thotë Ministrit unë nuk e firmos se ka këto probleme dhe të gjitha këto email-e i shkojnë pronarëve të inceneratorëve?

Unë nuk besoj që ka nevojë për më shumë prova, fakte sesa kjo përmbledhje. Unë jam në dijeni që është dorëzuar një dosje, që është një dosje hetimore më rreth 300 faqe që e ka të detajuar të gjithën, por të paktën kjo që ne jemi vendosur në dijeni publikisht nga mediat dhe nga njoftimi i SPAK-ut e tregon qartësisht sesi gjithë shteti ka qënë në funksion të marrjes së tre kontratave nga këto tre persona, që mos të harrojmë, janë akoma në kërkim.

Pyetje: Komisioni Hetimor e ka denoscuar z. Ahmetaj në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, a ka ndonjë nga akuzat e këtij komisioni që e gjeni në akuzën e SPAK? A ka Partia Demokratike një plan se çfarë do të ndodhë me këto godina që edhe sot që ne flasim vazhdojnë të marrin lekë nga taksat e sqiptarëve?

J.Tabaku: Së pari, dua t’ju kujtoj të gjithëve që hetimi, ashtu siç e përmendi SPAK, ka nisur me padinë e Partisë Demokratike të Tetorit të 2020 numër 277. Më pas kësaj padie i janë shtuar informacione të tjera dhe padi të tjera për të arritur te 277/1, kjo që është për zv. Ministrin Ahmetaj.

E gjithë procedura e përshkruar që fillon me njoftimin e SPAK në lidhje me procedurën, ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në qarkun e Elbasanit dhe roli që ka luajtur ministri Ahmetaj aty kur është shprehur parimisht dakord për një procedurë përzgjedhëse me negociim pa shpallje të njoftimit kur ka vazhduar ka miratuar në kundërshtim me kuadrin ligjor procedurën, kur i ka dhënë bonusin kësaj kompanie, kur është miratuar buxheti, që ka shtuar, ka bërë një shtesë në buxhet, kur ka qënë vazhdimisht në dijeni edhe të problemeve duke filluar nga 2014 deri në 2017, kur janë alokuar fondet për të gjitha procedurat, të cilat SPAK i ka ndarë në katër grupe prcedurash, për të katër këto procedura të cilat janë në padinë që Partia Demokratike ka bërë, por njëkohësisht janë edhe në padinë ë dytë që ne bëmë pas përfundimit të Komisinit Hetimor, është ngritur një akuzë për korrupsion dhe ndikimin e tij për dhënien e këtij konçesioni si rezultat i lidhjeve miqësore në këmbim të përfitimeve të këtyre personave

Së dyti, qeveria shqiptare, besoj se të gjithëve i kujtohet, pa dashur të bëhem shumë teknike dhe pa dashur që të futemi në detaje që ndoshta edhe për qytetarët nuk ka rëndësi. Ka patur një projekt i cili ishte me landfillet rajonale. Javën e kaluar kaloi në Parlament projekti i GIZ-it, i cili merr parasysh këtë strukturë, të landfilleve rajonale. Ne kaluam një kredi 50 mln euro për landfillin e Korçës dhe kjo ka qënë strategjia që qeveria shqiptare ka patur. Ndërkohë që nga asgjëja në 2014, këto shpikën një emergjencë mjedisore, dhe kjo emergjencë mjedisore që në atë kohë është një dokument që nuk ekziston, se ka parë askush, që është jo-ligjor, që nuk e kanë firmosur, që s’ka patur një mbledhje edhe të këshillit përkatës që duhet ta shpallte këtë, nga asgjëja nxori inceneratorët, të cilët duhet t’ju kujtoj se janë mënyra më pak preferenciale për menaxhimin e mbetjeve, sipas raportit të progresit. Përveçse janë korruptive nuk janë në lidhje dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe qartësisht kanë një ndikim negativ në mjedis.

Partia Demokratike ka qënë gjithmonë e mbështetur në partnerët gjerman për sa i përket strategjisë për menaxhimin e mbetjeve. Sot është e drejtë që kemi një fakt tjetër, realitet tjetër, sot i kemi këto tre instalacionet e korrupsionit, sot paratë janë duke u paguar, për Elbasanin e për Fierin kanë përfunduar, për Tiranën vazhdojnë, janë paguar të paktën 60 mln euro. Në këto kushte, unë besoj që duhet ti kalojnë menjëherë në pronësi bashkive dhe duhet menjëherë bashkitë të marrin në administrim këto tre djegësa për të parë mënyrën sesi mund të vendosen në dispozicion, edhe për inceneratorin e Tiranës, që të gjithë e dimë, keni qënë me mua një pjesë e juaja, nuk ka incenerator, aty është vetëm një landfill, edhe për të, duhet të kaloj në pronësi të bashkisë së Tiranës, të ndërpriten pagesat menjëherë dhe të shikohet mënyra më e mirë sesi buxheti i shtetit mos të vazhdojë akoma të paguajë këtë aferë korruptive.

Mund të bëj edhe një thirrje të fundit?

Unë kam një thirrje për z.Ahmetaj ashtu siç e kisha për këdo që ishte përpara Komisionit Hetimor dhe këdo që ka shkuar përpara Drejtësisë.

Thirrja ime është të bashkëpunoni me Drejtësinë, bashkëpunoni me SPAK-un. Shqiptarët kanë nëvojë që sot ti shkojnë kësaj afere deri në fund

Faleminderit