Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, ka kritikuar qeverinë për përshpejtimin e procedurave për të miratuar ligjin që detyron studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri deri në 5 vite në mënyrë që të marrin të drejtën për të ushtruar profesionin e tyre.

Pampuri shprehet se kjo është një dëshmi e qartë e keq-qeverisjes që nuk njeh kufij dhe se ligji është në shkelje të Kushtetutës.

Reagimi i plotë:

Këto ditë të gjithë si qytetarë jemi përballur me një fakt të cuditshem, një vendimarrje e qeverisjes Rama, që për hir të së vërtetës edhe pse tashmë jemi njohur me këtë model vendimarrjesh kundër interesit publik, vendimi i ri për të detyruar me ligj deri në 5 vjet studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri në mënyrë që të marrin të drejtën për të ushtruar profesionin e tyre, është një dëshmi e qartë e një keq-qeverisje që nuk njeh kufij.

Me procedurë të përshpejtuar u miratua perfshirja në kalendarin e punimeve të Kuvendit ky projektligj që obligon punësim të detyrueshëm për 5 vjet në këmbim të ushtrimit të profesionit.

Padyshim fuqia e kartonave dhe arbitrariteti i mazhorances i detyron symbyllazi të gjithë kolegët deputetë të kampit të mazhorances të votojnë pro, pavarësisht se me këtë votë ato do te thyejne jo vetëm besimin e qytetarëve që përfaqësojnë, por me sa duket edhe vetë ndërgjegjen si qytetarë, si profesionistë, si prindër, duke ndrydhur të ardhmen e brezit te mjekëve të rinj, ata për të cilët nesër të gjithë ne do të kemi nevojë.

Kjo nismë e kësaj mazhorance është jo vetëm në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila evokon dinjitetin dhe liritë e qytetarit për të zgjedhur vetë ai punësimin sipas profesionit, por obligimi për puënsim me detyrim, të ngjall një kthim pas ne të kaluarës se errët totalitare.

Sërisht si ligjvënëse, si njohëse e mirë e cështjeve të shëndetësisë kam ndarë shqetësimin, gjatë këtyre ditëve me kolegë, profesionistë e studentë të cilët më kanë konfirmuar të njëjtat shqetësime. Për këtë nisëm qeveria, Këshilli i Ministrave si propozuese, ka tejkaluar cdo procedurë të shëndetshme demokratike dhe institucionale.

Janë anashkaluar grupet e interesit, Urdhëri i Mjekut, organizatat studentore, dhe të gjithë hallkat e tjera, duke mosmarrë asnjë mendim, duke mos dëgjuar asnjë zë, asnjë konsultim publik, por duke ndërmarrë një vendimarrje të qëllimtë e cila do të krijojë pasoja, jo vetëm tek studentët e mjekësisë por më gjërë.

Kryeministri Rama, pretendon se kjo nismë do të ndalojë ikjen e mjekëve, tashmë qartësisht e evidentueshme, ikje masive përgjatë 10 viteve të qeverisjes së tij.

Në vend të korigjonte dhe të adresonte arsyet e vërteta e kësaj ikje masive të profesionistëve për shkak të kushteve të disfavorshme, trajtimit financiar jo të mjaftueshëm dhe mungesë totale për zhvillim profesional të mjekëve shqiptarë, zgjodhi ti obligojë me punësim të detyruar.

Ku është parë ky model?

Në cfarë vendi tjetër të Europës apo Rajonit tonë aplikohet ky model?

A e di kryeministri Rama që në shumë vende të rajonit tarifat e studimit të universitetit janë disa herë më të ulta nga cfarë paguajnë sot studentët shqiptarë?

A e di ai, se librat dhe materialet didaktike janë po ashtu edhe falas?

A e di ai, se infrastruktura e universiteteve, laboratorëve dhe kërkimit shkencor, në disa vende të rajonit konkurojnë edhe vendet e BE?

A e di që ka plotika reale subvencionimi për ti mbajtur mjekët e rinj në vendin e tyre?

Kjo nisëm nuk do ta përmbajë hemoragjinë e ikjes së studentëve dhe mjekëve nga Shqipëria, përkundrazi, kjo nismë mund ta nxisë edhe më tej. Që sot gjimnazistët do të nisin ta mendojnë dy herë, nëse do të duan ti nisin studimet në vendin e tyre. Ç’ka përkthehet në ikje, që në studim jashtë vendit. Krijimi i kostove shtesë për familjet e tyre. Nxitje për një zbrazje edhe më të madhe të brezit të ri, vetë ardhmërisë kombëtare.

Sot kjo nismë për punësim të detyruar ka filluar tek studentët e mjekësisë, por nuk do të jetë vonë që projektligje të tjera të sillen sërisht në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe për infermierët, për laborantët e të gjitha profesionet e ndryshme të shërbimeve të përkujdesit shëndetësor. Kjo do të nxisë edhe më shumë ikjen e brezit te ri dhe profesionisteve te tjere.

Ndaj kjo makutëri duhet ndalur sa më parë, duke kundërshtuar nëpërmjet çdo mekanizmi ligjor dhe institucional.

Ne nuk kemi luksin të humbim një brez të ri.

Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë politika me në qëndër qytetarin, nga ligjvënës dhe ligjbërës të përgjegjshëm.