Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në do të jetë në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj, në Report Tv.

 

Më poshtë disa nga përgjigjet e zotit Basha:

 

Edi Rama, Erion Veliaj, ministrat dhe drejtorët e tyre janë në panik për shkak të drejtësisë, për shkak të SPAK-ut. Por ajo pjesë e deputetëve që i thotë vetes opozitë në vend që të inkurajoj SPAK-un, po bën të njëjtën gjë si qeveria, po amniston të korruptuarit, po sulmon SPAK-un në mënyrë të papranueshme dhe po pamundëson avancimin e reformës zgjedhore. Pra, kush ka dy sy në ballë dhe dy pare mend në kokë që thonë shqiptarët, e kupton që kanë interesa të përbashkëta. Janë bashkë për interesat e tyre dhe janë vendosur kundër interesave të shqiptarëve. Dhe jo thjesht kundër interesave të Partisë Demokratike, jo thjesht kundër interesave të opozitës, janë vendosur kundër interesit publik.

 

Politika e mitit, politika e tifozerisë pa u bazuar në një analizë personale. Për shumë nga këta njerëz, për fat të keq këtë e kanë transmetuar edhe tek elektorati. Nuk ka nevojë të kesh mend e tua, nuk ka nevojë të kesh kokën tënde mbi supe, mjafton të shfaqësh një luajalitet tëndin pothuajse tribal ndaj liderit, të sigurosh një vend mundësisht në listën e deputetëve dhe në këtë mënyrë është krijuar tribalizmi politik në Shqipëri në të dyja krahët e politikës. Kundër kësaj qëndrojmë ne, kundër kësaj faktikisht kam qëndruar jo pa dështimet e mia, edhe gjatë kohës që kam pasur përgjegjësi  qeverisëse në vend dhe kjo në fakt më ka distancuar edhe nga kolegët e tjerë në Partinë Demokratike. Në fakt kjo është edhe tipari kryesor që na diferencon nga të gjithë faktorët e tjerë qoftë nga PS, qoftë nga faktorët e tjerë që i thonë vetes opozitë sot. Këta në një farë mënyre janë në të njëjtin ekosistem, pra, ndajnë të njëjtën mënyrë të të bërit të gjërave, të komunikimit publik, të fshehjes të së vërtetës, dhe të një bilanci tërrësisht të dështuar. Përballë kësaj ka një kulturë të re politike dhe jo më kot sulmet ndaj meje nuk reshtin, sepse suksesi i kësaj politike të re është edhe fundi i tranzicionit dhe fillimi i normalizimit në Shqipëri. Ajo që pretendoj unë dhe bashkëpunëtorët e mi me Partinë Demokratike, është sjellim një fytyrë normale, një fytyrë njerëzore të politikës.

 

Komisioni për Dezinformimin është “më çoi halla me la gojën”. Çfarë do bëjë ky komision, do bëjë verifikime? Po ne kemi Shërbimin Informativ Shtetëror, ke policinë e shtetit me drejtoritë përkatëse, ke AMA-n, ke drejtorinë e tatim taksave, ke Drejtorinë për Pastrimin e Parave të Pista. Pra, kemi të paktën 5, se ke dhe të tjerë që bëjnë verifikime, që bëjnë mbledhje informacioni. Derisa është komision parlamentar, mund të thuhet që do të merret me legjislacionin. Po kemi dy komisione të përhershme, kemi Komisionin e Medias në qoftë se bëhet fjalë për dezinformimin në nivel mediatik, Komisionin e Sigurisë Kombëtare në qoftë se bëhet fjalë për faktorë të tretë jo mediatik, spiunazh, lobim, etj. Atëherë për çfarë e ke këtë? Është një mbivendosje teatrale që jo më kot doli javën kur filloi arrestimi masiv i drejtorëve të Bashkisë së Tiranës dhe ministrave të qeverisë. Në pamje të parë është një akt, apo një xhest propagandistik.

 

Të më thërrasin si dëshmitar në Komisionin Parlamentar për Sistemin Tims do të shkojë. Por ne bëjmë sikur kemi institucione, por nuk kemi institucione. Kjo është një inerci shkatërruese dhe vetshkatërruese, e diktuar nga kjo politikë e mbrapsht. Se kam fjalën vetëm për këtë rast. Si mundet që për cështje të tilla serioze, të komunikohet përmes statuseve apo përmes medias. Sigurisht në qoftë se ka një kërkesë nga komisioni padiskutim që do të shkoj dhe do të shkoj me dëshirën më të madhe se nuk kam pak për të thënë.

Ajo që ka ndodhru me sistemin Tims, është ajo që ka ndodhur me çdo sistem tjetër të të dhënave konfidenciale të shtetasve shqiptarë. E pamë në zgjedhjet e 2021-shit se si u kompromentuan këto të dhëna, shohim në mënyrë të rregullt sulme të suksesshme të hakerave, sa nga Irani sa nga vendet e tjera dhe një larje duarsh nga qeveria nga përgjegjësia dhe qeverisja. Edhe kjo vërteton që qeverisja është e dështuar dhe de facto e dorëhequr nga përgjegjësitë që ka, duke nisur nga përgjegjësitë që ka për sigurinë kombëtare. E padiskutim Timsi ka të bëjë me sigurinë kombëtare, ka të bëjë me rendin publik, ka të bëjë me luftën kundër kriminalitetit.