DEKLARATË E DEPUTETES DHE ANËTARES SË KRYESISË SË PD,  MERITA BAKIU

 

 

Të nderuar qytetarë,

Mungesa e transparencës dhe arroganca e qeverisë po tentojnë të izolojnë një komunitet të tërë sic është dhe Bashkia Krujë.

Që prej fillimit të punimive të aksit Thumanë-Krujë, qytetarëve po i mohohet një ndër të drejtat themelore, ajo e të bërit transparencë të projektit përfundimtar.

Ky aks përshkruan një pjesë të konsiderueshme të terriorit nën administrim lokal të Bashkisë Krujë, por në mungesë të një transparence mbi hyrje-daljet e këtij aksi kaq të rëndësishëm, rrezikohet të lihet e braktisur nga kjo nyje me rëndësi infrastrukturore për ekonominë e zonës.

Qindra e mijëra biznese, fermerë dhe qytetarë po rrezikohen të mbeten të izoluar, ndërkohë qeveria dhe institucionet përgjegjëse refuzojnë të bëjnë publike projekt-zbatimin përfundimtar të aksit Thumanë-Kashar.

Prej gati një viti, banorët e bashkisë Krujë, kanë protestuar dhe ngritur zërin për këtë mungesë vëmendje e transparence e Qeverisë. As pushteti vendor i cili është shndërruar thjeshtë në një zgjatim të qeverisë, nuk e adreson këtë problematikë kaq thelbësore për qytetarët.

Në cilësinë si deputete e Qarkut të Durrësit e në vecanti si përfaqësuese e dhjetra e mijëra qytetarëve të bashkisë Krujë kam depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë pyetjesh drejtuar Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Në mënyrë të paprecedentë dhe në shkelje të Rregullorës së Kuvendit, e ligjit për statusin e deputetit, të treja këto institucione, përfshirë Kryemnistrinë jo vetëm kanë tejkaluar afatet proceduriale të parashikuara por dhe refuzojnë të jenë llogaridhënese ndaj përfaqësues së dhjetra mijëra qytetarëve të Krujës në Kuvendin e Shqipërisë.

Me të njëjtën arrogancës deputetët e Partisë Socialiste, kanë nisur para-fushatën e premtimeve, por duke refuzuar të përballen me qytetarët e Krujës mbi cështjen e aksit Thumanë-Kashar.

Qartazi Edi Rama dhe Ministria Balluku nuk e kanë vëmendjen tek qytetarët, zhvillimi ekonomik, bizneset, e mirëqënia e qytetarëve të bashkisë Krujë, të cilët rrezikohen të izolohen nga një aks me rëndësi kombëtare.

Edi Rama dhe Belinda Balluku po vijojnë të abuzojnë e vjedhin paratë e taksapaguesve shqiptarë e qytetarëve të Bashkisë Krujë, me një projekt infrastrukturor si ai Thumanë-Kashar i cili ndonëse ka një kosto ndërtimi 5 herë më të shtrenjtë se në BE, po rrezikon përjashtimin dhe izolimin me arrogancë të një komuniteti si ai i Krujës, duke rrezikuar të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik të saj.

Ndaj sot si deputete, përfaqësuese e vullnetit të dhjetra mijëra qytetarëve të Bashkisë Krujë, dhe njëherazi si qyteare e Krujës, do të kërkoj një interpelancë urgjente me Ministren Balluku për mungesën e transparencës ndaj qytetarëve të Krujës dhe rrezikut të izolimit të tyre nga aksi Thumanë-Kashar.

 

Ju faleminderit!