Partia Demokratike përmes përfaqësuesit ligjor, Indrit Sefa, ka dorëzuar kërkesën e radhës ditën e sotme në Gjykatën e Lartë, ku kërkoi zbardhjen e vendimit në një kohë sa më të shpejtë, ndërkohë që ka kaluar 2 muaj nga vendimi i datës 27 dhjetor 2023, që vendosi të kthejë për rishqyrtim në Apel çështjen gjyqësore për “vulën” e Partisë Demokratike.

 

Zoti Sefa pati dhe një deklaratë për mediat para Gjykatës së Lartë, i cili u shpreh:

 

PD ka bërë kërkesën e tretë zyrtare depozituar gjykatës së lartë për zbardhjen e vendimit të datës 27, për t’i dhënë mundësi kësaj gjykate që të japë vendim për çështjen e PD. Po mbush praktikisht dy muaj dhe është jashtë afateve për shkeljen e vendimit. Ne duam që zgjidhja gjyqësore e PD të jetë përfundimtare dhe e shpejtë. Ne flasim zyrtarisht me gjykatën. Në datën 27 janar ishte kërkesa e parë. Do bëjmë kërkesa të vazhdueshme deri në zbardhjen e vendimit. Ky është detyrim që ka gjykata. Duhet të përshpejtohen procedurat. Ne duam që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, që demokratët të jenë të qartë për ligjet drejtuese të organeve të PD-së.