Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar ditën e sotme në Komisionin për Çështjet Ligjore, amendamentin e PD për amnistinë penale. Në propozimin e tij, Alibaj ka kërkuar lirimin nga burgu dhe nga proceset gjyqësore të protestuesve të opozitës për periudhën kohore nga 1 tetori i vitit 2018 deri në 31 dhjetor të vitit 2020.

Sipas deputetit të PD, këta qytetarë janë në konflikt me ligjin për arsye politike, ekonomike dhe sociale. Ai gjithashtu përmendi disa nga tubimet që janë arrestuar qindra qytetarë, si ajo banorëve të Astitit, protestën e qytetarëve kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, protestën e banorëve të Bregut të Lumit, protestat e banorëve në zonën e Shkozës, protestën e studentëve si dhe protestën për vrasjen policore të të riut Klodian Rasha.

 

Fjala e deputetit Enkelejd Alibeaj në Komisionin e Ligjeve ku prezantoi amendamentin e PD për amnistinë penale:

 

Alibeaj: Siç e bëra me dije unë kam depozituar një amendament pranë Kuvendit për amnistinë penale. Akti I amnistisë mbi të gjitha është një akt mëshire. Është ky frymëzimi kryesor mbi të cilën do të duhet të motivohet dhe të shtrihet dimensioni i impaktit që një ligj amnistie duhet të japëduhet të jemi të vemendshëm që kjo ndërhyrje është në fakt një ndërhyrjë në produktin e sistemit të drejtësisë. Nuk duhet të bien ndesh me performancën, me veprimtarinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorisë. Ky është një limit delikat dhe ky duhet të jetë një nga konsideratat  që do të duhet ta kemi parasysh të gjithë. Në këndvështrimin tonë, Shqipëria ndodhet sot në një shtet policer, pavarësisht se kolegët nuk e thonë, por po ti kthehesh fjalës së gjithësecilit në vetëdije të motivuar nga fakti që ky vend është shëndërruar në një shtet policer, ku për cështjet më minimale të natyrës ekonomike, sociale dhe politike është rreptësia policore që ka sjellë si produkt  edhe një mbipopullim të veprimtarisë së prokurorive dhe të gjykatave dhe për pasojë të sistemit të drejtësisë. Ndaj ky është një nga motivet pryesore që më ka shtyrë për të paraqitur këtë amendament të cilin po e prezantoj.

Amendamenti i paraqitur nga PD synon të rregullojë situatën kategorike  specifike të qytetarëve të cilët kanë rënë në konflikt me ligjin për një arsye politike dhe për qytetarë të cilët kanë marrë pjesë në protestat e ogranizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politik të saj në një periudhë që sipas ekspertëve tanë kanë bërë, nga 1 tetori i vitit 2018 deri në 31 dhjetor të vitit 2020. Dhe dua ta bëj të qartë për këdo, përgjegjësia për organizimin e këtyre protestave është e jona, të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Ne kemi detyrimin që përgjegjësinë politike ta mbajmë ne dhe të lehtësojë padrejtësinë juridike që u është bërë të gjithë këtyre qytetarëve që kanë rënë në këtë konflikt me ligjin. Ju kujtoj dhe është një nga synimet tona nëpërmjet këtyre amendamenteve që të përfshihen edhe qytetarë të cilët kanë organizuar edhe spontanisht protesta qytetare dhe po i përmend disa me idenë që edhe kjo pjesë e relacionit të amendamenteve të bëhet pjesë e dokumenteve parlamentare.

Bëhet fjalë për serinë e protestave të banorëve të zonës së Astirit zë zhvilluar në një kohë relativisht të gjatë ditë për ditë për një të drejtë ekonomike dhe sociale. Së dyti, bëhet fjalë për serinë e protestave të organizuara kundër shembjes së Teatrit Kombëtar këtu në Tiranë. Edhe në atë rast ka pasur qytetarë që për arsye të natyrës politike për të mbrojtur një vlerë të trashëgimisë kulturore, u ndodhën nën prangat e policisë, e për pasojë edhe nën procedimin e prokurorisë dhe të gjykatave. Së treti, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit. E mbani mend se çfarë ka ndodhur, po j’ua kujtoj edhe ndërhyrjen brutale të policisë në 5 të mëngjesit me gaz lotsjellës për t’i nxjerr nga shtëpitë e tyre të ndërtuara me gjakë dhe mund dhe për t’i lënë në rrugë të madhe. Jo vetëm kaq, por një pjesë e madhe prej tyre përfunduan në sallat e prokurorive dhe gjykatave. Kështu edhe seria e protestave të zonës së Shkozës, e njëjta situatë si ajo e Bregut të Lumit. Së fundmi është edhe seria e protestave të studentëve. E mbani mend, kërkesat e tyre të drejta të cilat nuk morë një përgjigje nga ana e qeverisë përveçse shkopinjve të gomës dhe procedimit penal. Dhe ju kujtoj këtu edhe një ngjarje të dhimbshme, ishin protestat e zhvilluara nga qytetarët kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha. Qytetarë të irrituar nga ato skena të ashpra, dramatike, tragjike që ndodhën nën reptësinë policore e më pas të prokurorive dhe gjykatave.

Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat tona të Partisë Demokratike, të cilat shpesh kemi ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë këtyre protestave të kësaj periudhe, për shkak edhe të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej tyre siç e thashë ndodhen në konflikt me ligjin. Ka pasur një debat të nxehtë mbi politizimin dhe padrejtësitë e veprimeve të organeve ligjzbatuese të ngarkuara për ndjekje penale, mbetet fakt se një numër i lartë i qytetarëve janë proceduar penalisht për veprat penale të tilla si: shkatërrim i pronës, shkatërrim i pronës me zjarr, kundërshtim i punonjësit që kryen detyrë shtetërore, kundërshtimin e punonjësit të policisë, kundërshtimit për shkak të detyrës dhe shkeljes së rregullave për lnëndët plasëse dhe djegëse, të parashikuara këto respektivisht nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të kodit penal. Sipas të dhënave tona disa prej tyre kanë përfunduar me dënimin e protestuesve dhe një pjesë tjetër janë në shqyrtim e sipër nga prokuroritë dhe gjykatat.

 

Më poshtë amendamenti i plotë:

 

AMENDAMENT

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN
“PËR DHËNIE AMINISTIE”

Në mbështetje të nenit 71, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj, në projektligjin “Për dhënie amnistie”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3, pika 1 shtohet shkronja ë) me përmbajtjen si vijon:

“ë) personat e dënuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282 të Kodit Penal, të kryera gjatë tubimeve ose protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020”.

Neni 2

Në nenin 4, pika 1, shkronja k) hiqet numri “237”.

Neni 3

Pas nenit 6, shtohet neni 6/1 me përmbajtjen si vijon:

“Neni 6/1
Dhënia e amnistisë nga ndjekja penale për protestuesit

Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera gjatë tubimeve apo protestave politike dhe qytetare të organizuara në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020, të parashikuara nga nenet 150, 151, 235, 236, 237 dhe 282, të Kodit Penal”.

D E P U T E T I

Enkelejd Alibeaj

R E L A C I O N

PËR AMENDAMENTIN

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DHËNIE AMNISTIE”

Në Kuvendin e Shqipërisë ka filluar procedura legjislative për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për dhënie amnistie”, me propozim të Këshillit të Ministrave. Në mbështetje të nenit 71 pika 1 të Rregullores së Kuvendit, që njeh të drejtën e cdo deputeti për të paraqitur amendamente gjatë procesit legjislativ, ju paraqes këtë amendament.

Fillimisht theksoj se amnistia përbën një akt parlamentar mëshire për qytetarët që dyshohen ose janë dënuar për shkelje të ligjit penal, që passjell edhe përfitime për uljen e mbipopullimit në burgje, reduktimin e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata. Në këtë kuadër, amendamenti i paraqitur synon të rregullojë situatën e një kategorie specifike qytetarësh, të cilët kanë hyrë në konflikt me ligjin për arsye politike. Bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020. Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha.

Sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat e Partisë Demokratike, që shpesh kanë ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë protestave të kësaj periudhe dhe për shkak të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej protestuesve kanë hyrë në konflikt me ligjin. Edhe pse ka pasur një debat të nxehtë politik mbi politizimin dhe padrejtësinë e veprimeve të organeve ligjzbatuese të ngarkuara për ndjekjen penale, mbetet fakt se një numër i lartë qytetarësh janë proceduar penalisht për veprat penale të shkatërrimit të pronës, shkatërrimit të pronës me zjarr, kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të kundërshtimit të punonjësit të policisë, të goditjes për shkak të detyrës dhe të shkeljes së rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, të parashikuara respektivisht nga nenet 150, 151, 235 236, 237 dhe 282 i Kodit Penal. Disa prej këtyre procedimeve penale janë përfunduar me dënimin e protestuesve, ndërsa një pjesë tjetër janë në shqyrtim e sipër nga prokuroria dhe gjykata.

Duke mbajtur në konsideratë këtë situatë, amendamenti është formuluar me tre nene. Neni 1 i referohet protestuesve që tashmë kanë marrë cilësinë e të dënuarit. Neni 2 ka saktësuar formulimin ekzistues të projektligjit që flet për kriteret ndaluese të amnistisë dhe për ta përputhur me qëllimin e amendamentit. Ndërsa neni 3 rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë. Duhet vënë re se për këtë kategori të fundit propozohet një nen më vete, pra pa u përfshirë në rregullimet e nenit 6, me qëllim që kushtet ndaluese të këtij të fundit (personat që i janë shmangur ndjekjes penale dhe subjektet e cilësuara) të mos gjejnë zbatim gjatë amnistisë së ndjekjes penale të protestuesve.

Vlerësoj shumë të rëndësishme, që ky relacion, i këtij amendamenti, të bëhet pjesë e plotë e relacionit të projektligjit. Në këtë mënyrë, ky dokument parlamentar zyrtar, t’iu shërbejë gjykatave dhe prokurorive përkatëse, përgjatë zbatimit rast për rast të, si dokument për interpretimin autentik të dispozitave penale bazuar në cmuarjen e rrethanave faktike, mbi të cilat janë ngritur akuzat përkatëse. Dimensioni kohor (periudha 01.10.2018 – 31.12.2020) është njëri nga elementet, veprimtaria përgjatë angazhimit në tubime dhe ngjarjet në lidhje logjike e kronologjike me to (shumica e të cilëve janë zhvilluar edhe në episode të përditëshme) është elementi i dytë, së treti tubimet të konsiderohen si ato që ka organizuar Partia Demokratike ashtu edhe tubimet që janë organizuar spontanisht nga publiku apo nga shoqëria civile për ngjarjet me impakt publik, si ato të listuara më lart në këtë relacion.

Sa më lart, vlerësoj se lehtësimi i pozitës së këtyre protestuesve me anë të amnistisë ka një impakt pozitiv në disa drejtime. Amnistia do të shërbejë për rehabilitimin e secilit prej tyre, përfshi rrethin e tyre familjar dhe shoqëror, por edhe si një tregues i rëndësishëm se Kuvendi i ka kushtuar rëndësi kësaj kategorie qytetarësh, të cilët janë proceduar penalisht për shkak të pjesëmarrjes në protesta për garantimin e të drejtave të tyre politike, ekonomike dhe të pronësisë, të drejta themelore të sanksionuara në Kushtetutë.

D E P U T E T I

Enkelejd Alibeaj