Kryetari i Partisë Demokratike,  Lulzim Basha,  ishte sot në Gramsh,  duke vijuar në këtë njësi turin e tij të takimeve me qytetarët në të gjithë Shqipërinë. Kontaktin e parë gjatë paradites e kishte me banorët dhe bizneset e vogla të qytetit me të cilët bisedoi për hallet që ata kanë në këtë zonë ndër më të varfërat në vend. Sipërmarrësit, por edhe qytetarët,  i thanë kryetarit të PD, se situata është e vështirë pasi ka rënë fuqia blerëse dhe rinia ka ikur masivisht.

Kreu i PD, u foli atyre për zgjidhjet që PD ofron me një plan të detajuar për ringritur ekonominë e për të frenuar ikjen masive të shqiptarëve.

“Ne kemi zgjedhur të qëndrojmë çdo ditë pranë njerëzve, në një bashkëbisedim të vazhdueshëm me shoqërinë, për të ndërtuar të gjithë bashkë të ardhmen që familjet shqiptare meritojnë”, – tha Basha gjatë bisedave me qytetarët e sipërmarrësit.