Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, ka denoncuar sërish projekt-buxhetin për vitin 2024 ku shprehet se nuk është për qytetarët.

Sipas deputetes demokrate, ky projekt-buxhet nuk adreson nevojat bazë të pensionistët, duke e lënë këtë shtresë të rëndësishme të shoqërisë në mjerim dhe në mbijetesë nën kufirin e varfërisë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, NËNKRYETARJA DHE DEPUTETJA E PD, ORJOLA PAMPURI

Projekt-Buxheti për vitin 2024 për qytetarët, nuk adreson nevojat bazë të pensionistët, duke e lënë këtë shtresë të rëndësishme të shoqërisë në mjerim dhe në mbijetesë nën kufirin e varfërisë.
Rreth 700 mijë pensionistë përballen çdo ditë me rritje të çmimeve të produkteve të shportës.

Ndërkohë në tregjet e pakicës në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit vihet re rritje e cmimeve rënie e fuqisë blerëse.

Kjo situatë tejet e vështirë, ia pamundëson pensionistëve në Shqipëri të përballojnë kostot minimale të jetesës, e cila vështirësohet më tej me kostot e shërbimit shëndetësor dhe trajtimit me medikamente.

Kujtojmë që këtë vit, rritja e pensioneve ndodhi vetëm nga 1 tetori pra e shtrirë vetëm përgjatë tre muajve të fundit të vitit, duke bërë që kjo rritje të mos kompensojë as 1/3 e shpenzimeve vjetore të shtuara për shkak të rritjes së çmimeve nga inflacioni.

Po ashtu edhe për vitin 2024, qeveria nuk do të sigurojë një rritje reale për pensionistët, pasi fondi shtesë prej vetëm 38 milion euro, nëse do të nisi të shpërndahet që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të sigurojë një rritje vetëm me 2.4% të pensionit mesatar.

Pra vetëm 500 lekë më shumë në muaj do ti shtohet pensionistëve sipas fondit shtesë për vitin 2024.

Dukshëm kjo rritje nuk do të kompensojë as normën e inflacionit sipas parashikimit më optimist nga qeveria prej së paku 3.7% por dhe as kompensimin e rritjes reale të çmimeve të pritura për produktet bazë të shportës.

Kjo qeveri në 10 vite nuk i ka mundësuar pensionistëve një jetë me dinjitet dhe mbështetje reale për nevojat e tyre.

Pensionistët janë qytetarët më të rrezikuar ndaj varfërisë ekstreme, ku përgjatë viteve të fundit përbëjnë pjesën dërrmuese të popullsisë në varfëri.

Kujtojmë se në një hark kohor vetëm 5 vjeçar, hendeku i midis pensionit mesatar dhe pagës mestare bruto është thelluar me 25%. Referuar të dhënave të INSTAT, nëse në vitin 2018, pensioni mesatar ishte afro sa 1/3 e pagës mesatare bruto, në gjysmën e parë të vitit 2023, hendeku është thelluar me ¼ e pagës mesatare bruto.

Po ashtu përgjatë vitit 2023 pagat u rritën mesatarisht me vetëm 2.15%.

Ndërkohë çmimet e produkteve të shportës për vitin 2023 krahasuar me një vit më parë janë rritur mesatarisht 10-15% më shumë.

Qartësisht për qeverinë më shumë se ¼ e popullsisë së vendit ose afro 700 mijë qytetarë nuk janë prioriteti i saj.

Por për qeverinë Rama janë një grusht njerëzish me interesa ngushtësisht të lidhura me qeveritarët ndaj të cilëve do tu paguhen plot 134 milion euro PPP e konçesione, ku vetëm në Shëndetësi janë 50 milion euro kontrata.

E për të mos mjaftuar qindra miliona euro të tjera do të shkojnë për lluks qeveritar, dhe shpenzime të tjera në dëm të interesit publik, duke nëpërkëmbur qytetarët dhe shtresat më në nevojë.