Mirë se ju gjej vëllezer dhe motra, zonja dhe zotërinj!

I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm, një kohësisht bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, zoti Enkelejd alibeaj, e nderuar zonja nënkryetare, Flutura açka, zoti nënkrzetar Kreshnik Çollaku, të nfderuar anëtarë të Kryesisë, anëtarë të Kolegjit të Kryetarëve, drejtues të demokratëve të Dibrës, mirë se ju gjej në këtë të diel në Dibër dhe ju falënderoj për kohën që keni ndarë bashkërisht për të kominukuar në këtë ditë këtu në dibër dhe përmes Dibrës me shqiptarët dhe me demokratët anembanë vendit.

Jam i vetëdijshëm se në radhët tona, siç e tha edhe kryetari Gazidede, kemi mungesa jo vetëm nga ata të cilët mund të kenë pasur problemet e ditës, por edhe nga dhjetëra e qindra që janë larguar në muajt dhe dy vitet e fundit për shkak të mungesës së shpresës, të dëshpërimit që ka pllakosur anëembanë vendit. Një qeverisje e keqe padiskutim që i mërzit njerëzit. Por mungesa e opozitës, mungea e alternativës nuk është mërzi, është dëshpërim për një vend. Dhe tani dy vite pas një situatë të paprecedentë është koha ta pohojmë se Partia Demokratike për rrethana dhe arsye që nuk kanë të bëjnë me asnjërin prej jush dhe as demokratët e sakrificave kudo ku ndodhen, nuk ishte në krye të detyrës.

Për dy vite me radhë, Partia Demokratike nuk ishte aty ku e duan qytetarët, pranë njerëzve dhe halleve të tyre, zëri ynë nuk u dëgjua për të mbrojtur dhe denoncuar paudhësit dhe padrejtësitë në kurriz të qytetarëve. As për të shpalosur alternativa ndaj një pushteti të lodhur, të korruptuar deri në palcë pa zgjidhje por vetëm me probleme për ta. Por në 29 korrik dhe më as në Kuvendin e 2 shtatorit, demokratët morrën vendimet. Vendimet për të dalë nga kjo gjendje limontie, për të dalë dhe një herë si një alternativë dhe si një opozitë para shqiptarëve në radhë të parë me vendosmërinë për t’u bërë zëri i tyre, dhe për të përçuar zërin e tyre kudo dhe së dyti me vendimin për të rindërtuar dhe një herë alternativën e një pushteti të drejt, nga njerëzit dhe për njerëzit.

Në funksion të interesit publik dhe interesit Kombëtar, në përputhje dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë strategjik euro-atlantik. Ky është një proces që natyrisht merr kohë, por mbi të gjitha është një proces i cili ka nevojë dhe duhet të ngjall shpresën kudo. Shqiptarët kanë nevojë për ndryshim real jo artificial. Dibra ka nevojë për ndryshim real, Shqipëria ka nevojë për ndryshim të vërtetë. Dhe instrument tjetër, përveç angazhimit politik nuk ka. Një nga hiletë, jo vetëm të këtyre dy viteve, por tash sa kohë, është mërzia gjoja me politikën si proces. Kjo është një hile për t’i larguar njerëzit nga angazhimi politik. Sa më shumë të largohen njerëzit nga angazhimi politik, aq më shumë zgjatet jeta në pushtet e atyre që qeverisin. Kjo është një aksiomë e njohur botërisht. NDaj të parët dhe më të interesuarit për t’i çmotivuar, për t’i demotivuar, për t’i larguar, për t’i çangazhuar dibranët dhe shqiptarët nga angazhimi politik, janë ata që sot kanë pushtetin. Sa më pak dibranë, sa më pak të rinj dhe të reja të Dibrës, Bulqizës, Matit dhe të gjithë Shqipërisë, të kenë një interes dhe një angazhim politik, aq më e garantuar është vazhdimi i keqqeverisjes.Ndaj dhe detyra jonë e parë është t’u shpjegojmë njerëzve se civilizimi, qytetërimi botëror që nga momenti që njerëzit kanë dalë nga shpellat dhe kanë ndërtuar komunitetet e tyre, qytetet e tyre, shtetet dhe Kombet e tyre, nuk njeh mjet tjetër për t’i ndryshuar gjërat, për t’i bërë gjërat më mirë sesa angazhimi politik. Njësoj si me futbollin, nuk është një lojë e keqe, mund të jetë një lojë shumë e bukur, natyrisht mund të jetë dhe një lojë shumë e mërzitshme, kjo varet nga cilësia e ekipeve. Edhe politika nuk është e keqe në vetvete. MNë fakt është i vetmi instrument për të ndryshuar, është i vetmi instrument për t’i bërë gjërat më mirë, tëmirë a të keqe, politikën e bëjnë njerëzit, e bëjnë politikanët.

Dhe kështu ishte edhe ndryshimi i kushtetuetës në 2008-ën, u shit si një reformë Kushtetuese me konsensus midis PD-së atëherë në pushtet dhe PS-së atëherë në opozitë. Po çfarë solli? Solli listat e mbyllura proporcionale, me kandidat për deputet të emëruar nga kryetarët e partive, me kandidat për deputet që as nuk kishin nevojë dhe as nuk e bënin më kontaktin me qytetarët. E rëndësishme për ta ishte që të kishin marrëdhënien me kryetarin. Prej fillimit të degradimit të një Republike të re të ndërtuar mbi parimet e përfaqësimit dhe zgjedhjes me delegim të atyre që marrin vendimet. Nuk mund të mblidhet Dibra, s’ka kuvend të madh për ta mbledh gjithë Dibrën. Pavarësisht në këngët tona i këndohet kësaj tradite kur bëhet fjalë për të deleguar. Dhe këta të deleguar sot janë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë. Po kush i delegon ata, kush i çon në atë sallë për të marrë vendime? Deri në 2008-ën me sistemin mazhoritar me korrektim proporcional, i çonin qytetarët e këtij vendi, prej 2008-ës deri më sot, i caktojnë kryetarët e partive.

Ky ishte një ndryshim negativ, një prapakthehu në rrugën e shkurtër dhe të tatëpjetë të demokracisë së shqiptarëve. Ndaj sot jemi këtu për të folur për ndryshimin që kanë nevojë njerëzit. Por jo thjesht teorikisht, praktikisht si është e mundur, si mund ta mundësojmë angazhimin e qytetarëve tanë, të atyre që duan të dëgjohen, që duan të përfaqsohen dhe të cilët i nxisin të bëhen pjesë e kësaj rruge të re që kemi nisur jo për veten tonë, as thjesht për demokratët dhe Partinë Demokratike, po për të gjithë shqiptarët. Si mund t’i nxisim të bëhen pjesë shqiptarët të zgjedhin dhe të kërkojnë të zgjidhen për të përfaqësuar më të mirën, interesin më të mirëtë qytetarëve në parlament? si mund të garantojmë që parlamenti i ardhshëm i cili do të konstituohet jo më vonë se një vit e gjysmë nga ky moment që flasim, ndoshta më herët por kurrsesi jo më vonë, të jetë në fakt një Kuvend i shqiptarëve dhe për shqiptarët. Dhe jo një përfaqësues i një grushti njerëzish dhe i interesave të tyre personale. Kjo është ajo për të cilën kemi ardhur sot dhe për të cilën pas meje do të marrë fjalën bashkëkryetari për Reformën Zgjedhore, zoti Alibeaj, Serketari i Përgjithshëm. Sekretari i çështjeve elektorale dhe ligjore zoti Sefa dhe Serkretari për Reformën Zgjedhore zoti Kthupi. Para se të kem nderin dhe kënaqësinë t’iu jap fjalën për të shpjeguar para jush platformën e Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore, më lejoni shkurtimisht të shpjegoj disa nga parimet dhe çështjet kryesore sa na takon ne të kësaj reforme dhe natyrisht të vazhdojmë këtë bashkëbisedim në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë.

Listat e hapura, janë antidota, janë vaksina kundër ndryshimeve Kushtetuese të 2008-ës që e mbyllën në kafaz vullnetin e votueseve shqiptarë dhe përcaktuan që kryetarët e partive tash e tutje do të jenë ata që përcaktojnë listat e mbyllura. Listat e hapura, do të mundësojnë që dibranët dhe të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të çojë në Kuvendin e Shqipërisë njerëzit që ata besojnë më shumë, ata që kanë reputacion, ata që gëzojnë respektin tuaj, ata që ua dinë hallet, ata që u janë në krah në ditë mira e në veçanti në ditë të vështira. Ata që ngrenë zërin sa herë që dhunoheni apo ju nëpërkëmben të drejtat nga policia apo nga tatimorët, nga inspektorët apo kushdo tjetër në administratë që e trajton shtetin si çifligun e vet dhe jo si vullnatin e përbashkët që mbahet në këmbë falë taksave që gjithësecili prej jush paguan. Këta njerëz të cilët kanë dhënë, japin dhe duhet të vazhdojnë të japin prova se janë të denjë për besimin tuaj, do tëjenë në gjendje ta marrin këtë besim përmes votës ditën e zgjedhjeve dhe pastaj javë për javë të kthehen pranë jush për të shpalosur se si po i mbajnë premtimet, se si po i mbrojnë apo promovojnë interesat tuaja, jo interesat e një grushti politikanësh në Tiranë.

Se si po mbrojnë pronën tuaj, pasurinë tuaj, djersën tuaj, të drejtat tuaja dhe natyrisht të ngrëejnë zërin ditë për ditë para institucioneve këtu në Dibër, në Tiranë dhe kudo këto të drejta promovohen, apo duhet të promovohen apo shkelen dhe nëpërkëmben në thyerje të ligjit dhe të Kushtetutës së vendit. Përfaqësues të poppullit pra, jo përfaqësues të një grushti njerëzish, jo përfaqësues të kryetarit të partisë, jo përfaqësues të interesave të errëta dhe të pazareve okulte. Listat e hapura janë fundi i oligarkisë politike të vendosur me konsensus në 2008-ën dhe të kthyer në një pazar të vazhdueshëm në kurriz të interesave të qytetarëve.

Por ne të gjithë e dimë realitetin, të gjithë i njohim kufizimet e sistemit politik për t’u marrë me një nga problemet më të mprehta të tranzicionit që është trajtimi i institucioneve të vendit, i parlamentit, i bashkive të vendit si një mburojë për ata që kanë probleme me ligjin apo si një baxho personale për ata që duan të shtrydhin favore dhe të krijojnë pasuri në kurriz të taksave të qytetarëve. E kam fjalën për ata që në çdo palë zgjedhje fusin kandidat apo vet garojnë për të blerë vota, jo për të fituar besimin. Kështu që kur të marrin karrigen e pushtetit, t’iu kthejnë kurrizin dhe t’iu thonë: Çfarë doni? Unë ju pagova për atë që më dhatë. Sikundër e kam fjalën për ata që vijnë nga bota e errët e krimit apo janë të lidhur me interesat e botës së errët të krimit dhe pushtetin e shohin si mburojë nga ligji dhe nga drejtësia. Listat e hapura nuk e zgjidhin këtë problem, madje dikush mund të thotë që potencialisht e bëjnë edhe më të rëndë. Ndaj listat e hapura mund dhe funksionojnë vetëm nëse Parlamenti i Shqipërisë voton Vettingun për Politikanët. Projektligj i cili parashikon që institucionet përkatëse të shtetit shqiptar, në mënyrë të detyrueshme sot e kanë fakultative, në mënyrë të detyrueshme të hetojnë pasurinë e çdo politikani dhe familjarëve të tij apo të saj, apo të rrethit të tij apo të saj shoqëror dhe nëse kjo pasuri nuk është e justifikuar, të përfundojnë mandatin e këtij politikani dhe ta nxjerrin jashtë institucioneve që duhet të përfaqësojnë shqiptarët dhe jo interesat vetjake të politikanëve të korruptuar.

E njëjta gjë për ata politikanë që kanë lidhje të papërshtatshme siç e kemi mësuar nga kronikat e lajmeve që është arsyeja për largimin e kaq shumë magjistratëve shqiptar të cilët ishin aty për të mbrojtur qytetarët nga shkeljet e ligjit, por në fakt mbronin inetersat e atyre që shkelnin ligjin në kurriz të qytetarëve shqiptarë, e kam fjalën pra për politikanët me lidhje me krimin e organiyuar. Vettingu i politikanëve është parakusht për mirëfunksionimin e listave të hapura. Propozimi ynë i tretë në fakt ka të bëjë me zbatimin e një vendimi tashmë edhe të gjykatës Kushtetuese, i cili brenda datës 18 dhjetor duhet të kthehet në ligj në Parlamentin shqiptar. Ndaj përfaqësuesve tanë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, i bashkëdrejtuar nga zoti Alibeaj, së shpejti do të shpalosim propozimet për votimin e emigrantëve. I rikthehem asaj që thamë pak më parë, që edhe në këto muaj qindra janë larguar nga Dibra, mijëra në këto dhjetëra vite. Mijëra dibranë që vazhdojnë të jenë këtu me shpirt, me mendje dhe me kuletë, pa të cilët ekonomia shumë e dobët e Dibrës do të sihte edhe më katastrofë. Njerëz të cilët praktikisht djersën e tyre, sakrificën e tyre, mundin e tyre kudo punojnë e jetojnë, e kanë vënë në funksion të krijimit të një ekonomie të dytë shqiptarësh, jo brenda por jashtë territorit të Shqipërisë. Dhe këtë ekonomi nuk e përdorin për qejfin e tyre, për luksin e tyre, por e bashkëndajnë me prindërit e tyre, me fëmijët e tyre, me të afërmit e tyre në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë.

Një Shqipëri e dytë njerëzish punëtor, të cilëve u është mohuar mundësia për të punuar në Shqipëri, për të krijuar dhe punuar këtu për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre, por që e bëjnë këtë jashtë vendit të tyre dhe pastaj kontribuojnë me pothuajse gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto në Shqipëri. Me ndihma për familjarët, me investime në shtëpitë e tyre nëpër fshatra, me blerje apartamentesh nëpër qytete, me mbështetjen financiare të sipërmarrjeve të kushërinjve të tyre, me subvencionime të kushërinjve apo të afërmve të tjerë të cilët kanë rroga të pamjaftueshme për shkak të nivelit të ulët ekonomik qoftë në sektorin privat apo në sektorin publik. Njerëz pra si ne, vëllezërit tanë, motart tona, jetojnë jashtë, mendjen e kanë këtu, shpirtin e kanë këtu, paratë që fitojnë atje i harxhojnë këtu. Por nuk përfaqësohen me votë, ndonëse kodi zgjedhor e ka që ata duhet të votojnë, ndonëse Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ata duhet të votojnë. Nuk përfaqsohen me votë, sepse iu prishen skemat atyre që proceset zgjedhore i shohin si mundsi, si oportunitete për të kapur apo për të mbajtur pushtetin për inetersa personale.

Partia Demokratike, unë personalisht jemi në një kontakt të vazhdueshëm me shoqatat dhe përfaqësuesit e emigrantëve shqiptarë anëembanë botës, nga Italia në Greqi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Britaninë e Madhe, Gjermani, Francë, Zvicër e kudo. Dhe njëzëri ata kërkojnë vetëm një gjë, t’iu njihet e drejta për përfaqësim, t’iu njihet e drejta për të kontribuar edhe vendimmarrjet politike të vendit, përmes të drejtës së votës, përmes të drejtës për të votuar dhe për të pasur mundësinë për të zgjedhur dhe ata deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një angazhim i marrë solemnisht nga të gjitha partitë politike, por i pazbatuar asnjëherë. Vëmendja jonë, energjia jonë, përkushtimi ynë ështëqë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare emigrantët të kenë mundësi si çdo shqiptar të votojnë aty ku jetojnë, pavarësisht prej aksesit apo jo në dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar, duke përdorur përvojat më të mira të votimit emigrantëve në Europë dhe botë.
Por në përvojat më të mira është edhe votimi elektronik. Votimi elektronik thjeshton kaq shumë, jep transparencë çdo hallke të procesit që nga identifikimi, tek votimi i kontroluar në kuptimin e mundësisë për manipulim, ndryshe nga çprtendohet, me dy mundsi elektronike dhe natyrisht çdo aparat votimi elektronik, ka dhe kutinë ku depozitohet vota fizike, pra vota me letër dhe këto makineri nuk janë të lidhura me internetin, pra nuk kanë mundësinë të manipulohen nga jashtë. Votimi elektronik mundëson që që votimi i emigrantëve të jetë sa më i lehtë, sa më i kollajt dhe nga ana tjetër mundëson që shqiptarët brenda Shqipërisë ë mos i nënshtrohen avazeve të vjetra që nga fillimi i procesite deri tek numërimi me ditë e ditë të tëra. Natyrisht ka një kosto financiare që bëhet një herë por e cila është plotësisht e justifikuar. Sepse edhe të votosh me letër ka një kosto fiananciare.

Kosto financiare e makinerive për votimin elektronik, është sa tre apo katër procese normale apo klasike me letër. Po kjo nuk është e vërteta e plotë. Cila është kosto e ekonomisë shqiptare, kur 3, 4 apo 5 ditë dibranët dhe shqiptarët anëembanë vendit mbërthehen para televizorit, sipërmarrjet ulin xhirot duke pritur fundinn e numërimit, natyrisht është e pallogaritshme. Ndaj nuk kam asnjë alibi për të mos pajisur Shqipërinë me infrastrukturën elektronike të votës, që edhe shqiptarët si çdo komb i civilizuar ta dinë brenda 24 orëve rezultatin e votimit, rezultatin e vullnetit të tyre. Listat e hapura, vettingu i politikanëve, vota e diasporës, vota e emigrantëve, votimi elektronik, janë shtyllat të procesit të cilin ne e shohim si të domosdoshëm për t’i paraprirë ndryshimit dhe për të mundësuar që shqipatër të kenë interes të angazhohen në procesin politik, të angazhohen në fushatat politike, të angazhohen në këtë rast dhe shumë shpejt në programin e Partisë Demokratike. Dhe së dyti, të kenë shansin të votojnë dhe ata që ngjallin më shumë besim për të mbojtur dhe promiovuar intersat e tyre.

E fundit, që nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me kodin zgjedhor, por ka të bëjë drejtpërdjetë me demokracinë, është riparimi i një tjetër shtylle të demokracisë në vend që u shemb natën e 17 prillit 2008 nga ish-kryeministri dhe kryeministri aktual i Shqipërisë. Ky është institucioni i Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës jo vetëm si një simbol i unitetit të popullit, që do të thotë që s’mund të jetë simbol në qoftë se votohet vetëm nga një parti politike, deri në 2008-ën duhej të votohej nga 3/5 e Kuvendit, do të thotë që duhej patjetër një konsensus mes focave politike, të paktën mes dy forcave kryesore politike në vend dhe tashmë zgjidhet me më pak vota sesa Avokati i Popullit, përrfaqësuesi i unitetit të popullit! Dhe së dyti është zhveshur jo vetëm nga kompetencat që njohim dhe njohin qytetarët, por është zhveshur edhe nga aftësia për të bërë kontrollin dhe balancën e institucioneve. Si rezultat i këtij ndryshimi, sot e 25 vite çështe e vërteta, Presidenti i Republikës nuk është në gjendje të kryej detyrat ashtu siç i takon. Në veçanti 15 vitet e fundit, i është hequr dhe kompetenca e nënkuptuar nga Kushtetuta për shpërndarjen e Parlamentit, përmes dorëheqjes së tij dhe si përfundim Republika e Shqipërisë nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli për t’i vënë fre arrogancës deri në çmenduri të pushtetit. Pushtetit aktual apo cilitdo pushtet në të ardhmen. President i zgjedhir nga populli, është përgjigjja jonë për t’i dhënë fund këtij tentati Kushtetues në vitin 2008.

Listat e hapura, vettingu i politikanëve, votimi elektronik, vota e diasporës, presidenti nga populli, janë disa nga propozimet e Partisë Demokratike. Nuk është hera e parë që bëjmë këto propozime, por sigurisht do t’i bëjmë, siç po i bëjmë sot në Dibër, në çdo sallë me demokratë por edhe me qytetarë, edhe me socialist sepse kjo nuk është një çështje thjesht dhe vetëm partiake. Natyrisht është një prioritet pr Partinë Demokratike, por është rruga në të cilën ne besojmë se mund dhe do të ecë ndryshimi për të cilin ka nevojë Shqipëria dhe për të cilën kanë nevojë shqiptarët. Ndryshimi nuk bjen nga qielli. Sigurisht asgjë nuk bëhet dot pa ndihmën e Zotit, por ne duhet të bëjmë pounën tonë. Dhe me këtë e përmbyll.
Duke iu falënderuar për vëmendjen tuaj, duke iu uruar të gjithë demokratëve të degës së Dibrës punë të mbarë në ristrukturimin dhe procesin e zgjedhjeve në degën e Partisë Demokratike në Dibër. Të vetëdijshëm që nuk ka shpresë tjetër për shqiptarët përveç Partisë Demokratike. Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, nuk ka shpresë tjetër për dibranët dhe për shqiptarët përveç Partisë Demokratike. Të jemi në lartësinë e pritshmërive dhe shpresës, t’i japim hov kësaj shprese përmes një programi që prek dhe zgjidh problemet e shqiptarëve dhe përmes një ekipi dinjitoz me Zotin para.
Ju faleminderit!