Gjatë qëndrimit në Dibër, kryetari i PD, Lulzim Basha, ka vizituar familjen Kaloshi në njësinë administrative Kastriot, të cilët kanë qenë të përndjekur politik.

Në një postim në Facebook, Basha shprehet se  të persekutuarit politikë të diktaturës komuniste janë ashti i Partisë Demokratike. Për këtë ai thotë se asnjë xhelat i djeshëm nuk mund të jetë një shenjtor i sotëm, ndaj duhet pa humbur kohë miratimi i ligjit për pastrimin e figurës që nuk do të jetë vetëm një distancim njëherë e mirë nga diktatura gjakatare 50-vjeçare, por edhe një apologji për mbi 30 vite të munguara.

Postimi i plotë:

Kënaqësi të vizitoja sot familjen Kaloshi, të përndjekur politik, në Kastriot, Dibër.

Të persekutuarit politikë të diktaturës komuniste janë ashti i Partisë Demokratike. Qëndresa dhe sakrificat e tyre në ditët më të errëta të historisë sonë, mbizotërojnë mbi harresën më të cilën herë pas here politikat e gabuara kanë lënë këtë shtresë të shoqërisë sonë.

Asnjë xhelat i djeshëm nuk mund të jetë një shenjtor i sotëm, ndaj duhet pa humbur kohë miratimi i ligjit për pastrimin e figurës që nuk do të jetë vetëm një distancim njëherë e mirë nga diktatura gjakatare 50-vjeçare, por edhe një apologji për mbi 30 vite të munguara. Ne u detyrohemi kaq atyre që jetën e humbën nga armët e regjimit gjakatar, atyre që u lindën apo u rritën në kampet e internimit, u dergjën burgjeve të diktaturës, të dhunuar nga një pushtet që kapardisej në luksin e bllokut të udhëheqjes, ndërsa populli terrorizohej dhe zhytej në mjerim të paimagjinueshëm.

Historia jonë meriton të njihet dhe ata që kanë vuajtur torturat çnjerëzorë meritojnë çdo kontribut për të pasur një shoqëri të vetëdijshme si parakusht për suksesin dhe mos përsëritjen e së kaluarës.

Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë aq më pak deformimi i të shkuarës, por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur.