Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kërkuar kryetares së parlamentit Lindita Nikolla të bëjë publik njoftimin e PDSH-së për përfaqësuesit e saj në parlament. Basha tha se është detyra e Nikollës të shprehet pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike, pro kodit zgjedhor, ose të dalë e të thotë se është pjesë e aleancave të kullave.

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË PARLAMENT

Zonja kryetare e Kuvendit, sot është data 5 tetor. Më 4 tetor ju keni bërë një njoftim të ardhur nga Partia Demokratike e Shqipërisë. U bë një muaj që vendimet e mëpasshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë injorohen dhe nëpërkëmben nga ana juaj. Përkundër zotimit që bëtë publikisht dhe në këtë seancë që pas konsultimit të rregullave, do të bënit public vendimin tuaj. Fakti është që ju nuk keni bërë public asnjë vendim. Fakti është që ju vazhdoni të merrni zvarrë përfaqësimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës tuaj, dhe jo sipas Kushtetutës, ligjit për partitë politike, Kodit Zgjedhor dhe legjislacionit shqiptar në tërrësi. Fshiheni pas një akti administrative siç është rregullorja e Kuvendit e cila në vetvete nuk ju jep asnjë të drejtë të vononi me një muaj vendimmarrjen formale për t’i dhënë Partisë Demokratike të Shqipërisë përfaqësimin dhe zërin që ka në këtë Kuvend. Sot flisni për vendimet të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Nuk ka vendime të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Janë interpretimet tuaja të njëanshme. Dihet fare mirë pse i bëni këto interpretime. Se kështu e doni opozitën. E doni opozitën pa grup të formalizuar. E doni opozitën siç ju do qejfi ju. E doni siç e kishit në Kukës. Doni ta bëni të gjithë Shqipërinë Kukës. Pork jo nuk është në dorën tuaj, ndaj ju bëj thirrje jepini fund kësaj maskarade. Në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, është detyra juaj të shpreheni. Shprehuni pro Kushtetutës, shprehuni pro ligjit për partitë politike, shprehuni pro kodit zgjedhor, siç e keni për detyrë, ose në qoftë se keni vendosur në kulisat tuaja të errëta, të aleancave të kullave dhe të non gratave, ki guxim e dil e thuaji shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance.