Partia Demokratike ka prezantuar ditën e sotme Reformën Zgjedhore. Kryedemokrati, Lulzim Basha në fjalën e tij tha se për PD, kjo nuk është një mundësi për të shtrirë horizontin drejt një kushtetute të re.

“Për PD, kjo nuk është thjeshtë vetëm një mundësi për të trajtuar problemet e bëra mullar nga zgjedhjet e kontestuara.

Por edhe një mundësi për të shtrirë horizontin drejt një kushtetute të re” – tha Basha.

Kreu i PD gjithashtu i ka shtrirë dorë gjithkujt që lë mënjanë ndasitë për t’u bërë bashkë për Reformën Zgjedhore.

“Ne shtrijmë sot dorën ndaj çdokujt që të lënë mënjanë ndasitë e të bëhemi bashkë për një reformë të rëndësishme” – u shpreh Basha.

Më tej ai prezantoi edhe 6 pikat e platformës së PD. Pika e parë ka të bëjë me listat e hapura, ku sipas PD votuesit të kenë mundësi të zgjedhin vetë deputetin, jo kryetari.

 

Pika e dytë është vettingu për politikanët, që do ketë si qëllim pastrim i politikës nga të korruptuarit dhe personat me lidhje kriminale. Sipas Bashës, “vetingu i politikanëve garanton që listat e hapura të mos kthehen në ankand për pastrimin e parave kriminale.  Listat e hapura marrin kuptim nëse i japim fund pabarazisë së votës”.

Pika e tretë ka të bëjë me barazinë e votës. Në platformën e PD barazia e votës vjen duke bërë që numri i votuesve për mandat deputeti të jetë i njëjtë në të gjithë vendin. Ndërsa Basha për këtë pikë u shpreh se “Shqipëria të jetë një zonë elektorale si Kosova, ose si vendet e BE. Të hapur edhe për ndarje me 3 ose 4 zona elektorale”.

 

Vota e diasporës është pika e katërt e platformës së PD. Për të Basha shprehet se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë.

 

Pika e pestë parashikon që Presidenti të zgjidhet nga populli. Sipas kreut të PD, paaftësia për mos zgjidhjen e krizave politike ka çuar në kriza kushtetuese. Duhet një president I zgjedhur nga populli.

Ndërsa pika e gjashtë është heqja e imunitetit nga ndjekja penale, ose thënë ndryshe asnjë imunitet për parlamentarët dhe qeveritarët që hetohen nga SPAK.