Në vijim të turit të takimeve me qytetarët,  kryetari i PD Lulzim Basha, është ndalur sot në Krujë, duke nisur takimet me qytetarë dhe sipërmarrës të këtij qyteti.

Në keto takime, theksi u vu tek situata ekonomike dhe gjendja e vështirë me të cilën po përballet shumica e familjeve.

Sot të ardhurat e shumicës së shqiptarëve në raport me çmimet janë më të ultat në Europë, sepse Shqipëria renditet ndër 10 vendet më të korruptuara në botë, sipas perceptimit të qytetarëve të saj.

“Ne do jemi tërësisht në shërbim të njerëzve, që ti ndihmojmë gjithë familjet shqiptare të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm”, – u shpreh Basha.

Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë!

Ky është realitetit që u pa edhe nga dosja e Inceneratorëve ku qeveria vepronte si organizatë kriminale në vjedhjen e 430 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës.

Pas mashtrimit që u bëri bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarve, të cilët shumë shpejt do të përballen me faturë taksash më të lartë; pas mashtrimit publik që bëri mazhoranca me nevojën për rritjen e pagave në sektorin publik, por që përfundoi në rritje shumëfish vetëm të pagave për qeveritarë e deputetë dhe jo për masën e madhe të punonjësit publik, si mjekë e arsimtarë, qeveria ka planifikuar të tjera taksa e pagesa shtesë për të rënduar më tej buxhetet familjare dhe të bizneseve.