Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar dorëheqjen nga rikandidimi për Bashkinë e Kukësit të Admir Sinamatit, i cili kandidoi në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Në një postim në Facebook, deputetja Tabaku shprehet se akti i demokratit Admir Sinamati  për të mos kandiduar dhe mbi të gjitha kërkesa e tij për një kandidat të përbashkët nga opozita është një lëvizje e zgjuar dhe e mençur.

Tabaku shprehet se zgjedhjet e 14 majit dëshmuan se ndarja dhe lufta brenda PD-së, duke mos u fokusuar tek fitorja, qe një armë më shumë në duart e qeverisë.

Postimi i plotë:

Akti i demokratit Admir Sinamati  për të mos kandiduar dhe mbi të gjitha kërkesa e tij për një kandidat të përbashkët nga opozita është një lëvizje e zgjuar dhe e mençur. Zgjedhjet e 14 majit dëshmuan qartazi që ndarja dhe lufta e pakutimtë brenda vetes duke mos u fokusuar tek fitorja qe një armë më shumë në duart e qeverisë.

Partia Demokratike ka detyrë të shkojë në zgjedhjet e parakohshme në Kukës me një kandidat dinjitoz, me integritet të përbashkët për të gjithë opozitën. Përgjegjësia përpara shqiptarëve është shumë herë më e madhe se sa egoja e kujtdo. Gabimet e të djeshmes ku e njëjta ego ndëshkoi demokratët dhe shqiptarët me një humbje të pamerituar duke pasur parasysh situatën në vend.

Bashkëpunimi është hapi parë drejt reflektimit dhe realisht një ndryshimi që duhet ti hapë rrugë politikës në shërbim të qytetarit dhe jo politikës për interes personal.