Në ditën Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe Autoritare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar viktimat që shkaktoi diktatura komuniste në Shqipëri.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se sot duhet të derojmë dhe përulemi përpara sakrificës së viktimave që shkaktoi diktatura komuniste, shumë prej të cilëve janë ende pa një varr.

Kryedemokrati më tej shprehet se shoqëria jonë u ka borxhe të mëdha të përndjekurve politikë.

Postimi i plotë:

Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe Autoritare, nuk është vetëm një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për një plagë kombëtare që vijon të sëmbojë, pasi Shqipëria ende nuk e ka tejkaluar.

Në këtë ditë kujtojmë, nderojmë dhe përulemi përpara sakrificës së viktimave që shkaktoi diktatura komuniste, shumë prej të cilëve janë ende pa një varr.

Shoqëria jonë u ka borxhe të mëdha të përndjekurve politikë.

Është i domosdoshëm nderimi i sakrificave të tyre, përmes ngritjes së muzeut në kujtim të viktimave të komunizmit dhe monumenteve të tjera të kujtesës.

Rishikimi i teksteve shkollore dhe edukimi i rinisë shqiptare me mësimin e hidhur e të kaluarës është një investim që ajo të mos përsëritet më kurrë!

Që historia e genocidit komunist në Shqipëri, të mos gjejë kurrë, jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim duhet rishikuar legjislacioni për pastërtinë e figurës së zyrtarëve.

Kjo është edhe një ditë reflektimi

për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi dhe nga liria.