Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, ka reaguar në lidhje me vendimin e SPAK për sekuestrimin e Inceneratorit të Tiranës.

Gjunkshi shprehet se duhet t’i vijë një herë e mirë fundi i mos ndërshkueshmërisë dhe abuzimit me pushtetin!

Postimi i plotë:

Duhet t’i vijë një herë e mirë fundi i mos ndërshkueshmërisë dhe abuzimit me pushtetin!

Vlerësoj  si një hap shumë inkurajues për rezultatet e reformës në drejtësi, sekuestrimin e Inceneratorit të Tiranës. Drejtësia vonon, por nuk harron dhe, ky është një nga rastet që prokurorët dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit duhen vlerësuar për profesionalizmin e lartë dhe  pavarësinë nga presioni  politik. Inceneratorët janë një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit të pushtetit të Ramës ku janë djegur milionat e taksave të shqiptarëve. Mbetet për tu zbardhur dhe për tu vënë para drejtësisë një  zinxhir i tërë personazhesh, që fillon nga pushtetarët e lartë  të qeverisjes e deri tek biznesmenë e funksionarë të tjerë.

Shqiptarët kanë nevojë me tepër se kurrë për shpresë që shteti i së drejtës ekziston dhe ai duhet të funksionojë. Shqiptarët presin edhe shumë aksione të tjera për Inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit si  dhe të koncesioneve në shumë fusha të tjera ku faturat paguhen disa fish dhe shërbimet nuk merren.