Pas arrestimeve të SPAK për koncesionin e sterilizimit, ka reaguar edhe kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji.

Gjergji shprehet se qeveria Rama do të mbahet mend nga shqiptarët si Qeveria e PPP-ve abuzive dhe që kanë shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Ajo më tej thotë se shëndetësia është sektori më i prekur nga korrupsioni dhe si Kryetare e Komisionit përgjegjës të shëndetësisë, por edhe si mjeke, shpreh mbështetjen e plotë ndaj SPAK për hetimin e thellë dhe të gjithëanshëm të aferave në sektorin e shëndetësisë.

Reagimi i plotë i Kryetarës së Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji:

Qeveria Rama do të mbahet mend nga shqiptarët si Qeveria e PPP-ve abuzive dhe që kanë shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Më së shumti koncensionet në shëndetësi janë afera korruptive që kanë pasuruar në mënyrë të paligjshme Ministrat e Shëndetsisë e miqtë e tyre, duke prekur drejtpërdrejt cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve shqiptarë.

Shëndetësia është sektori më i prekur nga korrupsioni dhe abuzimet me pushtetin dhe si Kryetare e Komisionit përgjegjës të shëndetësisë, por edhe si mjeke, shpreh mbështetjen e plotë ndaj SPAK për hetimin e thellë dhe të gjithëanshëm të aferave në sektorin e shëndetësisë. Parat e Buxhetit të Shtetit duhet të shpenzohen me përgjegjshmëri në dobi zë mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Edhe pse paguajmë miliona euro çdo vit, shpesh qytetarëve u mungojnë shërbimet bazë në spitalet tona.

Duke vlerësuar punën e SPAK, nxis që të veprohet me shpejtësi që dëmet ekonomike e ato në vlera njerëzore të mos vazhdojnë të prekin jetën e shqiptarëve. Përgjegjësi kryesor, ish Ministri i Shëndetsisë Ilir Beqja duhet të ishte sot personi që duhej të përgjigjej para drejtësisë. Favorizimi prej tij i kompanive fantazëm të miqëve të tij nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar. Drejtësia vonon po nuk harron!

Të paudhët që prej 10 vitesh po tallen me jetën e shqiptarëve duhet dhe do të përgjigjen para drejtësisë!