Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Lulzim Basha përmes një komunikimi publik ka reaguar për shkarkimin e ministrit Çuçi dhe emërimin e Taulant Ballës, si ministri i ri i Brendshëm.

Basha shprehet se ngjarja e Fushë Krujës nuk mund të kalojë thjesht dhe vetëm me rrokadë  emrash.

Reagimi i plotë:

Ngjarja e Fushë Krujës nuk mund të kalojë thjesht dhe vetëm me rrokadë  emrash. Ajo nuk është një rast i izoluar, të tilla ka përditë, ku me arrogancë të pushtetshmit e Edi Ramës dhunojnë qytetarët, familjet, bizneset, gazetarët dhe opozitarët. Por dhunuesi më i madh prej vitesh është vetë qeveria e ndërtuar mbi lidhjet e saj me krimin i cili sot e kontrollon kokë e këmbë.

Per sa kohë Edi Rama, njeriu që  përfaqëson, lidh dhe mbron interesat e krimit dhe oligarkisë do ta drejtojë qeverinë, ngjarje të tilla do të vijojnë të jenë të përditshme, pjesa më e madhe fatkeqësisht jashtë vëmendjes mediatike. Largimi i Çuçit dhe ardhja e Ballës nuk ndryshon asgjë veç rradhës së mbrojtjes së interesave të klaneve dhe grupeve kriminale.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet në duart e klaneve kriminale. Prandaj është jetike ndarja e politikës nga krimi, lufta kundër korrupsionit dhe vetingu i politikaneve. Vetëm kështu parlamenti dhe qeverisja do të pastrohen dhe kthehen në shërbim dhe jo dhunim të qytetarëve.