Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku thotë se skandali i inceneratorëve tregon se shteti është kapur nga koka tek këmbët.

Në një postim në “Facebook”, Tabaku shprehet se Shqipëria është para një sfide historike për ndryshim.

Sipas saj, pushteti i qeverisë përdoret si maskë për të fshehur të vërtetën, ndërsa thekson se 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve kanë shkuar në një grusht pushtetarësh.

Postimi i plotë:

Skandali i inceneratorëve tregon një shtet të kapur nga koka tek këmbët. Korrupsioni dhe paraja janë përqafuar me pushtetin. Shqipëria po pastrohet vetëm në imagjinatën e mazhorancës, por të vërtetat  e inceneratorëve flasin ndryshe. Deri tani, ky skandal u injorua dhe denoncuesit u sulmuan dhe shumica e mediave heshtnin.

Pushteti i qeverisë përdoret dje dhe sot si maskë për të fshehur të vërtetën. Kjo mazhorancë e përkeqësoi situatën duke penguar hetimin parlamentar dje, duke e sulmuar atë e duke bllokuar me çdo mënyrë transparencën siç ndodh me interpelancën!

Megjithëse gjithçka tregonte qartazi se 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve kanë shkuar në një grusht pushtetarësh; përsëri askush nuk dinte; nuk shihte e nuk dëgjonte kur i gjithë shteti ishte zhytur në aferë.

Sistemi i meritokracisë u shkatërrua. Pushteti dhe paratë janë kriteret e vetme për sukses. Parlamenti është kthyer në një sallë ku fatkeqësisht mblidhet vetëm për të mbrojtur interesat e një pakice, e në të paktën 3 rastet e ineneratorëve është kthyer bashkëfajtor. Kjo qeveri dhe mazhorancë e ka ndërtuar sistemin me tarafe dhe korrupsion.

Prandaj për ne është jetike ndryshimi i kësaj gjëndje! Mos i japim më shpresë askujt që vazhdon të mbyllë sytë para korrupsionit, e bën marrëveshje me djallin. Të luftojmë korrupsionin, monopolet, oligarkinë dhe shtetin e kapur. Të ringjallim lirinë, drejtësinë dhe konkurrencën në Shqipëri.

Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhmen ndryshe nga kjo e sotmja. Jo vetëm përmes reflektimit mbi këtë situatë por edhe angazhimit për të marrë pjesë në rrugën drejt një Shqipërie të re.

Nata para dëgjesës me ish Zv kryeministrin Ahmetaj në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve bashkë me stafin e komisionit. Heronjtë e heshtur të këtij hetimi.