Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zbardhur kërkesën e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, mbi projektligjin e Partisë Socialiste për Lustracionin. Bardhi shprehet se nismat duhet të jenë plotësisht në përputhje me parimet dhe kriteret e Komisionit të Venecias.

“Ju keni marrë një letër nga delegacioni i BE, ku ambasadorja e delegacionit, i ka drejtuar kryetares së Komisionit lidhur me dy ligjet e propozuar nga PS.
Në letër iu bëhet me dije që kjo çështje lidhet me shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë do të duhet që ky komision ti referohet standardeve që ka vendosur Komisioni i Venecias në dy opinionet të tij. Në opinionin e vitit 2019 për ligjin e lustracionit të asaj kohe dhe në opinionin e vitit 2018 kur është propozuar vetingu në politikë dhe kërkohet që për të dyja iniciativat, jo vetëm të mbahet në konsideratë, por të sigurohet që janë përmbushur standardet e Komisionit të Venecias.
Si e kuptoj unë shqetësimin e delegacionit të BE, kërkesa e tyre është që para se të ecim me iniciativa të tilla që prekin shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, do të duhet patjetër që ne ti drejtohemi Komisionit të Venecias për një verifikim të këtyre nismave” – u shpreh Bardhi në Komisionin e Ligjeve.