• Mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme e ka sjellë vendin në një kolaps total të demokracisë, Kushtetutës, institucioneve, shtetit të së drejtës. Ka çuar në paralizë të drejtësisë, pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, me Prokurori të kapur.
  • Jemi në një gjendje të kolapsit total, sepse Shqipëria nuk ka as parlament legjitim, as qeveri legjitime, nuk ka shtet të së drejtës. Pasojat e korrupsionit të shfrenuar të qeverisë bien çdo ditë mbi jetët e shqiptarëve të pafajshëm anembanë vendit.
  • Asgjësimi i votës së lirë ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë. Ka sjellë asgjësimin e institucioneve të pavarura dhe kapjen e drejtësisë. Përfituesit e vetëm jane qeveria, kryeministri, ministrat e tij të korruptuar.
  • Gjykatat janë nën presionin e vetingut, që po përdoret si hanxhar politik për të mbajtur në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët, në shkëmbim, zvarrisin apo mbyllin dosje hetimore në ngarkim të qeveritarëve të korruptuar.
  • Skandalet e kësaj qeverie do të mjaftonin që kafazi i të pandehurve të ishte plot me jakat e bardha të kabinetit dhe zyrtarëve më të lartë shtetërore, por kjo nuk ka për të ndodhur, sa kohë themeli i bashkëjetesës demokratike, vota e lirë është asgjësuar.
  • Shkatërrimi i votës së lirë është themeli i mjerimit ekonomik, duke sjellë nivele të paprecedenta të papunësisë, të varfërisë dhe të papërgjegjshmërisë totale në shërbime që ky shtet e ka për detyrë t’ua japë qytetarëve të vet.
  • Zbatimi i 10 detyrave të qeverisë për garantimin e zgjedhjeve nuk kërkon asnjë ndryshim ligjor. Kërkon vetëm vullnet politik. Kërkon që kryeministri dhe ministrat e qeverisë tranzitore të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin.
  • Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën janë farsë dhe, në rastin më të mirë, janë një tentativë e dështuar për votim.
  • Ne nuk do të lejojmë që krimi të bëjë më zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhje do të mbahen vetëm pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2016 dhe 2017. Me Edi Ramën, Dakon e Gjiknurin, nuk mund të ketë zgjedhje të lira.
  • Largimi i Ramës i hap rrugë zgjidhjes politike që ka kërkuar opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me PS dhe qeverinë e re tranzitore për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA NË TRYEZËN E PREZANTIMIT TË PLATFORMËS PËR ZGJEDHJE TË LIRA DHE TË NDERSHME  – DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE

 

Të dashur miq, zonja dhe zotërinj, të dashur të ftuar

Më lejoni, në nisje të këtij aktiviteti, t’ju falënderoj secilit prej jush për pjesëmarrjen, por edhe për kontributin që keni dhënë drejtpërsëdrejti në tryezat e mëparshme opozitare, individualisht si përfaqësues, drejtues të formacioneve politike të opozitës së bashkuar, të koalicionit opozitar, si analistë, si drejtues të “Think Tank”-ëve apo njerëz të angazhuar publikisht në raport me një nga çështjet më themelore të bashkëjetesës demokratike, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mungesa e së cilave ka sjellë vendin në një kolaps total të demokracisë, të Kushtetutës, të institucioneve, të shtetit të së drejtës. Kanë çuar në një paralizë totale të drejtësisë e cila sot si kurrë më parë ndonjëherë në ndonjë vend të botës ndodhet në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, në kushtet e asgjësimit “de facto” të Gjykatës së Lartë, në kushtet e kapjes së tejzgjatur të Prokurorisë së Përgjithshme dhe komprementimit të thellë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo është realizuar përmes ndalimit apo vonimit të çështjeve të rëndësishme penale në ngarkim të zyrtarëve të lartë, të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar, në korrupsion, në krim elektoral dhe në afera të paprecedenta hajdutërie për këto 29 vite tranzicioni, ku korrupsioni, padyshim, ka qenë një bashkëshoqërues i shëmtuar i Shqipërisë, por ku, për herë të parë, shënohen afera, ku për nga shumat marramendëse dhe për nga mënyrat e hapura të vjedhjes, shënojnë precedent për Shqipërinë dhe për Ballkanin.

Jemi po kështu, në kushtet e një kolapsi ekonomik dhe shoqëror. Gjithësecili këtu prej nesh në këtë sallë ka familjarë, ka miq, shokë, komshinj, të cilët në këto 5 vite të fundit i janë drejtuar emigracionit, duke bërë që numri i shqiptarëve të larguar nga vendi në 5 vite të arrijë përmasa të panjohura, të papara dhe të padëgjuara që prej fillimit të viteve ’90.

Kolapsi i ekonomisë ka sjellë me vete shkatërrimin e qindra, mijëra vendeve të punës, pasigurinë e përditshme, ka sjellë nivele mjerimi,  të cilat dëshmohen vetëm në vendet e Afrikës. 1 në 10 shqiptarë ushqehet vetëm 1 herë në ditë. Shëndetësia dhe arsimi gjenden po kështu në krizën e tyre më të thellë.

Të gjitha këto janë pasoja të korrupsionit të shfrenuar të një qeverie që ka humbur çdo sens përgjegjësie në raport me Kushtetutën, me ligjin dhe me qytetarin.

Ka dy arsye për këtë:

Arsyeja e parë është që kjo qeveri dhe kjo pseudomaxhorancë nuk kanë ardhur si produkt i votës së lirë, ndaj nuk janë përgjegjës para qytetarëve, para votës së lirë. Kanë ardhur si produkt i bashkëpunimit me krimin e organizuar, kanë ardhur si produkt i shitblerjes së votës me paratë e krimit, të drogës dhe korrupsionit me një grusht oligarkësh, që sot kontrollojnë të gjithë aktivitetin ekonomik të Shqipërisë. Kur vjen në pushtet me një grusht kriminelësh, kur e ke lidhur fatin me kriminelët nuk të bëhet vonë për fatin e qytetarëve, thënë shkurt dhe pastër. Dhe kjo është arsyeja e parë e mungesës totale e përgjegjshmërisë së kësaj qeverie.

Arsyeja e dytë është sepse, ndryshe nga sa parashikon edhe sistemi më i thjeshtë demokratik, më rudimentar, këtu nuk ka më asnjë instancë kontrolli pushteti. Të gjitha pushtet janë në një dorë.  Parlamenti ilegjitim kontrollohet nga qeveria ilegjitime. Pra nuk është parlamenti që të kontrollojë qeverinë, është qeveria që kontrollon parlamentin.

Dy instancat më sipërore të drejtësisë nuk ekzistojnë. Prokuroria është e kapur. Gjykatat janë nën presionin e vetingut që po përdoret si një hanxhar politik për të mbajtur në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët, në shkëmbim, zvarrisin apo mbyllin dosje hetimore në ngarkim të qeveritarëve të korruptuar, në ngarkim të bosëve të krimit të organizuar, të lidhur me ta.

Kemi folur në tryezën e mëparshme për nevojën akute jo thjesht për të kapërcyer këtë krizë me një zgjidhje të shpejtë, e cila padyshim do të na çonte drejt një krize tjetër, por për ta përdorur këtë krizë të thellë jo thjesht dhe vetëm për reflektim të politikës, të shoqërisë për një reflektim kombëtar për nevojën për një transformim të thellë, për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur dhe për të mundësuar që, përmes ndryshimeve të thella politike kushtetuese, përfshirë zgjedhore, një standard europian të demokracisë, të zgjedhjeve, të shtetit të së drejtës, të funksionimit të drejtësisë, të ekonomisë dhe mbështetjes sociale të shtresave në nevojë, duke përfshirë këtu edhe nevojën e ngutshme për të sjellë të paktën standardet rajonale në shëndetësi dhe në arsim.

Ky diskutim na ka çuar drejt temave shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me sistemin elektoral proporcional rajonal, parlament me 100 deputetë, sistem me dy dhoma, senat, maxhoritar i pastër. Janë disa nga idetë të cilat janë qarkulluar jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktorë të rëndësishëm të shoqërisë, të medias.

Reformë e thellë e partive politike, e faktorëve dhe aktorëve të skenës politike, që kanë të bëjnë me pragun elektoral, me financimin e partive dhe fushatës zgjedhore, me ndalimin e tenderave dhe koncesioneve për një kohë të caktuar për kompanitë që kanë financuar parti politike dhe kandidatët, me kontrollin e kostove të mbulimit mediatike të fushatës.

Kemi folur për procedurat për caktimin e kandidatëve, duke marrë shkak nga përqendrimi i të gjitha pushteteve në duart e lidershipit të partive politike.

Kemi folur për vetingun e politikanëve, i cili duhet të parashikohet në Kushtetutë dhe për të cilën ne, opozita, kemi depozituar draftin tonë kushtetues, i cili u hodh poshtë në mënyrë arbitrare pavarësisht prej rekomandimit pozitiv të Komisionit të Venecias.

Kemi folur për zonat elektorale, duke përfshirë ndarjen arbitrare territoriale të Shqipërisë, në vitin 2015. Për mënyrat e votimit dhe të numërimit, për mënyrën e identifikimit biometrik, për votimin dhe numërimin elektronik, për masat ligjore që zgjedhësit të votojnë sipas vendbanimit faktik.

Kemi folur për referendumet e qytetarëve që ato të ndodhin dhe jo siç është sot me ligjin aktual, ku ligji pamundëson efektivisht mbajtjen e referendumeve qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel qendror.

Kemi folur për nevojën për të parë më një sy kritik ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 me qëllim për të forcuar kontrollin dhe balancën e pushteteve, ku janë diskutuar tema të ndryshme; si sa i përket forcimit të rolit të presidentit apo edhe zgjedhjes së presidentit nga populli, apo edhe sistemi mbikameral.

Ide të shumta, të vlefshme, shumica të bazuara në përvoja të suksesshme të vendeve perëndimore edhe të vendeve fqinje të lindura pas traumave të mëdha si fashizmi në Itali, por po kështu me zgjidhje të mëdha, siç kanë dhënë disa prej vendeve ish komuniste që sot janë anëtare të Bashkimit Europian.

Sot ju kemi ftuar këtu për një temë, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është akute.

Nuk do të diskutojmë sot asnjë prej këtyre çështjeve, të cilat janë pjesë e një debati kombëtar dhe transparent pa të cilin nuk mund të shkojmë drejt një zgjidhje finale dhe të qëndrueshme.

Ky debat kombëtar, ky dialog duhet patjetër të përfshijë të gjitha palët politike. Por në vlerësimin tonë dhe në bindjen time politike nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë në dhoma të errëta, por duhet të ndodhë në sytë e qytetarëve shqiptarë, duhet të ndodhë publikisht. Në bindjen time më të thellë duhet të sanksionohet përmes një referendumi kombëtar çdo ndryshim esencial, kushtetues, zgjedhor që do të përbëjë themelimin e një transformimi me standarde europiane të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të drejtësisë dhe të ekonomisë.Por sot jemi këtu për një temë tjetër.

Jemi sot në një gjendje të kolapsit total, sepse Shqipëria nuk ka as parlament legjitim, as qeveri legjitime, nuk ka shtet të së drejtës dhe pasojat e saj bien çdo ditë mbi jetët e shqiptarëve të pafajshëm anembanë vendit.

Disa prej këtyre shembujve janë nën hundën tonë. 500 metra nga ky vendtakim pak javë më parë, në mënyrë të paprecedentë dhe të paparë që nga lufta e Kosovës, policia përdori gaz lotsjellës në shtëpitë e qytetarëve, ku flinin foshnje 3-5 vjeç, për t’i nxjerrë në orën 05:30 të mëngjesit, duke mbajtur larg kamerat e pakta që ndodheshin aty në atë orë dhe duke përdorur drurin dhe dajakun ndaj prindërve të tyre, sepse nuk pranonin të largoheshin nga shtëpitë e tyre pa u shpronësuar, nuk pranonin të largoheshin nga shtëpitë e tyre pa një proces të rregullt ligjor.

Prej më shumë se 5 muajsh vazhdon saga e Unazës së Re, ku Edi Rama është kapur në vjedhjen e shekullit, jo thjesht për çmimin rekord edhe për punë publike në Japoninë e tërmeteve, jo thjesht për praktikën korruptive pa konkurrencë të tenderit, por për përfshirjen dhe fitimin e tenderit nga një kompani fantazmë, për devijimin e Lumit të Lanës, për të mos prekur territorin e një trafikanti të dënuar droge bashkëudhëtar i rregullt i numrit dy të PS, për të shkatërruar banesat e mbi 1400 familjeve, prapë pa ligj, pa Kushtetutë, pa dëmshpërblim vetëm e vetëm për të fituar dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit dhe për të ndërtuar mbi 60 mln euro, një skemë e pastër e pastrimit të parave për të cilën kjo qeveri po bëhet gati të zhvendosë shtratin e një lumi.

Secili prej këtyre skandaleve dhe dhjetëra të tillë do të mjaftonin që kjo qeveri të kishte rënë në çdo vend normal europian.

Secili prej këtyre skandaleve do të mjaftonin që kafazi i të pandehurve të ishte plot me jakat e bardha të kabinetit dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve shtetërore me një megaproces që, të paktën, në rastin e Unazës së Re duhet të çonte prapa këtyre hekurave, prapa kafazeve të të pandehurve nga ministri përgjegjës deri tek nëpunësi që nënshkroi kontratën për kompaninë fantazmë. Por nuk ndodh kjo. Dhe nuk ka për të ndodhur sa kohë themeli i bashkëjetesës demokratike, vota e lirë është asgjësuar.

Asgjësimi i votës së lirë ka sjellë asgjësimin e institucioneve të pavarura, ka sjellë kapjen e drejtësisë, ka sjellë shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme pa asnjë brengosje, përkundrazi me ngazëllim të madh nga pala e vetme që përfiton, që është qeveria, është kryeministri, janë ministrat e tij të korruptuar.

Shkatërrimi i votës së lirë ka sjellë nivele të paprecedenta të papunësisë, të mjerimit ekonomik, të varfërisë dhe të papërgjegjshmërisë totale në shërbime që ky shtet e ka për detyrë t’ua japë qytetarëve të vet, taksapaguesve të vet.

Shkatërrimi i votës së lirë është themeli i mjerimit ekonomik, i papunësisë.

Ndaj jemi sot këtu për të trajtuar një aspekt të votës së lirë që nuk ka të bëjë me reformat e thella kushtetuese, zgjedhore, politike, por ka të bëjë me detyrat e qeverisë tranzitore për t’i dhënë fund disa praktikave të tmerrshme, korruptive, që kanë shkatërruar votat e shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2017, 2015 dhe në mënyrë monumentale me eksperimentin që i hapi rrugë 2017 –ës në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës në vitin 2016.

Në prezantimin që do të ndiqni pas pak do të argumentohet se si kjo qeveri dhe ky kryeministër janë autorët e shkeljes flagrante të ligjeve aktuale shqiptare, kodit zgjedhor, kodit penal dhe dhjetëra ligjeve të tjera, me qëllim deformimin e vullnetit të zgjedhësve, me qëllim manipulimin e zgjedhësve dhe instalimin e parlamentit ilegjitim, qeverisë ilegjitime dhe, në rastin e pushtetit vendor, kryebashkiakëve ilegjitim, përmes kapjes, blerjes dhe intimidimit të votuesve.

Natyrisht që shumë prej konkluzioneve që do të renditen në këtë pjesë të parë të prezantimit janë pjesë e debatit prej tash tre vitesh dhe nuk ka surpriza.

Në pjesën e dytë të prezantimit do të shikoni të renditur 10 detyrat kryesore që qeveria tranzitore do të ketë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, detyra zbatimi i të cilave nuk kërkon asnjë ndryshim ligjor, kërkon vetëm vullnet politik, kërkon vetëm që kryeministri i qeverisë tranzitore dhe ministrat e tij të jenë jashtë konfliktit të interesit, kërkon vetëm që ata të mos kenë kapjen e pushtetit me çdo kusht duke bashkëpunuar me kriminelët, por të zbatojnë dhe t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjit.

Së fundi dua t’ju them që sot nuk mbyllim, por hapim këtë diskutim me ju, natyrisht, edhe brenda radhëve tona dhe koalicionit të bashkuar opozitar. Presim që ky aspekt i rëndësishëm i transformimit, qeveria tranzitore si parakusht për organizimin e një procesi të drejtë zgjedhor, pra, ky aspekt të pasurohet përmes këtij angazhimi, debati, dialogu sot dhe në ditët e në javët në vijim, me qëllim që këto detyra të përkthehen në instrumente dhe procese të qarta institucionale dhe  ligjore gati për t’u zbatuar me një qeveri tranzitore, me një kryeministër tranzitor, me vullnet dhe mbështetje politike për të garantuar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.

Kemi ndërmarrë këtë hap sot pasi e kemi bërë fare të qartë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.

“Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë” është kontradiksion termash. Zgjedhje pa opozitën janë farsë. Në rastin më të mirë, janë një tentativë e dështuar për votim.

Ne nuk do të lejojmë që krimi të bëjë më zgjedhje në Shqipëri.

Zgjedhje do të mbahen vetëm pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2017, të viti 2016. Dhe padyshim, me Edi Ramën, Dakon e Gjiknurin krah tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot.

Prandaj, largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me Partinë Socialiste dhe qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do t’i kthejnë legjitimitetin parlamentit, qeverisë, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston , Gjykata e Lartë nuk funksionon, Prokuroria e Përgjithshme është e paligjshme dhe parlamenti ilegjitim është kthyer në një vegël të krimit dhe të oligarkisë, që grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë pasiguri në vend.

Pa u zgjatur më tej, duke ju uruar mirëseardhjen edhe të mbeturve të fundit në trafikun e rënduar të kryeqytetit më lejoni t’ia kaloj fjalën z.Oerd Bylykbashi për prezantimin.