Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i premtoi shkodranëve dhe gjithë Shqiptarëve se në qeverisjen e demokratëve askush nuk do të ketë imunitet para ligjit, gjykatave dhe prokurorisë. Gjatë një takimi në Shkodër me qytetarë dhe të rinj që kanë studiuar jashtë, Bash aka shpalosur edhe programin e Partisë Demokratike dhe opzoitës shqiptare për të gjithë të rinjtë që investojnë në dije e shkollim dhe u premtoi se do të kenë shanse të barabarta, duke rrëzuar barrierat dhe trarët që ka vendosur Edi Rama dhe qeveria e tij që si filozofi të saj ka: vendos unë për gjithçka.

Lulzim Basha: Faleminderit për këtë takim të jashtëzakonshëm në një ditë të vështirë për Shkodrën, e cila prapë në një kohë të shkurtër është tronditur nga pasiguria, është tronditur nga krimi. Megjithatë, jam i sigurtë se këto çështje do të kemi mundësi t’i diskutojmë gjatë bashkëbisedimit të sotëm. Dua ta nis me një falenderim për sfidimin që rinia shkodrane dhe qytetaria shkodrane i bëjnë dorës së zezë të krimit. Dora e zezë e krimit që është bërë njësh tash 6 vjet me dorën e një qeverie kriminale, që është në themel të kapjes së shtetit, siç e ilustron dhe Departamenti i Shtetit në raportin që sapo publikoi javën e kaluar. Është në themel të kapjes së çdo pushteti, në themel të kapjes së institucioneve, në themel të kapjes së ekonomisë, në themel të kapjes së universiteteve, dhe për të cilën jemi bashkuar si asnjëherë tjetër në 28 vite. Qytetarët e lirë shqiptarë, me shkodranët në ballë, dhe opozita politike, e cila duke djegur mandatet, refuzoi të jetë pjesë e këtij parlamenti të krimit, dhe ka vendosur t’ia kthejë edhe njëherë vendimmarrjen qytetarëve, përmes votës së lirë dhe të ndershme. Kjo është domethënia e betejës që kemi nisur, ndërsa destinacioni dihet, është destinacioni i vlerave evropiane, i vlerave të një shoqërie të lirë, ku gjithësecili të bëjë para përmes meritës, përmes aftësisë, përmes talentit, e në veçanti rinia ta ketë të sigurtë jetën, shkollimin dhe punësimin.

Alternativa e PD është ajo me suvencione për tarifat, me 5 mijë bursa dhe 10 mijë stazhe për të integruar studentët në tregun e punës.

Kryetari Basha iu premtoi të gjithë atyre që dalin në tregun e punës shembjen sistemit të trarëve që ka vendosur kjo qeveri për të vendosur ajo për jetën e qytetarëve shqiptarë, kush shkon në shkollë e kush punësohet.