Lulzim Basha dhe ekipi i tij paraqesin programin në Korçë. Plan konkret për ndihmën ndaj fermerëve dhe stimulim të biznesit e zhvillimit

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në qytetin e Korçës. Basha tha se do të jetë kryeministri i ekonomisë për të ndihmuar fermerët e njohur të Qarkut të Korçës, për të ulur taksat për biznesin dhe për të hapur vendet e punës.

“Çështja më e rëndësishme sot nuk janë baturat e Edi Ramës, nuk është estrada e Edi Ramës, por është ekonomia juaj, është punësimi dhe puna juaj. Janë rrogat, janë taksat, janë çmimet, është shëndetësia. Programi im është ekonomia, programi im jeni ju, programi im është punësimi juaj, programi im janë taksat e ulëta, programi im është shëndetësia dhe arsimi. Programi im është Republika e Re. Unë do të luftoj më shumë se çdo gjë tjetër për punësimin e rinisë, për punësimin e shqiptarëve. Republika e Re do të subvencionojë me para në dorë për hapjen e fabrikave, për hapjen e vendeve të punës, për shqiptarët anembanë vendit. Republika e re do të subvencionojë fermerët shqiptarë, 100 milionë euro për fermerët e Korçës, Devollit, Maliqit, për fermerët shqiptarë në mënyrë që djersa e tyre të kthehet në mirëqënie për ta. Do zerohet kostoja e mekaninës, do të ulet ndjeshëm kostoja e plehrave kimike duke u përmirësuar cilësia e tyre dhe do të sigurohet njëherë e mirë tregu për fermerët shqiptarë. Ekonomia e fortë ndërton një shtet të fortë. Shteti i fortë janë qytetarët e fortë. Unë do të punoj për qytetarët e fortë”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se Rama nuk kërkon debat të hapur sepse përfaqëson republikën e vjetër.

“Edi Ramës i pëlqen të vijë këtu për fundjava. Dhe kur vjen për fundjava natyrisht ka hotelet e tij të preferuara, restorantet e tij, të preferuara, ushqimet dhe verën e tij të preferuar. Për ti bërë qefin Nikua i ka bërë edhe pedonalen e tij të preferuar dhe meqë kjo nuk mjaftonte bëri edhe një kullë vetëm për Edi Ramën. Apo e doni ju kullën?! Ju pëlqen kulla?! Kush e pagoi kullën?! Sa ju kushtoi kulla. Miliona euro për qefet e Edi Ramës. Miliona euro për tekat e Edi Ramës që të vijë këtu e ta trajtojë këtë qytet, krenarijë kombëtare të dijes dhe qytetarisë, si parkun e tij personal të lojërave. Kjo është e vërteta e Republikës së vjetër”, tha Basha.

Ai premtoi dëmshpërblim për 3200 hektarët e goditur nga ngrica në Korçë brenda këtij viti.