Të nderuar përfaqësues të biznesit shqiptar, dhomave të tregtisë, shoqatave të biznesit të vogël, të shoqatave të ndryshme të sektorëve të ekonomisë, nga turizmi, nga agrobiznesi, tregtia, manifaktura, prodhimi, ndërtimi, etj.
Së pari, dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë tryezë sot e cila na mbledh bashkë në një moment shumë të vështirë për ekonominë shqiptare. Na mbledh bashkë me anëtarët e komisioneve e Ekonomisë, Financave dhe  Veprimtarive Prodhuese të opozitës të cilët së bashku me grupin e punës dhe me përfshirjen të ekspertëve më të mirë me formim dhe përvojë të gjatë akademike dhe në terren kanë përgatitur një platformë të plotë fiskale, si një komponent kyç i programit të Partisë Demokratike për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
Nuk është e rastësishme që kjo tryezë mbahet vetëm pak ditë para diskutimit në parim të projektbuxhetit qeverisë për vitin 2016. Nuk jemi këtu për të bërë oponencën e këtij projektbuxheti, as të paketës fiskale, as të paketës së shpenzimeve  për një arsye të thjeshtë të cilën dua ta ndaj me ju dhe me publikun drejtpërdrejtë.
Nuk na është dhënë asnjë arsye të besojmë  se kjo paketë përmban qoftë edhe një element realist me përballjen e gjendjes katastrofike të ekonomisë shqiptare. Në fakt kjo paketë është një zgjatim i lëngatës të shkaktuar pikërisht nga kjo mendësi e prapambetur, e dëmshme dhe shkatërrimtare për ekonominë shqiptare të cilën nga kjo sallë kemi paralajmëruar plot dy herë qeverinë nuk ia kemi dalë dot ta ndalim në kursin e vet shkatërrimtar.
Këtë e them jo vetëm për shkak të konstatimeve të përditshme, në bisedat me ju, me biznesin, më sipërmarrjen në tërësi, këtë e them bazuar në të dhënat më objektive, shumica dërrmuese produkt i drejtpërdrejtë i institucioneve shqiptare, i kësaj qeverie, qeverisë së Edi Ramës, të cilat kanë çuar edhe në konkluzione të rëndësishme dhe aspak optimiste të institucioneve ndërkombëtare siç është raporti i Bankës Botërore “Doing bussines” apo raporti i “Pay taxes” dhe me klimën fiskale në vend.
Nuk është rasti të ndalem gjatë me një situatë që tashmë e njeh mirë çdo përfaqësues, çdo pronar dhe çdo konsumator të gjendjes së vendit. Sot do ta kemi shumë të vështirë jo vetëm në këtë kolektiv, jo vetëm në këtë komunitet, por do të thoja me gojën plot në kushtet e sinqeritetit politik që dikush prej jush mund të thotë që është kontrandicion termash, që të shprehet optimist apo i kënaqur të gjenim edhe ndonjë deputet të shumicës që të shprehet optimist apo i kënaqur me ecurinë fiskale dhe ekonomike të kësaj qeverie.
Vlerësimet flasin vetë kemi humbur 11 vende, në vazhdim të vendeve që humbëm vitin e kaluar si vend ekonomi fiskale të kufizuar, të coptuar, jemi renditur të 142-tët nga 182 vende që ka bota, ku përfshihen edhe ishuj me popullsi prej 30 mijë banorësh.
Në “Doing bussines” po kështu vazhdojmë të jemi në rënie të lirë pasi të gjithë aspektet e ndërveprimit e qeverisjes me biznesin janë në përkeqësim që nga nisja e biznesit ku në një vit ra me 4 pozicione. Tek lejet e famshme të ndërtimit kemi rënë 67 pozicione. Tek furnizimi me energji ku kemi rënë 3 pozicione me një vit, regjistrimi i pronës, marrja e kredive dhe sigurisht tek pagesa e taksave. Ndërkohë vetë dokumentet zyrtare të qeverisë vërtetojnë atë që patëm paralajmëruar dy herë radhazi, që kjo politikë e taksave të larta nuk funksionon, nuk ecën. Por jep rezultat negativ në të dyja drejtimet, në tkurrjen e ekonomisë kombëtare, në mbylljen dhe falimentimin e bizneseve nga njëra dhe nga ana tjetër në rënien dramatike të të ardhurave si rezultat i informalitetit të shtuar, si rezultat i evazionit të shtuar, i kontrabandës së shtuar dhe natyrisht si rezultat i shtimit matematik i bazës së taksapaguesve. Ca prej hallit dhe ca sepse thjesht nuk ja dalin dot më, pra mbyllin qepenat dhe nxjerrin njerëzit në mes të katër rrugëve.
I pamë statistikat e janar-tetorit, tani së shpejti zyrtarizohen edhe të nëntorit, 26.3 miliardë lekë mungojnë vetëm nga tatimet dhe doganat. Në tetor kanë shkuar në 326 milionë apo 32.6 miliardë lekë, 326 milionë dollarë gropa vetëm në tatime dhe në dogana.
7.1 miliardë deri në fund të tetorit, 71 milionë dollarë, 7.1 miliardë lekë vetëm në TVSH, që diktatori më i qartë, përgënjeshtrimi më i saktë që i bëhet gënjeshtrave që konsumi është rritur. Mos flasim për rimbursimin i cili ka rënë poshtë kuotës më të keqe të qeverisjes së mëparshme e cila ka qenë 8 milionë dollarë në muaj dhe tashmë është 6.1 milionë dollarë në muaj për këtë vit.
Akcizat 9.4 miliardë më pak në veçanti duhani dhe karburanti, janë edhe dy vatrat kryesore të infeksionit dhe kontrabandës në Dogana. 915 ton karburant më pak të zhdoganuara në 9 muaj. 502 ton më pak cigare të zhdoganuara në 10 muaj.
Të ardhurat personale 5.4 miliardë lekë më pak se planifikimi, pra 54 milionë dollarë më pak në 5 muaj. Taksat nacionale dhe të tjerat 40 milionë dollarë më të ulëta, e si rezultat pastaj efekti shihet tek shpenzimet për të cilën jam i sigurt që do të kemi një ditë tjetër për t’u ulur dhe për t’i parë, por ky është realiteti. Ja ku çoi politika e taksave të larta.
Biznesi në gjendje emergjence, arka e shtetit dyfish në gjendje emergjence.
Gjendja e ekonomisë, marrim vetëm të dhënat e fundit, importi në tetor 4.3% se tetori i vitit 2014.
Eksportet 9.3% më pak se tetori i vitit 2014. Importet në 10-mujor, 2% më pak se e njëjta periudhë janar –tetor 2014.
Eksportet 4.3% më pak janar-tetor, sesa janar-tetor 2014. Shifrat e kreditimit po t’ua them do t’u duken të mira sepse jam i sigurt që secili prej jush përballet me vështirësi shumë të mëdha në bizneset që drejtoni  por totali i kredisë për muajin shtator vazhdon të jetë në pikiatë, tetori po kështu me 1.7% më pak se muaji paraardhës. Krahasuar me shtatorin 2014 kredia për bizneset është -2.4%, një shifër që në fakt vërtetohet edhe  nga të dhënat dhe parametrat e tjera ekonomike të vendit. Nuk është se është diçka e huaj për ju sepse jeni shprehur dhe vazhdoni të shpreheni vazhdimisht me anketat e organizuara nga institucionet shtetërore shqiptare, besimi i konsumatorit dhe biznesit në 3-mujorin e tretë është ën rënie të lirë, 2.7% më pak në 3-mujorin e tretë sesa 3-mujorin pararendës.
Besimi në sektorin e industrisë 2.9%. Besimi i sektorit të shërbimeve në rënie me 3.9%, besimi i konsumatorëve tek ekonomia shqiptare është në rënie nga tremujori në tremujor. Kjo është gjendja dhe kjo është sfida e madhe me të cilat përballet sot Shqipëria, ekonomia, ju si pjesëmarrës dhe kapitenët e ekonomisë shqiptare dhe konsumatorët nga ana tjetër dhe ushtria në shtim e të papunëve dhe të pashpresëve.
Ndonëse vitin e kaluar ne çuam një paketë amendamentesh në Parlament prej 25 amendamentesh të cilat i diskutuam në një tryezë pjesëmarrëse si kjo, pak a shumë të ngjashme kjo nuk pati asnjë efekt, asnjë prej amendamenteve nuk u diskutua për meritën e tij por u rrëzua politikisht, verbërisht. Ndaj këtë të premte dhe javën e ardhshme Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk do të çojë më amendamente. Ta mendosh diçka që është thellësisht e gabuar dhe e provuar si e rrezikshme, shkatërrimtare për ekonominë është së paku naive dhe nuk ka kohë më për shfaqje.
Ne vijmë sot para jush për të shpalosur një vizion të ri, një revolucion fiskal si pjesë e vizionit tonë për të rikthyer besimin tek ekonomia shqiptare, për të nxitur punën, prodhimin, kreditimin, punësimin përmes një paketë të gjerë dhe të thellë ndërhyrjesh në politikën fiskale të vendit. Të shoqëruar sigurisht me një vizion shumë më të plotë të politikave tona ekonomike dhe platformave për sektorët e veçantë të ekonomisë, të cilët po kështu do të mblidhemi dhe do të diskutojmë së shpejti. Por sot dua që prezantimi i paketës tonë fiskale, që propozimi ynë fiskal të jetë në qendër të diskutimit tonë si një mundësi reale dhe si një nevojë e ngutshme për ndërhyrje të forta dhe të guximshme që të garantojnë jo thjesht ndaljen apo ngadalësimin e rrokullisjes ekonomisë shqiptarëve por një perspektivë e rritjes ekonomike me ritme dyfish se ato që planifikohen në letër dhe kurrë në kapen në realitet.
A është kjo e mundur? Të gjithë intelekutorët bien dakord që Shqipëria i ka këto potenciale. Çelësi për t’i ç’kyçur këto potenciale është dilema dhe thelbi i debatit. E pra, ne ju ofrojmë sot, sipërmarrësve shqiptar, biznesit shqiptar, konsumatorëve shqiptar, punëdhënësve shqiptar, investitorëve të huaj vizionin tonë për të dalë nga kjo situatë katastrofike dhe për të ecur të sigurt drejt një ekonomie konkurruese brenda për brenda dhe në raport me ekonomitë e tjera të rajonit. Konkurrues është çelësi, fjala kyç e propozimit tonë fiskal. Duke nisur me taksën e sheshtë 9%, 9% taksë e sheshtë, tatim-fitimi, 9% kontribut i sigurimeve shoqërore.
Duke vazhduar me një ndryshim themelor të keqkuptuar në panik e sipër nga kryeministri dhe kopjuar vetëm pjesërisht për lehtësimin e biznesit të vogël, jo vetëm nga ana fiskale por në radhë të parë nga represioni i padrejtë  dhe arbitrar i tatimorëve që përpiqen të nxjerrin dhjamë nga pleshti kur balenat iu kalojnë nën hundë doganorëve dhe antikontrabandës nga Kakavija në Kapshticë, nga Durrësi në Morinë e kudo tjetër.
Ky propozim konsiston në një tatim përafërsisht 0.5 % të xhiros për biznesin e vogël, tavan i cili  do të ngrihet deri në 12 milionë lekë të reja xhiro vjetore.
Me tre fasha:
Në fashën e parë 0-5 milionë i tatim të përllogaritur në vlerën e 10 mijë lekëve të reja.
5-8 milionë përllogaritur në vlerën e 30 mijë lekëve të reja.
8-12 milionë në vlerën e 50 mijë lekëve të reja.
Të shoqëruar edhe kjo natyrisht me të njëjtat kushte të taksës së sheshtë apo të them më mirë të analogjisë së taksës së sheshtë dhe sigurimeve shoqërore me një taksim për kontributin me një vjelje të kontributit shoqëror me një vlerë totale prej 18% për të vetëpunësuarit apo 9+9 në situatën e punësimit dhe punëdhënies.
Vendimi që do të komunikoj tani nuk ka qenë një vendim i lehtë dhe ndoshta ka qenë çështja më e debatueshme në diskutimin e platformës fiskale në grupin e punës, dhe ju e dini fare mire se kemi një ekip superior në vlera e përvojë, një ndërthurje e shkëlqyer të përvojës dhe të kapaciteteve të reja. Diskutim i cili është bërë duke patur parasysh qëllimin kryesor që Partia Demokratike ka dhe shpalos me këtë program fiskal, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit përmes nxitjes së besimit tek ekonomia, përmes nxitjes së konsumit që do të nxis kreditimin, investimet dhe do të krijoi një frymë të re pozitive, një energji të re pozitive kombëtare përballë një qeverie që duhet të jetë në krah dhe jo kundër biznesit.
Ky propozim ka të bëjë me shkallën e TVSH-së në Shqipëri. Dhe është bërë pas një diskutimi të përgjegjshëm dhe simulimit të disa skenarëve të plotë të efekteve që kjo do të ketë në ekonominë e vendit por dhe në të ardhurat, dhe rrjedhimisht në shpenzimet sipas vizionit tonë për një portofol të fortë investimesh publike.
Pa dyshim që jemi gati ta ndajmë këtë diskutim me ju, por së pari dhe mbi të gjitha duam të marrim nga ju vlerësimet tuaja për këtë hap të rëndësishëm, jo të lehtë por tashmë të rakorduar dhe një vendim i marrë në Partinë Demokratike, një vendim i marrë nga unë.
Kjo është vendimi për ti dhënë Shqipërisë nivelin më konkurrues ne Ballkan të TVSH-së prej 15%. 15%, pra një ulje prej 25% e tatimit mbi vlerën e shtuar, si një instrument i fuqishëm ndërhyrje që do të rrezatojë besim dhe shpresë tek të gjithë zinxhirët dhe konkurrentët e zinxhirëve të ekonomisë shqiptare, duke nisur me konsumin dhe duke me mbaruar me prodhimin dhe me eksportin.
Koha kur biznesi shikohet si një lopë për t’u mjel dhe për të mbushur kovën e boshatisur korrupsionit dhe hajdutërisë do të marrë fund. Koha kur biznesi kërcënohet me burg dhe me ndjekje penale për mos pagim taksash do të marrë fund. Ndjeka penale duhet të fillojë me evazorët e mëdhenj në vend që detyrimisht do të shkojë tek bashkëfajtorët e tyre në qeveri.
Për biznesin nuk ka dhe nuk do të ketë ndjeke penale dhe dënim me burg për mospagim taksash. Instrumentet që ne do të përdorim dhe që bazohen në rrallë të parë tek vetëdeklarimi, tek vetëpjesëmarrja në insistent të drejtë taksimi si ky që shpalosim sot janë mëse të mjaftueshme dhe do të jenë në përputhje të plotë  me praktikat më të mira të Bashkimit Europian, e jo të mesjetës apo Afrikës Ekuatoriale, apo nuk e di se ku i ka nxjerrë modelet e burgut ky Kryeministër për të mbushur gropën e shkaktuar nga  kontrabandistët e lidhur me të.


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në prezantimin e Projekt-Programit fiskal, 2 Dhjetor 2015