Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë shqiptarë,
Sot në Kuvendin e Shqipërisë do të shqyrtohet projektligji i paraqitur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike për Hetimin Ndërkombëtar të marrëveshjes së 24 qershorit 2014, midis  qeverisë shqiptare dhe  kompaninë çeke CEZ, të pasojave dhe dëmeve që ka prodhuar kjo marrëveshje për  financat  shqiptare, të personave përgjegjës pa dallim që  kanë shkelur ligjet e vendit në gjithë ketë aferë komplekse,në këtë megaskandal.
Siç e dimë të gjithë, ky projektligj që u tentua të futej për shqyrtim me  procedurë të përshpejtuar nga grupi ynë parlamentar në kulmin e debateve që provokoi në vend, në rrafshin politik, mediatik, në opinionin e gjerë publik shpërthimi i skandalit DIA,  që duke qenë një degëzim i aferës mëmë CEZ,  plasi në përmasa të panjohura më parë në tërësinë e aferës më të errët dhe më të madhe korruptive në  gjithë historinë e shtetit shqiptar në këto 25 vite.
Dyshja Rama-Meta e refuzoi futjen e ligjit me procedurë të përshpejtuar me  argumentin se nuk ekzistonte justifikimi ligjor i urgjencës. Koha  tregoi se ky ishte një pretekst për të fituar kohë, për të gjetur gjuhën e  mbylljes së skandalit dhe për të fshehur sërish vjedhjen duke shantazhuar njëri-tjetrin, për të refuzuar nismën tonë për hetim ndërkombëtar.
Rrëzimi i  hetimit në Komisionin e Ligjeve nga deputetët e  Edi Ramës,  me ndihmën e  abstenimit të  deputetëve të  LSI-së së Ilir Metës, është  parathënia e  rrëzimit të ligjit edhe në  sallën e Kuvendit. E gjithë kjo në dhunim flagrant të së drejtës së shqiptarëve për të mësuar me transparencë të plotë të vërtetën për  600 milionë euro të aferës CEZ, pasuri e  qytetarëve shqiptarë  dhe  135  milionë eurot e aferës DIA.
Nëse kjo ndodh,nëse hetimi ndërkombëtar rrëzohet edhe në seancë me kartonët e shumicës, Ilir Metës i duhet të gëlltisë premtimin e tij solemn dhe publik të dhënë para zgjedhësve të tij në Skrapar dhe në shumë tribuna të komunikimit politik se do të votojë pro këtij projektligji.
Edi Rama duhet të vjellë mashtrimin e tij publik për angazhimin nga ana e qeverisë të ekspertëve ndërkombëtarë nga SHBA dhe Bashkimi Europian për hetimin e aferës. Të dy duhet të lëpijnë ku kanë pështyrë, pra njëri -tjetrin.
Mund ta bëjnë. Kanë bërë gjëra shumë më të rënda. Ne nuk befasohemi. Por edhe nuk e çojnë nëpër mend të tërhiqemi nga nismë.
Sot deputetët tanë do të shpalosin para qytetarëve shqiptarë domosdoshmërinë e këtij ligji në kushtet kur drejtësia është nën presionin e jashtëzakonshëm të Ramës dhe Metës që kërkojnë ta kapin me çdo kusht. Deputetët tanë do të argumentojnë thjesht dhe bindshëm se ky është një ligj që mbështetet plotësisht në Kushtetutën e vendit, se nuk ka asnjë arsye ligjore për të mos e pranuar.
Ndërkaq, do t’u japim mundësi deputetëve të çdo krahu, do t’u japim mundësi edhe atyre që kanë ngrënë fjalën e dhënë të ngrihen në lartësinë e detyrës në mbrojtje të interesit publik, të pasurisë së qytetarëve, të Kushtetutës, të dinjitetit të vendit, duke u distancuar nga kusaria dhe kusarët.
Sot është dita për të zgjedhur: do të pranohet apo jo hetimi ndërkombëtar i çdo prove, i çdo dyshimi, i çdo akuze që është hedhur nga ne si opozitë dhe nga kundërshtarët tanë ne qeveri, nga  mediat, nga zyrat avokatore ndërkombëtare  të  qeverisë shqiptare për humbjet  kolosale  në shifra miliarda eurosh, që kanë pësuar tashmë dhe mund të pësojnë sërish financat e Shqipërisë,  financat e taksapaguesve shqiptarë nga marrëveshja me kompaninë CEZ.
Sot është dita për t’i lënë mënjanë llogjet dhe për të vendosur:  do të pranohet apo do të refuzohet nga dyshja Rama-Meta thelbi i projektligjit tonë për të pajtuar në këtë hetim prokurorë dhe ekspertë të sprovuar nga vendet mike e partnere, nga SHBA dhe Bashkimi Europian, që do të ftohen dhe do të hetojnë nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm të  Republikës së Shqipërisë.
Sot është dita për të ndarë shapin nga sheqeri,: kush është për ta mbajtur pambarim këtë aferë kriminale në  planin e llafeve  dhe kakofonisë së qëllimshme, ku të gjithë akuzojnë të gjithë dhe askush nuk e merr vesh kush është hajduti i vërtetë  dhe kush është për të votuar  zbardhjen ligjore nga një hetim i kualifikuar dhe i pavarur ndërkombëtar. Kush është për të vijuar me akuza politike që kanë për qëllim të shmangin drejtësinë, sikur kanë gisht të gjitha palët, sikur janë të përlyer të gjitha palët, dhe kush për identifikimin para drejtësisë  të personave përgjegjës për këtë vjedhje të shekullit.
Ky është pra një moment i madh  përgjegjësie dhe transparencë, që do të hapte një kapitull të ri në jetën politike institucionale të vendit, duke bërë  ndarjen  e parë të  madhe nga pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë dhe nga të gjitha spekulimet e qëllimshme që janë bërë e bëhen me të.
Kemi folur e do të vazhdojmë të flasim shumë për reformën në drejtësi, për rëndësinë e saj të madhe. Por një akt i madh ligjor siç është votimi sot i projektligjit ka një vlerë të barabartë politike me këtë reformë përsa i përket mesazheve që do të japë, sinqeritetit të qëllimeve dhe efekteve në rrafshin e drejtësisë reale.
Sot është një ditë sprove për Edi Ramën dhe për deputetët e Partisë Socialiste. Rama dhe disa prej këtyre deputetëve kanë mbrojtur me zë të lartë marrëveshjen e qeverisë me kompaninë CEZnë qershor të vitit 2014.
Për të zhurmuar akuzat konkrete të mbështetura në dokumentet zyrtare të avokatëve ndërkombëtarë të qeverisë, denoncimet e bërë nga rrjeti i gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor BIRN dhe së fundi edhe në raportin e  detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Rama më të tijtë  janë hedhur në sulm duke formuluar lloj-lloj akuzash  kundër prej disa prej ministrave dhe zyrtarëve  të lartë të qeverisë së Partisë Demokratike gjatë viteve të operimit të kompanisë CEZ në Shqipëri.
Ja ku janë. Ja ku jemi. Le të votojmë hetimin ndërkombëtar. Le të  hetohen të gjithë zyrtarët që kanë patur lidhje apo gisht, pavarësisht cilës qeveri apo ngjyre politike i përkasin. Hetim gjithëpërfshirës, ky është projekti ynë. Kjo është sfida, kjo është ora e të vërtetës. Kush nuk ka frikë, voton ligjin. Kush ka mizën nën kësulë, kush ka milionat e vjedhura nën kësulë bën të kundërtën.
Sot është një moment sprove për Ilir Metën dhe grupin e tij. Ilir Meta është akuzuar nga avokatët e qeverisë Rama për marrje ryshfeti në shuma  të  mëdha nga kompania DIA, e cila pretendon të përfitojë në arbitrazhin ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare një shumë prej 135 milionë eurosh. Meta ka refuzuar të japë dorëheqjen si kryetar i Kuvendit, kërkuar nga ne pas publikimit të akuzave të rënda. Por është zotuar të votojë ligjin e hetimit ndërkombëtar dhe t’i nënshtrohet hetimit në bazë të këtij ligji.
Në qoftë se nuk  janë tallur me popullin, tani është moment të votojnë ligjin.
Të gjitha fjalët ndahen sot. Hetimi ndërkombëtar është përballja guximtare me të vërtetën e  aferës me të rëndë të shekullit.
Hetimi ndërkombëtar është premisa e sigurt për transparencë dhe drejtësi.
Por ndërkohë Rama dhe Meta, paraprakisht kanë ndërmarrë hapat të tjerë, në përpjekje për të mbuluar gropën e madhe financiare që i kanë krijuar shtetit me aferën e tyre me CEZ.
600 milionë euro. Dhe nga do t’i nxjerrin këto para? Sot kanë në plan të kalojnë një tjetër masë kriminale, represive në Parlament, ndryshimin në Kodin Penal që ligjëron burgun për një kupon.
Vetë këta ju kanë vjedhur shqiptarëve 600 milionë euro vetëm me aferën CEZ, para që i kanë ndarë në pazarin e tyre. Dhe sot, nga njëra anë do të votojnë të mbyllin hetimin për veten e tyre, dhe pak minuta më vonë do të votojnë burgun për qytetarin që nuk merr kuponin për një kile kripë.
Kjo është dyfytyrësia, padrejtësia që ulërin, që revolton e ngre peshë shpirtin e revoltës qytetare.
Ne do ta kundërshtojmë sot në Kuvend me deputetët dhe votat tona këtë ligj terrori mbi sipërmarrjen. Ne i bëjmë thirrje sipërmarrësve, biznesit të vogël, biznesit familjar, ambulantëve, fermerëve të bashkohen me ne të martën me 8 dhjetor për të hedhur në kosh të mbeturinave këtë ligj diktatorial dhe bashkë me të edhe hartuesit e tyre hajdutë.
Po ashtu, gropën e madhe financiare prej 600 milionë euro që kanë shkaktuar me aferën CEZ, si dhe me vjedhjet e abuzimet e përditshme, do ta vuajnë në kurriz pronarët, për të cilët qeveria ka planifikuar të kalojë sot në Kuvend një shpronësim të ri.

Është shpronësim, marrje me forcë e pronës së tyre, ajo që ka ndërmend të bëjë Edi Rama, duke vendosur çmime qesharake për kompensimin e pronave. Duke caktuar çmimin sa vlente prona në kohën kur etërit e bijve të korruptuar sot, ua morën pronën pronarëve.
Njësoj e dhunshme është kjo masë, madje është legjitimimin i shpronësimit komunist të pronarëve.
Ne nuk mund ta pranojmë kurrë këtë padrejtësi të dytë.Ky akt është legjitimim i diktaturës dhe akteve të saj barbare. Është e qartë tashmë për të madh e të vogël se Edi Rama krenohet me aktet e mizorisë dhe barbarisë hoxhiste duke dekoruar xhelatët dhe kriminelët në një përpjekje profane për t’i shpëlarë ata nga llumi i historisë kombëtare ku i ka caktuar vetvetiu ndërgjegjja e një kombi të tërë.

E ç’mund të presin pronarët nga ky, që dekoron shpronësuesit, xhelatët, torturuesit e familjarëve të tyre dhe mijëra viktimave të tjera të terrorit komunist.
Ligji për pronat është vetëm një zgjatim i mendësisë së bijve të nomenklaturës hoxhiste dhe njëkohësisht një perde e grisur për të mbuluar hajdutërinë dhe babëzinë e tyre për lekët dhe pronat e popullit.
Lufta kundër këtij shpronësimi të ri të pronarëve nis sot në Kuvend por do të vazhdojë në çdo hapësirë publike dhe institucionale derisa ta rrëzojmë. Ndaj ju bëj thirrje pronarëve të bashkohen në marshimin e protestës më 8 dhjetor për të rrëzuar këtë shpronësim të dytë, për të rrëzuar hartuesit e tij hajdutë.
Të nderuar deputetë,
Kemi hyrë në dhjetorin e 25 vjetorit të Lëvizjes Demokratike studentore, intelektuale dhe popullore për pluralizëm, liri dhe demokraci si gjithë Europa.
Në datën 8 dhjetor, në përkujtim të ditës së parë të protestës historike të studentëve misionarë të demokracisë, ne kemi thirrur një marshim të madh proteste në Tiranë kundër qeverisë  Rama-Meta të krizës me të rëndë, varfërisë dhe depresionit më të madh, korrupsionit galopant, qeverisë më të papërgjegjshme dhe më të korruptuar që ka njohur vendi.
Kur e keqja në qeverisjen e vendit mblidhet, zmadhohet, bëhet një mal në këto përmasa, mënyra më e mirë për të nderuar një ngjarje që ka hyrë në histori si simbol i përballjes me të keqen është të zbresim në rrugët dhe sheshet e protestës, të përballemi, të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë që ka mbushur e po derdh çdo ditë kupën më bëmat e saj antipopullore, antidemokratike, abuzive dhe korruptive.
Nuk ka asnjë shenjë dhe asnjë shpresë se situata mund do të përmirësohet për shqiptarët. Përkundrazi: po përkeqësohet e do të përkeqësohet deri ku nuk mban, deri aty ku do të jetë shumë  shumë e vështirë për t’u ringritur.
Mjafton të themi sot se deficiti në dogana dhe tatime edhe për muajin nëntor është një rekord historik. Ky është nëntori i zi përsa i përket të ardhurave në raport me planin, që vendi nuk e ka njohur as në vitet me të këqija të trazirave sociale.
Si një qershi e kalbur mbi tortën e prishur të qeverisë po vjen buxheti i vitit 2016, buxheti i recesionit të përshpejtuar, me të ardhura më të ulta, me shkurtime masive për popullin, shpenzime luksi. Po vinë gjobat poshtëruese dhe shkatërruese, e vetmja “mjeshtëri” e qeverisë së  falimentuar.
Kasta oligarkike në krye të qeverisë është një barrë e shtuar për qytetarët çdo orë, çdo ditë që kalon.
Ne mblidhemi kësaj radhe jo thjesht për të protestuar. Mblidhemi për zgjidhje. Zgjidhje që vjen nga shpirti i qytetarëve të pakënaqur, të dëshpëruar, të pamundur, zgjidhje që përqafohet dhe kthehet në thirrje për mbarë qytetarët shqiptarë është largimi i kësaj qeverie të dështuar, të inkriminuar dhe të korruptuar deri në palcë.
Zgjidhja është krijimi i një qeverie teknike që do të  përgatisë reformën zgjedhore, do të implementojë ligjin e dekriminalzimit, dhe do të përgatisë vendin për zgjedhje të reja.
Nuk duam thjesht të largohen këta dhe të vijmë ne. Duam një zgjidhje për Shqipërinë në mes të së keqes që e ka mbërthyer.
Se kush do të vijë, le ta vendosë populli me votë.
Me 8 dhjetor fillojmë përballjen popullore pa kthim për këtë zgjidhje, për largimin e qeverisë së katastrofës kombëtare.
Partia Demokratike do t’i prijë kësaj përballje. Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës nga mbarë vendi të mblidhemi për zgjidhjen, në një protestë të madh kombëtare në sheshin “Skënderbej”, të martën me 8 dhjetor në orën 11:00.


Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ne mbledhjen e grupit parlamentarë, 3 Dhjetor 2015