DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, ANËTARJA E KRYESISË, TAULANDA JUPI

Burgu i Spaçit është vendi i gjallë i memories, dhimbjes e dëshimsë së vuajtjes çnjerëzore, është vendi i torturës e persekutimit të qindra e mijë të burgosurve politikë, është vendi simbol i shkeljes së të drejtave të invidit në Shqipëri e njëkohësisht simbol i qëndresës e revoltës në ditët më të errëta të regjimit komunist.
Ky monument i trashëgimisë historike duhet të vazhdojë të dëshmojë për brezat që vijnë se komunizmi nuk ishte një etapë historike, ishte një zgjedhje e gabuar, në anën e gabuar të zhvillimit historik të njerëzimit, pasojat e të cilës i vuajtën mijëra viktima, mijëra të burgosur dhe të internuar politik .

Partia Demokratike e Shqipërisë, jo vetëm si një detyrim politik, por mbi të gjitha si një detyrim moral që e gjithë shoqëria duhet të reflektojë ndaj vuajtjes dhe sakrificës së mijëra viktimave të regjimit komunist dhe familjeve të tyre, ka propozuar në Kuvendin e Shqipërisë që prej datës 30 .06.2022 projekligjin për shpalljen Muze Kombëtar të “Kampi i Punës së Detyruar të Burgosurve Spaçit” dhe “Kampi i Intemimit te Tepelenës”.
Prej dy vitesh, qeveria nuk ka asnjë vendimmarrje mbi këtë projektligj, ndërkohë që prej disa ditësh Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka publikuar për konsultim publik me qytetarët “Planin e Menaxhimit për ish- Burgun e Spaçit”
Me shqetësim konstatojmë se “Plani i Menaxhimit për ish- Burgun e Spaçit”, parashikon ndërtimin e një muzeu të vogël në Reps, vendodhje gjeografike rreth 7.5 km larg Kampit –Burg të Spaçit. Ky plan për të ndërtuar muzeun larg vendit të memories do ta shndërrojë burgun e Spaçit në një aneks dhe një site plotësues të muzeut të Repsit, duke shkaktuar humbjen graduale të interesit mbi vlerat e tij si trashëgimi historike, si një vend memorie e dëshmisë së gjallë, si një moment reflektimi dhe përballje emocionale me të vërtetën, e për rrjedhojë degradimin e plotë të tij në harkun e pak viteve.
Partia Demokratike e Shqipërisë mbetet e vendosur në propozimin dhe rikonfirmon qëndimin e saj se Kampi –Burg i Spacit duhet të shpallet Muze Kombëtar, dhe pikërisht në Spaç të ndërtohet një muze i mbështetur dhe finacuar nga shteti shqiptar me vetëdijen se mund dhe duhet të kujdesemi për memorien tonë historike si dëshmi e një pendese kolektive duke vendosur të paktën moralisht drejtësinë.
Ky është një detyrim moral ndaj të shkuarës dhe ndaj të ardhmes , detyrim ndaj qindra e mijëra viktimave, të burgosurve,të persekutuarve në periudhën e komunizmit që kërkon sot më shumë se kurrë, një angazhim gjithpërfshirës dhe vullnet, jo vetëm politik, por mbi të gjitha qytetar.
Nxisim opinionin publik, ekspertët, historianët, mediat, shoqërinë civile dhe veçanërisht organizatat vendase dhe të huaja të cilat kujdesen për trashëgiminë kulturore dhe historike, të reagojnë në mbrojtjen , ruajtjen dhe zhvillimin e një prej objekteve më simbolike të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore të përiudhës së komunizmit , Burgu i Spacit duhet të shpallet Muze Kombëtar dhe të ndërtohet në Spaç.