Reagimi i kryetarit të PD, Lulzim Basha:

Nuk është marrëveshje për anëtarësimin në BE, por është pazar i pastër mes rrangalleve të vjetra të tranzicionit, që duan të mbajnë peng Shqipërinë, duke ruajtur monopolin e sistemit, sepse vetëm ashtu mund të mbajnë njëri-tjetrin, sipas lojës 35-vjeçare, që i yti mishin të ha, por kockën ta ruan.

Sot nuk ka shqiptar që beson përrallat e Edi Ramës, i cili një ditë i quan idiotë ata që akuzojnë se po bën pazar, ndërsa të nesërmen vetë zyrtarizon pazarin me Sali Berishën, të cilin, kur s’i duhet e quan “Non grata”, ndërsa kur i hyn në punë, e quan partner për jetën parlamentare.

Pazari për të mbrojtur plaçkën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, është i qartë, por përveç kësaj, së bashku ata duan edhe të zhbëjnë ligjin e dekriminalizimit, duke i hapur rrugë personave me precedentë penal dhe zyrtarëve të dënuar për korrupsion, që të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhjet e radhës. Edi Rama ka treguar se pa bashkëpunim me krimin e organizuar nuk mund të fitojë dot.

Ashtu sikurse të dy janë të interesuar për t’i bërë presion drejtësisë së re, e cila ka premtuar se nuk do të kursejë askënd, pavarësisht hierarkisë apo pozicionit të lartë shtetëror.

Partia Demokratike është e vendosur për një koalicion të gjerë me qytetarët dhe me të gjithë faktorët politikë që duan një Shqipëri të njerëzve dhe për njerëzit kundër kastës së vjetër 35-vjeçare të dinosaurëve të korrupsionit.