Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në familjen e Martin Gjon Lulati, babai i të cilit ishte ndër të parat viktima të diktaturës komuniste dhe njeriu që paralajmëroi për atë që e priste vendin nga komunizmi.

Postimi i plotë:

I nderuar të vizitoja familjen e Martin Gjon Lulati. Babai i tij, Gjon Lulati ishte ndër organizatorët e lëvizjes së parë antikomuniste në Shqipëri, patrioti, që në një fjalë para malësorëve të Bajzës, ndërsa bisedonin për t’u përballur me regjimin komunist, paralajmëroi atë që fatkeqësisht i ndodhi Shqipërisë gjatë pushtimit çnjerëzor të diktaturës:

“Duhet t’i sqaroni njerëzit se komunizmi ju grabit tokë, bagëti, shtëpi e pasuri, ju prish kisha e xhamija, ju ban të mohoni nanën, babën, vëllanë e motrën, ju ban mos me njoftë kushri, fis as kumari. Ju grumbullon si bagtia në një vathë e ju çon me punue e jetue në rresht tuj u grahë e rrahë hori i horave që e vënë komunizmi në krye të huqametit të vet. E kur t’u teket këtyre horrave komunistë edhe ju vret e pret, ju fut në burg, e trupin tuej ju a qet qenve, për mos me u gjetë as kurrë vorret tuaja. Prandaj duke pasë parasyshë këto të këqija që s’kanë fund ju baj thirrje që edhe nëse vdesim sot, të vdesim me nderë e për hatër të fëmijëve tanë që të jenë pa komunistë nesër…”

Gjon Martin Lulati u vra më 25 janar 1945, në përballje me forcat komuniste.

Me mirënjohje dhe respekt për figurën e këtij malësori trim dhe atdhedashës, ne nderojmë kujtesën e të gjithë atyre që sakrifikuan çdo gjë, për një Shqipëri europiane. Kontributi i tyre nuk duhet e nuk do të bjerë kurrë në harresë, për këtë arsye është themelore që vuajtjet dhe aktet e guximit përballë të keqes të kujtohen e të rrëfehen, që brezat e ardhshëm të dinë se edhe në orët më të errëta të vendit tonë, burra dhe gra patriotë qëndruan me vetëmohim në mbrojtje të lirisë. Prandaj ngritja e muzeut në kujtim të viktimave të komunizmit dhe monumenteve të tjera të kujtesës, është një hap i domosdoshëm për bërë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet kurrë më.

#partiademokratike #ndërtojmëtëardhmen