PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË

REZOLUTË

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur më datë 2 Shtator 2023

Duke vlerësuar situatën politike, ekonomike dhe sociale që po kalon Shqipëria, si dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike;
Të brengosur për emigracionin në masë të shqiptarëve si një nga fenomenet më alarmuese për të ardhmen e vendit tonë;
Të shqetësuar për monopolizimin në duart e një pakice oligarkësh dhe klientësh të qeverisë, kriminalizimit të ekonomisë shqiptare dhe mungesën nga ana e saj të një strategjie për zhvillimin makroekonomik të vendit, mbështetur mbi parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës së ndershme;
Duke dënuar ashpërsisht korrupsionin e thellë e të kudogjendur në nivelet më të larta politike dhe në administratën shtetërore, që është shkaku kryesor që varfëron gjithmonë e më shumë shqiptarët;
Duke konstatuar përgjegjësitë e qarta të papërmbushura, dhe mungesën e reformave nga kjo qeveri, që ka sjellë vonesa në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;
Të bindur se dekriminalizimi i jetës politike shqiptare, ka qenë dhe duhet të mbetet prioritet i padiskutueshëm kombëtar;
Të vendosur për ruajtjen dhe forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, dhe Britaninë e Madhe si vlerë e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme dhe e përhershme, si kusht thelbësor për zhvillimin dhe mirëqënien e Shqipërisë e të gjithë kombit shqiptar;
Të qartë se ndarja, balancimi dhe kontrolli i pushteteve janë garancitë për një shtet ligjor dhe konsolidim të demokracisë funksionale në vend, mbështetur mbi parimin e thellimit të decentralizimit të vetqeverisjes vendore;
Duke përgëzuar dhe inkurajuar hetimet që SPAK ka ndërmarë kundrejt politikanëve të nivelit të lartë për dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe vënien në vend të drejtësisë për shoqërinë shqiptare;
Duke besuar se kapitali i pashtershëm njerëzor shqiptar, i të gjitha fushave, duhet të gjejë vend brenda Partisë Demokratike për të çliruar dhe kapitalizuar potencialin e jashtëzakonshëm që shoqëria jonë ka;
Të vetëdijshëm se Partia Demokratike ka një detyrim moral të pashlyer ende në këto 33 vite kundrejt të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist dhe viktimave të tij;
Duke vlerësuar se diaspora shqiptare ka luajtur një rol jetik në 33 vite pluralizëm në Shqipëri, dhe se kapitali i tyre human është i paçmueshëm për zhvillimin e vendit;
Duke konsideruar se arritja e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetur nga SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar dhe njohja e saj nga 5 vendet anëtare të BE-së, do të ishte një kontribut thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të të gjithë rajonit;

1. Konfirmon orientimin euroatlanik të Partisë Demokratike në aleancë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe. Çdo linjë tjetër gjeopolitike që nuk e shikon të ardhmen e Shqipërisë në integrim të plotë në trupat euroatlantike, është një rrugë e errët për vendin tonë dhe në kundërshtim me interesin kombëtar të shqiptarëve kudo jetojnë.

2. Konfirmon se anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në BE, mbetet objektivi kryesor politik i Partisë Demokratike për të realizuar aspiratën e qytetarëve tanë që në gjenezën tonë si forcë politike për Shqipërinë si gjithë Europa.

3. Mbështet institucionet e drejtësisë dhe në veçanti SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke dënuar me forcë çdo përpjekje për të intimiduar, frenuar apo kontrolluar institucionet e drejtësisë në misionin atdhetar për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për të garantuar barazinë para ligjit për çdo qytetar.

4. Mbështet ngritjen e Aleancës Qytetare për Demokracinë si një trupë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët e shoqërisë shqiptare ku aderojnë njerëz me kontribute publike, intelektualë, dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të cilët kërkojnë një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

5. Mbështet me forcë dekriminalizimin dhe dekomunistizimin e politikës shqiptare dhe nxit drejtuesit, dhe përfaqësuesit e saj në të gjitha nivelet, të ndërmarrin nisma ligjore, të zhvillojnë debate, dhe të mbështesin dekomunistizimin e jetës social-politike shqiptare, si dhe të risin kërkesën për përmirësimin e cilësisë së arsimimit, edukimit dhe kujdesit shëndetësor për qytetarët shqiptarë.

6. Bën thirrje për integrimin politik dhe ekonomik të diasporës shqiptare duke garantuar integrimin e saj në sistemin ekonomik shqiptar dhe realizimin e premtimit shumë vjeçar për votën e emigrantëve.

7. Mbështet pa rezerva avancimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës, integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare, në NATO dhe në Bashkimin Europian. Mbështet dialogun e Kosovës me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ës, me synim arritjen e një marrëveshjeje finale me njohjen në qendër. Kërkon vëmendje dhe angazhim më të madh për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe ndalimin e spastrimit etnik që po kryhet atje përmes pasivizimit të adresave. Mbështet përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre në Maqedoninë e Veriut për avancimin e realizimit të të drejtave legjitime të tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm për integrimin e vendit në BE; Mbështet përpjekjet e shqiptarëve në Mal të Zi për të garantuar të drejtat e tyre dhe përshëndet suksesin e arritur prej tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare prej subjekteve shqiptare dhe uron që në qeverinë e re të kenë një përfaqësim dinjitoz pasi kështu do të japin një kontribut të shtuar në përpjekjet e Malit të Zi për t’u bërë pjesë e BE-së dhe për të mos devijuar nga kursi pro-perëndimor i vendit.

8. U bën thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, AMA-s dhe mediave shqiptare, të marrin masa dhe t’i japin fund abuzimit të përdorimit të emrit të Partisë Demokratike nga aktorë të tjerë, në respekt të ligjit shqiptar, vendimeve të Gjykatave dhe Kodit Zgjedhor shqiptar.

9. Shpreh angazhimin e PD dhe të përfaqësuesve të vet politikë, se do vazhdojë të luftojë për të thelluar më tej Reformën Zgjedhore, e bindur se pa garantuar votën e lirë të qytetarëve, demokracia do mbetet një ëndërr e parealizuar për shqiptarët.

10. U bën thirrje, anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë, të mbështesin dhe të bashkohen rreth vlerave më të mira të Partisë Demokratike të Shqipërisë për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara e korruptuar, për të ndërtuar së bashku një të ardhme europiane për gjithë shqiptarët.