Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Endri Hasa ka përgënjeshtruar lajmin e qarkullur ditën e sotme në media, ku akuzohej se ka hequr nga grupi i whatsapp-it të Grupit Parlamentar të PD, njoftimin e deputetit Gazment Bardhi.

Në një reagim në Facebook, Hasa shkruan se lajmi është i rremë dhe se është prodhuar nga Gazment Bardhi që për interesa personale sulmon PD-n.

Ai më tej sqaron se Bardhi nuk është hequr nga asnjë grup whatsapp-i të administruar nga PD, por thjesht nuk është më administrator i grupit të whatsap-it, pasi tashmë ai nuk ka asnjë funksion, as në grupin parlamentar, as në PD.

Reagimi i plotë:

Sot nëpër media ka qarkulluar një lajm i rremë i prodhuar nga deputeti Gazment Bardhi. Tashmë është e njohur nga të gjithë përpjekja e tij, që për interesa personale sulmon PD-në, institucionet dhe drejtuesit e saj.

Z. Bardhi nuk është hequr nga asnjë grup whatsapp-i të administruar nga Partia Demokratike.

Ai thjesht nuk është më administrator i grupit të whatsap-it, pasi tashmë ai nuk ka asnjë funksion, as në grupin parlamentar, as në PD.

Drejtimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në zbatim të statutit, i është deleguar znj. Flutura Açka, e cila koordinon prej ditës së enjte veprimtarinë e grupit.

Këto janë përpjekje qesharake të një njeriu që për interesat e tij personale kërkon të hedhë baltë dhe të dëmtojnë PD-në.

Koha kur PD-ja merrej zvarrë për interesa personale ka marrë fund, tani secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta dhe për rrugën që ka zgjedhur.

Asnjë flirt, i disa individëve me Berishën apo me Ramën, nuk do të arrijë më, të dëmtojë interesat e PD-së, demokratëve dhe shqiptarëve që presin një alternativë të re, luftën kundër korrupsionit dhe një partneritet të ngushtë me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe BE-në.