Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar ditën e sotme lëvizjen e parë anti-komuniste në Shqipëri, në kohën kur ajo sapo ishte vendosur nën regjimin komunist.

Në një postim në Facebook, Basha shprehet i përulur para atdhedashësve të cilët u ngritën me guxim në të parën lëvizje për liri në Europën komuniste, e cila tronditi nga themelet regjimin çnjerëzor, duke shënuar edhe një plagë të dhimbshme në kujtesën tonë të përbashkët.

Kryedemokrati gjithashtu thotë se Kryengritja e Postribës është një model që udhëheq edhe sot qytetarët për tu përballur me guxim ndaj cdo padrejtësie.

Postimi i plotë:

Kryengritja e Postribës është një ndër aktet e para madhore në Shqipëri dhe në Europën e pushtuar nga komunizmi për t’iu bashkuar familjes së kombeve të lira europiane.

Ne përkulemi me nderim para qindra atdhedashësve dhe intelektualëve, malësorë e klerikë, që frymëzuan e ngritën me guxim krye në të parën lëvizje për liri në Europën komuniste, e cila tronditi nga themelet regjimin çnjerëzor, duke shënuar edhe një plagë të dhimbshme në kujtesën tonë të përbashkët.

Shtypja e saj e përgjakshme nga makineria terroriste e regjimit të Enver Hoxhës, do të mbahet mend gjatë për shkretimin e familjeve të rëndësishme të elitës shoqërore, intelektuale e morale të Shqipërisë, si familjet e Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit e Abdullah Sahitit.

Në orët dhe ditët e para të kryengritjes, komunistët pushkatuan pa gjyq 28 vetë në Postribë. Ploja dhe përndjekjet u shtrinë edhe në Shkodër, Mirditë, Pukë dhe Malësi të Madhe. Mbi 60 patriotë u vranë nga regjimi komunist. Dhjetëra të tjerë u dergjën burgjeve dhe lanë eshtrat në qelitë e errëta, ku u shtrënguan të punojnë në kushte poshtëruese për dinjitetin njerëzor. Mijëra të tjerë vuajtën dënime me burgim, tortura në hetuesitë e regjimit, dhimbje për vitet e rrëmbyera dhunshëm dhe familjet e humbura përgjithmonë.

Vetëmohimi dhe sakrifica e malësorëve martirë për lirinë e Shqipërisë, që sapo kishte hyrë në orën më të errët të historisë së saj, është sot një prej altarëve më të lartë mbi të cilin janë ngritur përpjekjet e shqiptarëve për të qenë pjesë e pandarë e qytetërimit europian të vlerave më të çmueshme, ato të demokracisë dhe lirisë.

Një model që na udhëheq dhe frymëzon brez pas brezi, për të qëndruar për vlerat, për t’u përballur me guxim dhe me përgjegjshmëri të lartë qytetare me çdo padrejtësi që bëhet kërcënuese për lirinë, të drejtat dhe vlerat demokratike që janë në themel të Shqipërisë Europiane për të cilën patriotët e Postribës kryen sakrificën e tyre më sublime.

Lavdi përjetë heronjve të Postribës!